Koronavirusi/ Shqipëria fillon 3 ditë në 'shtet-rrethim'! 509 shoferë të ndëshkuar, Korça shembull i ndërgjegjësimit

Nga ora 06.00 e mëngjesit të sotëm, asgjë në rrugët e Shqipërisë nuk i ngjante një situate normale me të cilën jemi mësuar në përditshmërinë tonë. Rrugët e boshatisura, me automjete aq të pakta në numër saqë nuk e shuajnë ndjesinë dhe panoramën e një shtetrrethimi. Në rrugë, efektivë të shumtë të policisë dhe forca të ushtrisë, për të kontrolluar nëse qytetarët që kanë dalë me automjete kanë autorizim nga Policia e Shtetit dhe një arsye të mirëjustifikuar. Kjo situatë pritet të jetë deri të dielën në mesnatë. 

Dje kryeministri Edi Rama shpalli masat ekstreme kufizuese për parandalimin dhe mbrojtjen nga koronavirusi. Automjetet private, taksitë dhe transporti urban janë pezulluar në 8 qarqe për tre ditë, në një izolim të domosdoshëm, që si vende të tjera në botë të prekura nga koronavirusi, po e sulmojnë atë duke qëndruar në shtëpi, duke shmangur kontaktet me grumbullime njerëzish, dhe mbi të gjitha, duke respektuar rregullat e rekomanduara nga OBSH për higjienën personale.  

Deri më tani, po shihet një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve. Pritet të shihet nëse ky ndërgjegjësim do të vijojë për të mirën e gjithsecilit prej nesh, e mbi të gjitha për shëndetin e të afërme të moshuar, prindërve e gjyshërve tanë, që janë edhe më të rrezikuar nga infektimi dhe pasojat fatale nga COVID-19.

Eshtë ndoshta hera e parë që Shqipëria është izoluar nga frika e një virusi dhe po kalon këtë situatë, për të cilën të gjithë shpresojmë të japë rezultat dhe të shërbejë si një masë e rëndësishme për të frenuar sadopak përhapjen e COVID-19, që ka marrë jetën e parë në vendin tonë dhe ka prekur mbi 20 persona.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
Vëzhgim në mbrëmje në rrugët e Tiranës! Koronavirusi vendos në 'gjumë' Bllokun dhe kryeqytetin

Tirana "bie në gjumë" nga koronavirusi. Mbrëmja rezervon shumë pak lëvizje në kryeqytet. Disa automjete, shumica me logo mediash qarkullojnë në Tirane. Edhe forcat e policisë nuk janë shumë prezente sa në mëngjes dhe gjatë ditës.

Shumica e personave qe ecin në trotuarë janë të rinj, me maska e doreza. Policia me prezente me postblloqe është në hyrje dhe dalje të qytetit. Zona e populluar e Bllokut që "vlon" nga rinia është krejtësisht e boshatisur këtë mbrëmje.

Shqiptarja.com ka vëzhguar situatën në kryeqytet duke sjellë pamjet nga Zogu i Zi, Rruga e Durrësit, Laprakë, rrethrrotullimi i Doganës, zona e Astirit ku ka u ndje pak më shumë qarkullimi i disa makinave, më pas zona e '21 Dhjetorit', bulevardi 'Dëshmorët e Kombit', Rruga e Elbasanit dhe qendra që janë bosh.

Ora 20:16
Shkodra e biçikletave thyen rregullin, qytetarët mbushin shëtitoren

Shkodra mëngjesin e nisi mbarë, por në mbrëmje shëtitorja është mbushur plot. Report Tv sjell pamjet, e shëtitoret së mbushur me njerëz. Ndërkohë që prefektuara e Shkodrës njofton masat që mori sot ndaj atyre që nuk zbatuan urdhrin. "Ne kuadrin e zbatimit te Planit te Masave te KMC te Qarkut Shkoder qe ben fjale per masat parandaluese ndaj COVID _19, gjate dites se sotme kane vijuar masat e Inspektoriatit Shteteror per mbylljen e 20 bizneseve, jane ndaluar disa shtetas nga DVP te cilet kane shkelur urdherat per Qarkullimin, nderkohe qe jane dhene rreth 500 leje per qarkullimin e mjeteve qe jane te domosdoshme per te qarkulluar per farmacite dhe popullaten, nderkohe nga ana e bashkive kane vijuar masat per desinfektimin dhe higjenizimin e ambienteve publike dhe pedonaleve.

