Një ditë pas miratimit të marrëveshjes për menaxhimin e Butrintit në Kuvend, Akademia e Shkencave mban diskutimin “Butrinti - Një vështrim akademik mbi vlerat dhe vlerësimin”... Vonesa e këtij debati prej akademikëve justifikohet me faktin, se nuk janë thirrur më herët.

“Nuk dinim gjë, nuk menduam se do ta miratonin kaq herët”, thotë kreu i Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi.

“Nuk e kemi pasur këtë praktikë”, konfirmon zv.kryetari i ASH-së, akademiku Vasil Tole.

Modeli i Fondacionit të Butrintit, si donator kryesor, pa kërkuar menaxhimin e sitit sipas akademikut Vaso Tole, ka qenë një nga modelet më të suksesshme që po e çonte Butrintin në ngritje.

“Kemi një eksperiencë të mirë në menaxhimin e Parkut Arkeologjik  të Butrintit, e cila u krijua në sajë të disa faktorëve dhe aktorëve, në mënyrë të veçantë statusi i UNESCO-s për regjistrimin e Parkut si pasuri botërore, së dyti detyrimet që shteti shqiptar duhet të zbatonte përsa i përket Konventës, duke ngritur struktura siç është rasti i Zyrës së Administrimit që është njësia konkrete në terren, dhe Bordi i Butrintit si njësia e politik bërjes dhe e mbështetjes në kuptimin financiar dhe organizativ të Parkut, kjo e kombinuar me një nga donatorët më ekselent që ka pasur Shqipëria, që është Fondacioni i Butrintit themeluar nga Lord Rothschild, të cilët për vite të të tëra në mënyrë të veçantë pas viteve 2000 kanë qenë partnerët më qendrore të Parkut Arkeologjik të Butrintit, që jo vetëm sollën eksperiencë të re, dhe para në shifra të konsiderueshme, por që provoi që ligjet dhe mekanizmat që kishte krijuar shteti i shqiptarë asokohe, funksionoi! Më kujtohet që në të gjitha investimet dhe mbështetjet financiare që bënte ky Fondacion, nuk ishte anëtar i Bordit të Butrintit, por nënshkruante një marrëveshje ku thoshte qëllimet dhe interesat që për fat të mirë ishin interesa të përbashkëta”, thotë akademiku Tole, ish sekretar i Bordit të Butrinit në vitet 2002-2008.

Por çfarë nuk ka funksionuar në lidhje me menaxhimin e deri tanishëm, që Ministria e Kulturës vendos t’ia besoj menaxhimin një OJF-je, model që aplikohet për të parë në vend?

“Të gjithë indikatorët që mateshin me nivelin dhe sasinë e restaurimeve, të ekspeditave, të përfshirjes së komunitetit, të investimit infrastrukturor, nivelin e të ardhurave dhe numrit të turizmit. Bordi në atë kohë parashikonte politika stimuluese për biletat, sepse qëllimi nuk ishte fitimi, qëllimi ishte thithja e turistëve, dhe mbledhja e disa të ardhurave që do përdoreshin po për Parkun. Janë të gjitha në ngritje! Dhe vetë fakti që kur është filluar kjo punë në vitet 2000 ishte rreth 10-15 mijë turistë në vit, sot bëhet fjalë për dhjetëra-mijëra turistë dhe miliona euro të ardhura në arkën e Butrintit. Nuk di që kjo praktikë në tërësinë e vet të mos ketë funksionuar, përkundrazi!”, shton më tej Tole.

Përqendrimi i marrëveshjes mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për menaxhimin e Butrintit, në veprimtari ekonomike, aspekte si tarifat e biletave etj, s’do t’i pengojë institucionet shkencore të kujdesen për pasurinë kombëtare, thotë Gjinushi, bazuar në Ligjin e vjetër për Trashëgiminë, por akademiku Apollon Baçe i kujton se ky ligj është ndryshuar prej vitit 2018, kur u financua nga AADF, është i ndryshuar.

Akademiku Neritan Ceka sjell në vëmendje se si arkeologu britanik Richard Hodges, në shkrimet e tij flet me nënçmim ndaj arkeologëve vendas, sipas tij të indoktrinuar me ideologjinë Hoxhiste. Ndërsa Baçe ia lë Hodges, edhe përgjegjësinë për faktin që në faqen e UNESCO-s, Butrinti thuhet se ka qenë siti i një kolonie greke...

“Edhe në faqen e UNESCO-s, ky ka qenë që e ka bërë këtë, bashkë me ish shefin e tij. Pra vjen e të bën historinë e vendit tënd. Përmendet Korfuzi si Koloni 260 herë si koloni, përmendet Apolonia, Butrinti nuk përmendet vetëm njëherë si qytet kaon, këtu kemi të bëjmë me deformim të shoqërisë. Por e thotë Orwell, “ajo që kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”. Si iku Çamëria, ja me argumentin arkeologjik”, thotë më tej arkeologu Apollon Baçe.

I pranishëm në diskutim ishte edhe akademiku Luan Përzhita, i cili ashtu si edhe specialistët e tjerë konfirmoi se nuk është pyetur lidhur me këtë marrëveshje. E megjithatë, sipas Tares, fakti që nuk janë pyetur, s’mund ti zhveshë akademikët e institucionet që ata përfaqësojnë nga përgjegjësia.

“Ajo që po bëhet sot në Butrint është mohimi i punës që ju keni bërë. Në planin e menaxhimit është bërë nga një grup anglezësh pa asnjë profesor shqiptar. Plani i menaxhimit fillon nga Hodges e këtej. Thelbi është ky, shikoni CV-në e Hodges, që thotë se Fondacioni i Butrintit dhe Hodges kanë themeluar Parkun Kombëtar të Butrintit. Dhe kjo kur të vdesim ne të gjithë do vazhdojë. Pra të gjitha këto do rishkruhen nga fillimi. Pra, nuk është çështja se AADF do të bëjë një bar a restorant, por fakti i marrjes nën kontroll të territorit shqiptar. 5 anëtarët e bordit janë ‘qeveria’ e Butrintit. Lexoni marrëveshjen e Butrintit, ku shkruhet se standardi i gërmimeve do të jetë ai i vendosur në 93-shin. Pra, profesor Luani, nuk ke më standard, nuk jeni më ju! S’jeni më ju! Do të jetë Richard Hodges. Lexoni marrëveshjen, pas miratimit do të shkojnë në kadastër të regjistrojnë pronën në kadastër! Dhe e gjitha kjo të nderuar profesorë jua ndalon Konventa e Parisit e 1972, dhe ju tani i bini vërdallë.. Keni emër profesor pse i lejoni? Sot Giora Solar, i ka çuar letër UNESCO-s ku i thotë se kjo që po ndodh në Shqipëri s’ka precedent! Dje është dorëzuar territori, ju e dini se Butrinti është histori, do ju ngelet emri në histori që dorëzuat Butrintin!”, thotë Tare.