TIRANË- Numërimi i votave brenda territorit shqiptar, e ka nxjerrë Partinë Socialiste fituese të 83 mandateve. Shqiptarët në shumicë dërrmuese i dhanë besimin kryeministrit Edi Rama për të udhëhequr Shqipërinë edhe në një mandat të katërt, duke i dhënë atij në fitore të jashtëzakonshme, ndërsa PD me aleatët, jo vetëm që kanë humbur thellë, por Sali Berisha fundosi përfundimisht opozitën i mbetur deri më tani me 50 mandate nga 63 në total në 2021. Tashmë po numërohet vetëm vota e diasporës, ku ndikimi mund të jetë minimal dhe po numërohen edhe votat preferenciale të kandidatëve.

PS ka marrë deri tani mbi 812 mijë vota, me mbi 53.3%, ndërsa PD e Berishës me mbi 522 mijë, ose 34,2%. PSD e Tom Doshit merr 3 mandatet si në 2021-shin me 3.3%. Nga 1 mandat marrin Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3.8% të votave dhe Lëvizja Bashkë me 1.5% të votave. Partitë e tjera të vogla nuk arrijnë të marrin asnjë mandat, ndërsa Agron Shehaj i partisë Mundësia ka arritur që të sigurojë 2 mandate në Tiranë.

Partia Socialiste ka marrë një fitore të thellë dhe rritje në të gjithë vendin, madje edhe në bastionet e djathta, ku në Dibër përmbysi rezultatin në favor të saj.

Tirana, qarku më i madh me 37 mandate, ndahet kështu: 19 mandate për PS e cila merr 1 më shumë se në 2021. PD ka pësuar një rënie drastike në kryeqytet, duke rënë në 13 mandate deputetësh nga 17 që kishte në 2021. 4 mandatet që i ikin Berishës dhe aleatëve i shkojnë 2 Shehajt, i cili u nda nga sigla e PD, 1 e merr Arlind Qori dhe 1 Adriatik Lapaj.

PS ka arritur një fitore spektakolare në qarkun e Fierit, me 12 mandate, 3 më shumë se në vitin 2021. Ndërsa PD-ASHM ngel me 4 mandate. Edhe në Elbasan diferenca mes PS dhe PD-ASHM ka qenë e thellë. PS merr 10 mandate, një rritje me 2 mandate, ndërsa PD ngel me 4 mandate në total në këtë qark.

Dibra ishte surpriza e PS me përmbysje rezultati, 3 me 2 në favor të saj. Në Vlorë, Partia Socialiste u rrit në 9 mandate, një mandat iu ‘dhuroi’ diaspora, ndërsa PD deri më tani ka mbetur me 3 mandate me një rënie drastike. Lezha ka mbetur me të njëjtin rezultat si në 2021, por PD-ASHM ka pësuar një rënie drastike në veri me 14%, edhe pse ruan 4 mandatet, ndërsa PS me 3 mandate.

Socialistët kanë pësuar rritje edhe në Shkodër, me një mandat plus, duke shkuar nga 3 në 4. Berisha zbret edhe në bastionin e së djathtës me 13% dhe zbret në 5 mandate. PSD e Tom Doshit ruan 2 mandatet.

Edhe në Qarkun e Korçës socialistët mbajtën 6 mandatet që morën në vitin 2021, edhe pse këtë vit Korça çonte 10 deputetë në Kuvend, dhe jo 11 siç para 4 vitesh. Mandatin e 11 e humbi PD-ASHM, pasi rënia në përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 është rreth 14%.

As në Durrës nuk ka patur ndryshim mandatesh, PS ruan 8 deputetë, por me rritje, ndërkohë PD-ASHM ka 6 mandate. Të njëjtat mandate ruajnë edhe në Kukës, 3 me 1, për PD-ASHM, por edhe në këtë qark Berisha ka pasur rënie drastike. PS merr në Berat 5 mandate dhe 2 PD-ASHM.  

