SHKUP - Pasi liderët e BE-së nuk morën vendim për hapjen e negociatave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka njoftuar se do të propozojë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar këtë të shtunë, se ishte një gabim historik i Evropës fakti që nuk ju hapën negociatat shtetit që së fundi ka ndërruar edhe emrin si një kërkesë bazë për të marrë dritën jeshille të negociatave. Megjithatë, tha gjatë një mbledhje të qeverisë sot, një ditë pas Samitit të BE-së, se pavarësisht se Maqedonia e Veriut i kreu të gjitha detyrimet e saj, ai merr përgjegjësinë e tij. Të nesërmen, Zaev tha se do t'i propozojë krerëve të partive organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Zaev tha se ky vendim vjen pas konsultimeve që ka marrë, dhe tha se zgjidhja më e mirë për të mos humbur kohë "janë zgjedhjet e parakohshme".

"Para dy dite Brkuseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo  kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha Zaev.

Ai tha se reformat duhet të vazhdojnë dhe se vendi duhet që të vazhdojë me implementimin e marrëveshjeve e sidomos me Greqinë.

“Duhet më shumë të vazhdojmë me reformat pasi që aspiratat tona për BE nuk janë vetëm për tu anëtarësuar ne duhet të sjellim Evropën tek qytetarët. Nëse jemi të mençur do t'iu tregojmë të gjithëve se kështu të demotivuar do të vazhdojmë me reformat. Sepse vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë Evropën. Marrëveshja e Prespës gjithsesi se do të vazhdon me siguri që është bërë për Evropën por që kemi levërdi ekonomike. Marrëveshja duhet të vazhdoje të implementohet", tha Zaev.

I pyetur për qëndrimin skeptik të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për zgjerimin e BE-së, Zaev tha: "Vendi ynë do të bëhet anëtare një ditë dhe këtu  nuk ka dilema".

“Këtu do të bëhet si Evropë këtë duhet ta vazhdojmë, Delegacioni evropian qendrën këtu. Unë e kuptoj dilemat e Francës por 27 shtete ishin pro. Evropa është bërë me qëllime të jetë e fortë. Mbrëmë më janë lajmëruar gati se të gjithë liderët për të na inkurajuar”- tha mes të tjerash Zaev.

Zaev informoi se ai kishte kërkuar një takim me presidentin Francez Emmanuel Macron, por që tentimet kishin përfunduar pa sukses .

“Kam kërkuar takim me presidentin francez Emanuel Makron dhe përmes ambasadorit francez në vendin tonë, Kristian Timonie, për katër muaj – por nuk kishte sukses. Gjithmonë dëshiroj të takohem me presidentin e Francës, një vend i madh, mbi gjitha një mik i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut. Besoj se në të ardhmen do të kemi mundësi për të biseduar “, shtoi Zaev.

Të djelën presidenti Pendarovski ka thirrur në një takim liderët e partive. Në këtë takim, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të hedhë në tryezë propzimin për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Theksoi se fokusi i tij do të jetë për reforma, integrimin euroatlantik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.  Kryeministri Zaev gjatë ditës ka zhvilluar konsultime brenda dhe jashtë shtetit për hapat e ardhshëm, ku ka takuar edhe partnerin e koalicionin, kreun e BDI-së Ali Ahmetin.