Sali Berisha e paraqiti si një takim të rëndësishëm për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fotografinë e realizuar në Dallas me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Todd Blanche, dhe prokurorin e asociuar të Përgjithshëm, Stanley Woodward. Por Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka përgënjeshtruar Berishën, përmes një përgjigje për revistën amerikane Mother Jones,ku një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë sqaron se bëhej fjalë për një foto dhe asnjë takim.
“Nuk pati asnjë takim. I ftuari i hotelit iu afrua Prokurorit të Përgjithshëm në holl dhe Prokurori i Përgjithshëm pranoi, siç bën shpesh, të pozonte për një fotografi”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.
Fotografia iu realizua gjatë konventës së republikanëve në Dallas, ku Berisha mori pjesë së bashku me Fatmir Mediun. Më pas, kreu i PD-së e paraqiti kontaktin me Blanche dhe Woodward si një takim me shumë rëndësi për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit në vitin 2021, gjatë administratës Biden, për përfshirje në korrupsion madhor. Ai i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar vendimin të motivuar politikisht.
Udhëtimi i tij shtatëditore në SHBA, nga 4 deri më 12 shtator 2026, ishte i pari për kreun demokrat pas gati 14 vitesh. Gjatë qëndrimit në Amerikë, ai u përpoq të kapitalizojë politikisht takime e fotografi të shumta për të bindur shqiptarët se i ishte hequr ndalimi i hyrjes në territorin amerikan, por DASH e bëri të qartë se ishte një përjashtim nga kufizimi i udhëtimit dhe jo një anullim i non-gratës.
Lajmi kryesor:
Investigimi i Mother Jones: Si po përpiqet Fatmir Mediu të përdorë lidhjet me republikanët në SHBA për 'Gërdecin', bashkë me Berishën dyshohet se ndihmuan në mbledhjen e fondeve për Ken Paxton