TË DHËNAT E KQZ
• Numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962.
• Kanë votuar 1.458.251 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%.
• Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.

Kliko këtu për të lexuar përditësimin e rezultateve në kohë reale dhe votat e kandidatëve

Ndiqni më poshtë rezultatet në 12 qarqe

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:37
Qarku Vlorë/ Diaspora përcaktuese, i jep PS mandatin e 9-të! PD zbret në 3

Ka ndryshuar rezultati në Qarkun e Vlorës. PS i merr PD një mandat në Vlorë, dhe shkon në total në 9. Ndërkohë, PD zbret në 3 mandate. Ndryshimi vjen nga vota e diasporës, pasi numërimi i 449 qendrat e votimit të qarkut Vlorës është mbyllur.

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: 4,905 vota (5.41%)
Partia Mundësia: 4,539 vota (5.01%)
Partia Socialdemokrate (PSD): 1,392 vota (1.54%)
Lëvizja Bashkë: 990 vota (1.09%)
Partia Koalicioni Euroatlantik: 707 vota (0.78%)
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 229 vota (0.25%)
Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 313 vota (0.35%)
Lëvizja Atdheu: 105 vota (0.12%)
Partia Aleanca Demokracia e Re: 107 vota (0.12%)

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Vlorës

Ora 19:26
Mbyllet edhe Tirana/ PS thellon epërsinë, 19 mandate dhe mbi 56 mijë vota diferencë! Berisha bie në 13 deputetë, Shehaj i merr një mandat PD

Në qarkun e Tiranës janë numëruar të 1282 kutitë e qendrave të votimit sipas KQZ-së dhe procesi për partitë konsiderohet i mbyllur, teksa vijon për diasporën dhe votat preferenciale për kandidatët.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ, PS kryeson bindshëm me mbi 207 mijë vota, ose 48,02%, (mbi 56 mijë vota diferencë) duke mbajtur epërsinë në kryeqytet. Në vend të dytë renditet koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) me mbi 150 mijë vota, që përfaqësojnë 34.88% të votave.

Sipas projeksioneve, Berisha merr 13 mandate në Tiranë, duke humbur 4 mandate krahasuar me 2021. Agron Shehaj ka marrë 2 mandate në Tiranë, ku një prej tyre sapo ia ka marrë PD-së. 

Përtej këtij rezultati, shihet se PD ka pësuar një rënie në përqindje me 10.4% në krahasim me 2021. Ndërkohë, subjektet e tjera kanë marrë më pak se 2% të votave secila.

Më tej renditen:

Partia Mundësia 5% e votave

Partia Socialdemokrate 3.37%

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet 3.08%

Lëvizja Bashkë 2.7%

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Tiranës

Ora 12:57
Qarku Shkodër/ PS i merr një mandat Berishës, PD forcë e parë, por pëson rënie 13.4% në bastionin e tij

Mbyllet procesi i numërimit të votave edhe në qarkun e Shkodrës. Forcë e parë ka dalë PD me 40.01% të votave (36,904 vota), ndjekur nga PS me 37.64% të votave (34,721 vota). Në këto zgjedhje, diferenca e demokratëve me socialistët është ngushtuar ndjeshëm, duke marrë parasysh faktin se ky qark konsiderohet si një bastion i fortë i tyre. 

Nga rezultati i vitit 2021, PD ka pësuar një rënie me 13.4%. PS siguron 4 mandate, duke i marrë një PD-së nga 6 që kishin demokratët në zgjedhjet e kaluara. Shkodra mbetet një terren i fortë për opozitën, por rezultati tregon një garë të fortë dhe të ngushtë me PS-në. 

Ndërkohë, PSD konfirmon tendencën në rritje edhe në këtë qark. Partia e Tom Doshit ka marrë 17.11% të votave (15,784 vota), një rritje e ndjeshme që e bën forcën e tretë politike në qark me dy mandate. Sakaq, pritet edhe rezultati i diasporës. 

Të gjitha forcat e tjera kanë marrë më pak se 2% të votave:

Koalicioni Euroatlantik (KEA) – 1.79%
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – 1.49%
Partia Mundësia – 1.17%
Lëvizja Bashkë – 0.50%
Koalicioni Djathtas për Zhvillim – 0.11%
Lëvizja Atdheu, AKSH, ADR – më pak se 0.1% secila


 

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Shkodrës

Ora 12:42
Qarku Elbasan/ PS shënon rezultat të thellë, siguron 10 mandate! 2 ia merr PD-së që shënon rënie, pritet vota e diasporës

Përfundon procesi i numërimit të votave edhe në qarkun e Elbasanit, ku PS shënon një fitore të thellë me  60.48% të votave (79,799 vota), një rezultat që e konsolidon Elbasanin si një ndër bastionet më të forta të mazhorancës në këto zgjedhje. PS siguron 10 mandate, dy më shumë nga viti 2021.

Koalicioni PD-ASHM renditet në vend të dytë me 29.49% (38,905 vota), një diferencë e thellë prej mbi 30 pikësh përqindje me PS-në. PD ka shënuar një rënie prej 12.5% nga viti 2021. Ka humbur gjithashtu edhe 2 mandate nga 6 që kishte katër vite më parë. 

Sa i përket forcave të tjera, kanë marrë rezultate modeste dhe nuk arrijnë që të sigurojnë mandat në këtë qark. 

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – 3.45% (4,552 vota)
Partia Mundësia – 2.09% (2,761 vota)
Partia Koalicioni Euroatlantik – 1.69% (2,234 vota)
Partia Socialdemokrate (PSD) – 1.32% (1,741 vota)
Lëvizja Bashkë – 0.88% (1,157 vota)
Koalicioni Djathtas për Zhvillim – 0.27%
Lëvizja Atdheu, Aleanca Demokratike e Re dhe Aleanca Kombëtare Shqiptare kanë marrë më pak se 0.2% secila.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Elbasan

Ora 10:14
Qarku i Korçës/ PS rritje me 5.6% dhe merr 6 mandate, PD rënie me 13.9%! Pritet vota e diasporës

Numërimi i votave në të gjitha 422 qendrat e votimit në qarkun e Korçës është përmbyllur dhe ka prodhuar një tjetër rezultat bindës për Partinë Socialiste, e cila ka thelluar avantazhin ndaj opozitës krahasuar me zgjedhjet e kaluara të vitit 2021.

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) ka marrë 57,213 vota ose 54.33%, duke fituar 6 mandate. Ky rezultat përfaqëson një rritje prej 5.6% në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur PS kishte marrë 48.8% dhe po 6 mandate.

Koalicioni i Sali Berishës ka marrë 36,405 vota ose 34.57%, duke fituar 4 mandate. Opozita ka pësuar një humbje të theksuar prej 13.9% krahasuar me rezultatin e vitit 2021, kur kishte siguruar 48.3% dhe 5 mandate. Këtë vit, qarku i Korçës prodhon 10 mandate, në ndryshim nga 2021 kur kishte 11 mandate. Pritet të numërohet edhe vota e diasporës. 

Të dhënat për partitë e tjera në Korçë janë si më poshtë:

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: 4,520 vota (4.29%)

Partia Mundësia: 2,247 vota (2.13%)

Partia Socialdemokrate: 2,518 vota (2.39%)

Lëvizja Bashkë: 819 vota (0.78%)

Partia Koalicioni Euroatlantik: 1,036 vota (0.98%)

Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 206 vota (0.20%)

Partia Aleanca Demokracia e Re: 72 vota (0.07%)

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 151 vota (0.14%)

Lëvizja Atdheu: 122 vota (0.12%)

 

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Korçës

Ora 10:02
Qarkun i Gjirokastrës/ PS ruan 3 mandatet, por rritet me 8%! PD rënie të thellë me 14%

 

Ka përfunduar numërimi në qarkun e Gjirokastrës. Rezultatet konfirmojnë një fitore të thellë të Partisë Socialiste, që jo vetëm ka ruajtur tre mandatet, por ka shtuar ndjeshëm avantazhin në përqindje krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Partia Socialiste ka marrë 24,457 vota ose 62.23%, duke fituar 3 mandate. PS shënon një rritje të ndjeshme prej 8.3% nga viti 2021, kur rezultati i saj ishte 53.9%.

