DËMET/ 'Nuk ta kam shembur unë shtëpinë, nuk kam çadër!' Banorët flenë në kasolle...Reagon kryebashkiaku i Krujës

Stafi i emisionit "Pa Gjumë" vizitoi nga afër familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në fshatin Rrënz të qytetit të Krujës. Prej ditës së martë, banorët e fshatit të frikësuar nga lëkundjet e shpeshta sizmike, kalojnë netët jashtë banesave të tyre duke i rezistuar temperaturave të ulëta të dhjetorit. Fëmijë, të rritur e të moshuar edhe pse në mungesë të ushqimeve  dhe të rrobave i janë përshtatur kushteve rrethanore për të kaluar ditët e tmerrit.

Kamera e Report Tv, ishte e para që mbërriti në vendngjarje për të sjell në qendër të vëmendjes vështirësitë dhe  problematikat e banorëve të cilët  prej ditësh ishin lënë në harresë. Ata tregojnë se në këto ditë të vështira, Bashkia i ka ardhur në ndihmë me shumë pak produkte ushqimore.

Kryeplaku i fshatit Rrënz, Z. Baft Bilja shprehet se: Tërmeti i 26 nëntorit në fshat ka bërë dëme të konsiderueshme, janë shembur 9 shtëpi përfundimisht, kemi familje që rrinë në plastmase. Të tjerat pa përjashtim, kush më pak e kush më shumë janë të pabanueshme. Në këtë fshat ndodhen 30 shtëpi dhe të gjitha janë të dëmtuara, edhe shtëpia ime është dëmtuar. Njerëzit e mi kanë fjetur edhe jashtë nga frika se na zë brenda. Ka ardhur një punonjës i njësisë administrative për t’i parë të gjitha shtëpitë e fshatit dhe ka thënë që të gjitha që ka parë do t’i raportonte në bashki .

Ndërsa një tjetër banor, Rexhep Myrtja tregon se: Unë nuk isha në shtëpi kur ra tërmeti, isha në shërbim, por familja ime ishte këtu. Që prej 26 nëntorit ne qëndrojmë në çadrën që e kam marrë në mënyrë shoqërore në Bathore. Nga komuna nuk kam marrë asnjë ndihmë.

Besim Bilja, gjithashtu i dëmtuar nga tërmeti: Tërmeti më ka shembur të gjithë shtëpinë, kam kërkuar ndihmë por administratori i bashkisë së Krujës më ka thënë që nuk kam çadër, pasi nuk ta kam shembur unë shtëpinë, dhe 4 fëmijët sot flenë në plastmas. I bëj thirrje edhe Ministrisë së Mbrojtjes, kam punuar si ushtarak, kam shërbyer në disa vende  meqenëse administratori i bashkisë nuk kishte çadër, të paktën ato të më sjellin një çadër.

Ndërsa Mehmet Hoxha nën presion psikologjik shtoi se: Shtëpia është e pabanueshme sepse është deformuar përfundimisht. Për këtë situatë nuk është interesuar kush, as për një çadër. Unë bashkë me familjen që nga tërmeti jetoj në kasollen ku mbanim bagëtinë.

Një tjetër banor tregon se banesa e tij ishte monument kulture:  Banesa ime ka qenë një monument kulture, banesë 300-vjeçare por është rrafshuar komplet. Që prej tërmetit unë jetoj në një kasolle që e përdorja për misra.

Banor i fshatit, Baft Myrta: Që nga data kur ra tërmeti, unë bashkë me 3 djemtë e mi 9 vjeç, 8 vjeç dhe 5 vjeç, flemë në kasolle, nuk kemi as çadër.

Së bashku me banorët e fshatit, dëmtime ka pasur edhe familja e Imamit të Xhamisë: Shtëpitë janë prishur komplet dhe për momentin ne flemë jashtë, ju jeni e para kamer që na ka ardhur.

Por në reportazhin e realizuar nga emisioni "Pa Gjurmë" të tjerë banorë rrëfejnë se shtëpitë e tyre janë kthyer tashmë në gërmadhë të pa banueshme.

Fatbardh Hoxha, një tjetër banor ka tentuar të komunikojë edhe me përfaqësuesit e vendosur nga Ministria e Mbrojtjes: Unë e kam marrë disa herë Prefektin e Durrësit, tek numri qe Ministria e Mbrojtjes kishte vënë në dispozicion për të gjithë të prekurit nga tërmeti. Ai nuk ma ka hapur telefonin dhe unë i kam dërguar një mesazh por nuk kam marrë asnjë përgjigje, i kërkova vetëm disa çadra.

"Pa Gjurmë" pas konstatimit të problemeve në fshat, ftoi në studio disa prej banorëve të zonës për t'i  shprehur problematikat e tyre në komunikim të drejtpërdrejtë edhe kryetarit të Bashkisë së Krujës, Z. Artur Bushi.

Ky i fundit reagon në linjë telefonike: Po patjetër me këtë punë po merremi me shpërndarje çadrash. Jemi të angazhuar me të gjithë rrethin. Nuk është e vërtetë që s’ka çadra. Ne kemi stafin dhe tani po bëhen gati 10 çadra, presim kontigjentin tjetër. Duhet pak durim. Ne kemi montuar mbi 600 çadra në të gjithë territorin e bashkisë. Ne po shpërndajmë çadra në të gjithë. Një grup ushtarësh që montojnë këto çadra janë në punë pa ndërprerje. Problemi jo vetëm i këtij fshati, por edhe i të gjithë fshatrave që përfshin kjo bashkë është i barabartë, nuk e nënvlerëson askush problemin e fshatit Rranxë. Aktualisht jemi në pritje të çadrave të tjera. Po merremi me asistencë ndihmash në ushqime dhe veshmbathje. Kemi një numër të madh inxhinierësh në terren. Hap pas hapi pas konstatimit do të merren masa.-përfundon fjalën Bushi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miti: 03/12/2019 21:44

    Fshati x i qytetit y nuk ka asnje kuptim si fjali. Ne rastin konkret eshte fshati Rrenz i Bashkise Kruje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim