Pavarësisht masave emergjente kufizuese të marra për parandalimin e COVID-19, qytetarët shqiptarë ende shfaqen të pandergjegjësuar. Këtë mëngjes, në Tiranë dhe disa qytete, rrugët ishin të mbushura me njerëz dhe automjete. Një situatë që të ofron panoramën e një dite të zakonshme. Dje u vendos që edhe këmbësorët që dalin nga shtëpia pas orës 18:00 të gjobiten me 10 mijë lekë dhe nëse kanë automjet, i bllokohet për 3 muaj. Ndërkohë kush ka ardhur nga zonat e kuqe dhe shihet jashtë shtëpisë, pra që ka thyer vetëkarantinimin, gjobitet me 700 mijë lekë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:14
Policia bën bilancin, 104 gjoba për shoferët, Fieri në vendin e parë për shkeljet, Kukësi shembull

Në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë gjobitur 104 drejtues makinash që kanë qarkulluar në shkelje, pa autorizim, 74 leje drejtimi (patenta) janë pezulluar, ndërsa 11 makina janë bllokuar.

Në të gjithë vendin-104 gjoba dhe janë pezulluar 74 leje drejtimi, 11 makina janë bllokuar
Lezhë-6 gjoba dhe 6 pezullim leje drejtimi
Korçë-2 pezullim leje drejtimi, 2 të bllokuara
Dibër-4 pezullim leje drejtimi, 4 të bllokuara
Vlora-6 gjoba dhe 6 pezullim leje drejtimi
Elbasani-11 gjoba dhe 11 pezullim leje drejtimi
Tiranë-23 gjoba, 22 pezullim leje drejtimi
Kukësi-asnjë masë
Shkodër-1 pezullim leje drejtimi, 1 e bllokuar
Fieri-40 gjoba
Berati-5 gjoba, 5 pezullim leje drejtimi
Durrësi-10 gjoba, 10 pezullim leje drejtimi
Gjirokastër-4 pezullim leje drejtimi, 4 të bllokuara
Saranda-2 gjoba, 2 pezullim leje drejtimi
Kavaja-1 gjobë, një pezullim leje drejtimi

Ora 13:35
Moti i mirë 'tundon' kuksianët...sot më shumë se asnjë ditë tjetër 'mbushen' rrugët (VIDEO)

Në ditën e pestë të karantinës, prezenca e qytetarëve në Kukës këtë të marte gjatë paradites ka qenë më i lartë krahasuar me ditët e tjera,  kjo edhe për shkak edhe të motit të mirë. Në rrugë e trotuare ka patur lëvizje të cilat u rralluan pas dreke. Ndryshe nga ditët e para, ndërgjegjësimi i qytetarëve për t'u mbrojtur nga coronavirusi po zbehet gjithnjë e më shumë. Ashtu si një ditë më parë nuk respektuan orën 18:00 për të hyrë në banesë sërish kuksianët nuk kanë frikë jo vetëm nga COVID-19, por as nga gjobat e qeverisë. Në Kukës, ende nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar ndërkohë që lëvizja në qytet po bëhet me mjetet e autorizuara. Ditën e sotme në Kukës, administrata doli në punë me staf të reduktuar, teksa policia vazhdoi kontrollet për automjetet që qarkullojnë pa autorizimin përkatës. Kukësi ka qenë një qytet model, por moti i mirë ka bërë që shumë nga qytetarët të dalin në rrugë. 

Ora 12:38
Doli nga shtëpia pas orës 18:00, gjobitet këmbësori në Vlorë...100 mijë lekë gjobë edhe pronarëve të tre lokaleve

Gjobitet këmbësori i parë i cili ka dalë nga shtëpia edhe pas orës 18:00, duke thyer urdhrin. Bëhet fjalë një 38-vjeçarin G.K., është gjobitur me 10 000 lekë.

Ndërkohë, tre pronarë biznesesh janë gjobitur pasi kanë vijuar që të mbajnë hapur lokalin e tyre, pavarësisht se me urdhër të qeverisë është ndaluar kategorikisht, pasi janë shkak të grumbullime njerëzish.

"Lokali nën administrimin e shtetasit E.F., 54 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe” në lagjen “1 Maji” Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë. Lokali nën administrimin e shtetasit R.S., 56 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe” në lagjen "24 Maji”, Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë. Lokali nën administrimin e shtetasit J.S., 33 vjeç, me emërtimin “Bar-kafe” në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ka marrë masë administrative 100 000 lekë", njofton policia.

Ora 12:27
245 shoferë u hiqet për 3 vite patenta se lëvizin në makinë pa autorizim! 3 të tjerë në Durrës, Cërrik dhe Dibër arrestohen

245 shoferë kanë lëvizur me makinë pa marrë një autorizim, e për pasojë janë ndëshkuar me 3 vjet heqje patente. Ky bilanc është për 24 orët e fundit, e ndërsa në Cërrik, Fier dhe Dibër shkelja ka qenë e dyfishtë.

Më konkretisht, në Cërrik një 40- vjeçar u kap duket drejtuar makinën në gjendje të dehur dhe mbi të gjitha ka kundështruar me forcë policinë Për pasojë ai është arrestuar, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale ”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik" dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. E njëjta panoramë është paraqitur edhe në Fier, ku një 29 vjeç me inicialet A. A., po drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Ndërsa në Dibër, është ndaluar një 23-vjeçar u kap duke drejtuar furgonin pa dokumentacion dhe pa patentë.

Ora 12:10
Banderola që të mbush me optimizëm në hyrje të urgjencës në Lushnje...gjesti domethënës i mjekëve (VIDEO)

Kushdo që do të shkojë në urgjencën e spitalit të Lushnjes, do të përballet me një banderolë gjigante shprese dhe optimizmi, të vendosur nga mjekët. "Bashkë do ia dalim" është mesazhi i bluzave të bardha që sot janë shndërruar në heronjtë të gjithësecilit në një kohë kur koronavirusi ka "pushtuar" Shqipërinë.  Lushnja ka qenë një qytet shumë i bindur ndaj rregullave, të cilët janë mbyllur në shtëpi, për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Policia dhe ushtria janë në terren, ku po bën kontrolle në funksion e të zbatimit të këtyre urdhrave.

1584443524_lushnjee.jpg

Ora 11:29
Shkodranët nuk i tremben COVID-19 dhe gjobave të qeverisë, lëvizje njëlloj si në ditët e tjera (VIDEO)

Shkodra është zgjuar njëlloj si ditët e tjera edhe këtë të martë. Në rrugët e saj dallohen njerëz të të gjitha moshave ku nuk mungon frekuentimi i lulishteve dhe këndeve të gjelbërta.

Ashtu si një ditë më parë nuk respektuan orën 18:00 për të hyrë në banesë sërish shkodranët nuk kanë frikë jo vetëm nga COVID-19 por as nga gjobat e qeverisë.  Në Shkodër ende nuk kemi asnjë rast të dyshuar ndërkohë që lëvizja në qytet po bëhet me mjetet e autorizuara.

Ora 11:07
Zona turistike e Krujës e boshatisur, tur virtual në qytetin historik për ditët e vetëizolimit në shtëpi (VIDEO)

Me përhapjen e shpejtë të koronavirusit në të gjithë Evropën, njerëzit kanë ndalur ritmin e tyre, kanë anuluar planet e tyre të udhëtimit, e shumë janë mbyllur në shtëpi që ky virus të mos përhapet. Në shekullin XXI, kjo mungesë lëvizjeje është e barabartë me një mungesë lirie veprimi, sidomos në ditët e sotme kur destinacionet tona të dëshiruara janë një avion larg.

Për fat të mirë, bota virtuale është në anën tonë, pasi ka shumë gjëra që ende mund t’i eksplorojmë nga shtëpia dhe mund të zhytemi plotësisht në ato qytete që mezi presim t’i vizitojmë. Për shembull, Kruja, qyteti i vogël, por plotë me histori ju mundëson turin virtual, ku mund të sodisni historinë dhe bukuritë e tij.

Kruja është epiqendra e kombit shqiptar,ku Gjergj Kastriot Skënderbeu, mbrojti vendin nga pushtimi otoman. Muzeu Kombëtar, kushtuar heroit dhe i vendosur brenda Kalasë së famshme të Krujës, është muzeu më i vizituar në Shqipëri. Muzeu Etnografik, i cili tregon mënyrën tradicionale të jetësës është një shtëpi e vërtetë e traditës së kësaj zone.

Në këtë tur virtual nuk mund të lini pa soditur edhe pazarin e Krujës, pjesë e qytetërimit dhe traditave të hershme shqiptare. Mund të duket e çuditshme të vizitosh pazarin e famshëm të qytetit pa qenë në gjendje të blini një suvenir ose dy, por është e sigurt që do ta shijoni këtë shëtitje viruale.

Ndërkohë qytetarë të ndryshëm vijojnë të mos ndërgjegjësohen e të sillen kot nëpër qytet. Në Krujë, zona turistike është e boshatisur komplet, kursenë qytet ka pak lëvizje,jo aq sa në vendet e tjera. Kurse policia ka vënë postblloqe në akset kryesore të vendit dhe pop ndëshkohen me marrjen e patentave të personave që qarkullojnë pa autorizim.

Ora 10:49
Lezha 'zbeh' ndërgjëgjësimin, në mungesë të makinave qytetari ngarkon gomarin me miell (VIDEO)

Në ditën e pestë të karantinës, prezenca e qytetarëve në Lezhë ka qenë më e lartë. Në rrugë e trotuare ka patur lëvizje të shumta, përfshire dhe të moshuar. Ndryshe nga ditët e para, ndërgjegjësimi i qytetarëve për t'u mbrojtur nga coronavirusi po zbehet gjithnjë e më shumë. Përballë kësaj situate kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka bërë thirrje për zbatim të rregullave të përcaktuara, ndërsa tha se janë në monitorim të gjithë prrsonat që kanë ardhur nga jashtë gjatë javeve të fundit.

Rrugët dhe ambientet publike në Lezhë po dezinfektohen çdo ditë nga Bashkia si masë parandaluese ndaj COVID-19, ndërsa makinë lëvizëze me megafon lëviz nëpër qytet duke iu bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat e përcaktuara.  Në mungesë të qarkullimit me automjete qytetarët në Lezhë kanë nisur të përdorin kafshët, siç është një zotëri që ka marrë gomarin dhe e ka ngarkuar me thasë me miell.

Ora 10:49
Edhe Berati jashtë karantine (VIDEO)

Ditën e sotme në Berat administrata doli në punë me staf të reduktuar. Policia vazhdon kontrollet për automjetet që qarkullojnë pa autorizimin perkatës. Situata në Berat është e qetë por ka filluar levizja e këmbësorëve.

Ora 09:32
Ka të prekur me COVID-19, por qyteti i Fierit ende i pabindur për t'u vetëkarantinuar (VIDEO)

Edhe pse është në hartën e personave të prekur me COVID-19, në qytetin e Fierit ndërgjegjësimi nuk është arritur në masën e duhur. Pavarësiasht kufizimeve për të qarkulluar me makina dhe për të shmangur daljet e panevojshme nga shtëpia, rrugët këtë mëngjes ishin me lëvizje trë shumta qytetarësh. Efektivët e policisë dhe të ushtrisë në terren shmangin grumbullimet e njerëzve, ndërsa kontrollohen edhe për ata persona që mund të kenë qenë në zonat e kuqe të prekura nga koronavirusi, dhe që thyejnë vetëkarantimin duke dalë në rrugë. 

Ora 09:28
'Pallati me Shigjeta' - Makina, biçikleta e këmbësorë...Qarkullim automjetesh edhe pas orës 08:00 (VIDEO)

Në zonën e Pallatit me Shigjeta në Tiranë këtë mëngjes kishte shumë lëvizje të automjeteve edhe pas orës 08:00 të mëngjesit kur është orari i lejuar për të gjithë ata që duan të shkojnë në punë. Po ashtu qytetarë të shumtë këmbësorë e mjaft të tjerë me biçikleta.

Postblloqet e policisë janë vënë nga të dyja anët. 

Foto sot pranë Pallatit me Shigjeta