Koalicioni Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 11,596 vota ose 29.51%, duke ruajtur vetëm 1 mandat. Por krahasuar me vitin 2021, PD-ASHM ka humbur 14.2% të mbështetjes (nga 43.6% në 2021). Pritet të numërohet edhe vota e diasporës. 

Të dhënat për partitë e tjera janë:

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: 1,233 vota (3.14%)

Partia Mundësia: 578 vota (1.47%)

Partia Socialdemokrate: 408 vota (1.04%)

Lëvizja Bashkë: 496 vota (1.26%)

Partia Koalicioni Euroatlantik: 198 vota (0.50%)

Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 194 vota (0.49%)

Partia Aleanca Demokracia e Re: 34 vota (0.09%)

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 63 vota (0.16%)

Lëvizja Atdheu: 43 vota (0.11%)

Asnjë nga këto parti nuk arriti të sigurojë mandat.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në për qarkun e Gjirokastrës

Ora 09:53
Qarku i Dibrës/ PS fitore të thellë dhe i rrëmben PD një mandat! Berisha rënie me 14.4%, ngel me 2 deputetë

Procesi i numërimit në qarkun Dibër është përmbyllur. PS ka marrë fitore të thellë në këtë qark dhe një rritje me 11.6% krahasuar me zgjedhjet e 2021. Kështu, PS përmbysi rezultatin dhe merr 3 mandate me 32,816 vota. Rritje me 11.6% krahasuar me 2021 kur kishte marrë 44.8% dhe vetëm 2 mandate.

PD-ASHM ka pësuar një rënie të fortë, duke humbur 1 mandat dhe plot 14.4% të votave të saj të katër viteve më parë. Koalicioni i Berishës mori 22,078 vota ose 37.9% që i përkthehet në 2 mandate, me një humbje të theksuar prej 14.4% krahasuar me 2021 kur mori 52.2% të votave dhe 3 mandate. Partitë e tjera nuk kanë marrë asnjë mandat. Pritet të numërohet edhe vota e diasporës. 

Të dhënat për partitë e tjera në Dibër janë si më poshtë:

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: 715 vota (1.2%)

Partia Mundësia: 331 vota (0.6%)

Partia Socialdemokrate: 1,319 vota (2.3%)

Lëvizja Bashkë: 244 vota (0.4%)

Partia Koalicioni Euroatlantik: 630 vota (1.1%)

Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 17 vota (0.0%)

Partia Aleanca Demokracia e Re: 23 vota (0.0%)

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 39 vota (0.1%)

Lëvizja Atdheu: 50 vota (0.1%)

Kliko këtu për të lexuar rezultatet për qarkun e Dibrës

Ora 09:46
Qarku i Lezhës/ Kryeson PD, por pëson rënie me 14%! PS merr 3! Diaspora përcaktuese për shpërndarjen e mandateve

Ka përfunduar numërimi i votave në katër Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve të të qarkut Lezhë. Sipas rezultateve përfundimtare, Partia Demokratike ka dalë forcë e parë, duke siguruar 29,484 vota ose 45.13%, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 27,585 vota ose 42.23% me një diferencë prej 1899 votash në favor të opozitës.

