Qeveria po i reziston një presioni të fortë nga disa institucione financiare ndërkombëtare që sugjerojnë rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët. Ka thënë kështun zëvendëskryeministri Niko Peleshi dje, i pranishëm në analizën e punës gjatë 300 ditëve të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. “Ministri ka refuzuar të marrë në shqyrtim opsionin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, për të shëndoshur buxhetin e kompanisë së shpërndarjes, sepse jemi ende në fazën kur nuk kemi shteruar potencialin e madh që na jep mirëmenaxhimi i shpërndarjes”, tha ai. Sipas nr.2 të qeverisë, Task Forca për energjinë, e ngritur nga qeveria, në muajin shtator hyn në një fazë të re, atë të ashpërsimit të masave për qytetarë, institucione apo biznese që nuk shlyejnë detyrimet e energjisë elektrike.

Nga ana e tij, kreu aktual i Sistemit të Shpërndarjes Arben Seferi tha se humbjet e energjisë janë ulur krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Nga 5.1 miliardë lekë, që ishte humbja në 6-mujorin e parë të vitit 2013, humbja e 6-mujorit të parë të 2014-ës është 3.9 miliardë lekë, ose 1.2 miliard lekë më pak”. Ndërkohë, arkëtimet nga kamatë-vonesat, që janë rritur me 3.9 herë. Sipas ministrit Gjiknuri, “i dinë gjithë shqiptarët favoret që u janë bërë çekëve, qoftë me uljen e çmimit për energjinë për të furnizuar KESH-in, qoftë me veprimet e tjera që dëmtuan prodhimin e energjisë elektrike shqiptare, saqë kostot e privatizimit të katër HECE-eve janë të pambuluaran edhe sot.

Një nga arsyet përse kërkohet rritja e çmimit nga ndërkombëtarët është se asetet publike u shitën dhe ne detyrohemi të blejmë energji me 30 milionë ekstra”, deklaroi ai. Lidhur me sektorët e tjerë që mbulon ky dikaster, ministri deklaroi se "ka plane konkrete për shndërrimin në  shifra rekord të prodhimit të naftës në vend". “Me planet e zhvillimit që janë në tavolinë, do të kapim rekorde të prodhimit të naftës. Ministria ka planin e qartë për herë të parë për hidrokarburet, por që edhe shteti të marrë pjesën e vet”, u  shpreh ai. Ai premtoi dhënien fund një herë e përgjithmonë të kaosit në zonën minerare të Bulqizës. “Sektori minerar s’mund të mbetet peng i fragmentimit; ne po punojmë në këtë drejtim”, sipas tij.