Në bazë të këtyre rezultateve paraprake, Partia Demokratike arrin të sigurojë 4 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste merr 3 mandate në këtë qark. Megjithatë, mbetet ende për t’u përfunduar numërimi i votës së diasporës, e cila mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

Sa i përket partive më të vogla, koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" ka marrë 3,614 vota ose 5.53%, ndërsa koalicioni "Euroatlantik" ka marrë 1,594 vota ose 2.44%, por asnjë asnjë prej këtyre subjekteve nuk ka arritur të sigurojë mandate në këtë fazë të numërimit.

Zhvillimet e mëtejshme do të varen nga numërimi i votave të ardhura nga emigracioni, të cilat mbeten një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e bilancit përfundimtar të mandateve në këtë qark i cili prodhon 7 të tillë. Ndërkohë pasditen e kësaj të martë, pritet të nisë numërimi i votave preferenciale të kandidateve në liste të hapur, të cilat do të përcaktojnë 3 deputetet që do të sigurojnë mandatin.

Nga të dhënat e deritanishme, në votat e diasporës në qarkun Lezhë kryeson PS me 1 375 vota, kundrejt 1018 që ka PD.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për Lezhën

Ora 09:41
Qarku i Beratit/ PS merr 5 mandatet! PD rënie me 12%, por ruan 2 deputetët

Zgjedhjet parlamentare të 2025 në qarkun Berat u mbyllën me një fitore të thellë të Partisë Socialiste, e cila jo vetëm ruajti, por edhe konsolidoi dominimin në këtë bastion tradicional të majtë. Numërimi u përmbyll në të gjitha 275 qendrat e votimit. Partia Socialiste e Shqipërisë mori 38,860 vota ose 58.1%, duke siguruar sërish 5 mandate dhe duke shënuar një rritje prej 2.2% nga rezultati i vitit 2021 kur kishte marrë 56%.

Koalicioni i Berishës dhe aleatëve shënoi rënie edhe në qarkun e Elbasanit. Nga 42% në vitin 2021, PD zbriti në 29.8%, duke humbur 12.2% të mbështetjes, megjithëse mbajti 2 mandate. Pritet të numërohet edhe vota e diasporës. 

Të dhënat e partive të tjera në Berat janë si më poshtë:

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet: 4,831 vota (7.2%)

Partia Mundësia: 1,449 vota (2.2%)

Partia Socialdemokrate: 254 vota (0.4%)

Lëvizja Bashkë: 763 vota (1.1%)

Partia Koalicioni Euroatlantik: 419 vota (0.6%)

Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 46 vota (0.1%)

Partia Aleanca Demokracia e Re: 66 vota (0.1%)

Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 138 vota (0.2%)

Lëvizja Atdheu: 124 vota (0.2%)

Asnjë nga këto forca nuk arriti të fitojë mandat deputeti në këtë qark.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet për qarkun Berat

Ora 08:45
Mbyllet numërimi, PS mban ‘fronin’ në qarkun e Fierit, i merr tre mandate PD-së! Diferenca rreth 58 mijë vota! pritet vota e diasporës

Në Fier janë numëruar 587 kutitë në total, duke shkaktuar emocione gëzimi tek socialistët që shpërthyen në festë dhe dhimbje e dëshpërim në kampin blu, ku nuk munguan edhe lotët.

Diferenca është thelluar me rreth 58 mijë vota në favor të së majtës.

PS kryeson bindshëm në këtë qark, dhe sipas të dhënave të fundit, ka marrë 97003 vota, ose 62.80%, duke shënuar një diferencë të thellë me koalicionin e Sali Berishës. Në këto ritme, socialistët sigurojnë 12 mandate, duke i marrë 3 PD-së nga zgjedhjet e 2021, teksa presin rezultate më të thella edhe nga vota e diasporës. 

PD-ASHM ka marrë deri më tani 39 314 vota, 25.45%, që do të përkthehej në 4 mandate nga 7 që kishte 4 vite më parë.

E treta renditet Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e Lapajt me 4.54% të votave, ndjekur nga partia Mundësia e Shehajt me 2.5%, PSD e Tom Doshit me 1.55%, Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit me 1,08% të votave.

Deri më tani 0.9% të votave ka marrë koalicioni Djathtas për Zhvillim. 0.7% ka marrë koalicioni i Lulzim Bashës. 

Ndërkohë sipas të dhënave të fundit, ka përfunduar numërimi në Lushnje. Sipas rezultatave, PS ka triumfuar me 26 740 vota, kundrejt PD-së që ka marrë 10 614. Nisma Shqipëria bëhet ka marrë 1940, Mundësia e Agron Shehajt 905 ndërsa të pavlefshme janë shpallur 1582 fletë votimi.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Fierit

Ora 08:10
Durrësi i jep fund numërimit, PS kryeson me mbi 52% të votave, mandatet ndahen 8 me 6! PD në rënie, diferenca 17 mijë vota

Në Durrës ka përfunduar numërimi i votave në 493 kutitë që ka qarku në total. PS fiton 8 mandate dhe PD 6 të tjerat, por me rënie të ndjeshme përqindjeje. Pritet të numërohen edhe 15 mijë votat e ardhura nga diaspora, por rezultati përfundimtar duket i 'salduar'.

PS vazhdon epërsinë e saj me mbi 17 mijë vota diferencë nga koalicioni i Sali Berishës. PS ka deri më tani mbi 70 mijë vota, ose mbi 52% të totalit dhe duke ruajtur 8 mandatet e vitit 2021. Mbi 53 mijë ka marrë PD-ASHM ose mbi 39%, që përkthehet në 6 mandate. Në raport me rezultatin e vitit 2021, PD ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 9%. 

Në bashkinë Shijak numërimi është mbyllur që në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku PS triumfoi me 2000 vota më shumë nga PD. 

Partitë e tjera në garë nuk kanë arritur të sigurojnë mandate. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 2.43% të votave, Partia Mundësia 2.62%, Lëvizja Bashkë 1.2%, Partia Koalicioni Euroatlantik 0.9%, Koalicioni Djathtas për Zhvillim 0.7%, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare 0.2%, Partia Socialdemokrate 0.2%, Lëvizja Atdheu 0.3%.

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Durrës

Ora 12:36
Qarku Kukës/ PD merr 2 mandate, por bie me 9% në votë popullore! PS merr 1 mandat, PSD e Tom Doshit mbi 14%! Pritet vota e diasporës

Është mbyllur procesi i numërimit të votave në qarkun Kukës për zgjedhjet parlamentare 2025, ku rezultati përfundimtar konfirmon koalicionin PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me 18 934 vota. PD ruan dy mandatet, por ka shënuar një rënie prej 9.3% pikë në këtë qark që konsiderohet bastioni i demokratëve. Në vitin 2021, PD kishte 62.8% të votave. 

Ndërkohë, PS është forcë e dytë me 30.68% të votave (10,970 vota) dhe mban mandatin e 2021-it. Partia Socialdemokrate (PSD) ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke arritur në 14.15% të votave (5,061 vota), krahasuar me vetëm 0.5% që kishte në 2021. PSD nuk ka siguruar mandat, por është renditur forcë e tretë në Kukës.

Partitë e tjera nuk kanë arritur të fitojnë mandate, me përqindje të vogla që variojnë nga 0.1% deri në 0.8%, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë hyrë për herë të parë në këtë garë, pa të dhëna krahasuese nga viti 2021.Pjesa tjetër e partive ka marrë përqindje të ulëta dhe nuk kanë fituar mandate.

Ndërkohë pritet edhe vota e diasporës. 

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet – 0.63%
Partia Mundësia – 0.67%
Lëvizja Bashkë – 0.30%
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare – 0.13%
Koalicioni Euroatlantik – 0.25%
Koalicioni Djathtas për Zhvillim – 0.11%
Lëvizja Atdheu – 0.12%
Partia Aleanca Demokratike e Re – 0.01%

Kliko këtu për të lexuar rezultatet në kohë reale për qarkun e Kukësit