Gjate dites se sotme eshte konstatuar nje renie e ndjeshme e levizjes se mjeteve dhe te qarkullimit te mjeteve gje qe do te thote se gradualisht komuniteti po ndergjegjesohet per te zbatuar rregullat e qendrimit ne shtepi. Prefekti i Qarkut Shkoder ne cilesine e kryetarit kerkon qe te strukturat e DVP, Inspektoriatit Shendetesor, Inspektoriatit te Punes, policive Bashkiake, Kryetaret e Bashkive, NJA, dhe kryetarve te fshatrave te vijojne ne bashkepunim zbatimin e  masave per identifikimin e shtetasve qe kane ardhur nga shtetet fqinje  te infektuar nga Covid _19, qe nga data 27 Shkurt dhe nuk jane nenshtruar rregullit te vetkarantimit si dhe operacioneve per ndalimin e aktiviteteve te biznesit e te qarkullimit te mjetev, gje per te cilen duhet te informoni per vijimin e ketij procesi".

Ora 19:21
‘Zemrat përqafohen dhe në distancë’...mesazhi i Katedrales së Rrëshenit

Katedralja e Rrëshenit në hyrje të saj ka varur një banderolë të madhe ku bën thirrje që të shmanget kontakti fizik dhe besimtarët në këtë situatë emergjente të praktikojnë lutjet dhe besimin e tyre nga shtëpia në mënyrë që shmanget sa më shumë përhapja e koronavirusit.

‘Zemrat përqafohen dhe në distancë. Rrini në shtëpi’, ka qenë mesazhi I saj.

Ora 18:22
Shtetrrethimi, Braçe: Jam i shqetësuar nga shpërfillja e Fierit, duhet të rrini brenda


Zv/ kryeministri Erjon Braçe në një postim në Instagram shkruan se është i shqetësuar me atë që po ndodh në Fier. Ai thotë se sot Fierin e ka parë shumë neglizhent, shpërfillës, relativizues të rrezikut, ndërsa u bën apel qytetarëve që të ndryshojnë.

"Keshtu e pashe 1/3 shqiperise, nga tirana ne fier, nga mengjesi ne mesdite! Pas nje rrugetimi me shume se kater ore, dua te them disa gjera;

1. Shume faleminderit miliona njerezve ne tre qarqet me te medha te vendit per bindjen ndaj rregullave, sakrificen per ti dhene nje stop jetes aktive e per te qendruar ne shtepi;

2. Shume faleminderit disa mijera sherbyesve te shtetit ne rruge, qendra shendetesore, spitale e urgjenca, burra e gra, police, ushtarake, mjeke, infermiere, shofere e sanitare, ne vijen e pare e ne gadishmeri per te garantuar rregullat, perballur me perhapjen e korona virusit, shpetuar jete njerezish;

3. Jam i shqetesuar per disa mijera te ardhur tre javet e fundit nga Italia kryesisht, kthyer ne shtepite e tyre ne qytet e vecanerisht ne fshat; na mirekuptoni, ju nuk mund te dilni nga shtepite ne rruge, ne sheshe qyteti apo fshati, kafene ende te pambyllura! Cdonjeri nga rastet e egzaminuara deri tani ka histori udhetimi me italine apo kontaktesh me njerez te kthyer nga italia!

Ne nuk mund te lejojme te infektohen te tjere njerez; ju duhet te rrini ne shtepi per 14 dite me rradhe! Policia e shtetit tani ka emrat, bashke me zyrtaret vendore do trokase ne dyert tuaja e do garantoje qendrimin tuaj ne shtepi! Kush del do kete 5000 euro gjobe, kush del serish do ndalohet nga policia!

4. Me shqeteson shume Fieri; e pashe sot neglizhent, shperfilles, relativizues te rrezikut qe eshte kudo! Duhet te ndryshoje; Fieri eshte qarku i dyte i shqiperise nga popullsia e ekonomia, i pari per eksportet, eshte jetik per kete vend! Fieri duhet te vleresoje realisht rrezikun, duhet te zbatoje rregullat, duhet te rrije ne shtepi! Kafenete u mbyllen sot, mbyllur do te rrine!

5. Po aq shqetesim kam per zonat rurale ku ka shume pune e pak vemendje tek lajmet, njoftimet, regullat, ndalimi! Nje pjese e te kthyerve nga Italia jane ne fshtra; duhet te rrine per 14 dite ne shtepi! Policia do te garantoje me cdo kusht vetekarantikimin e tyre!

6. Mijera bujq po punojne sot ne toka e sera, po prodhojne, furnizojne me perime te fresketa qytetet, tregjet tona, po eksportojne; po mbjellin serish pa pushim! Shume mirenjohje punetoreve te bujqesise kudo ne Myzeqe".

Ora 17:47
Në 12 orë ‘shtetrrethim’ policia bllokon 25 mjete dhe pezullon 112 patenta të shoferëve të ‘pabindur’

Në më pak se 12 orë nga masa e dhënë për ndalimqarkullimi vetëm në qytetin e Tiranës Policia ka bllokuar 25 mjete dhe ka pezulluar 112 leje drejtimi ose patenta të shoferëve të  ‘pabindur’.

Këta drejtues kanë thyer urdhrin e ndalimit të qarkullimit në kuadër të masave shtrënguese për parandalimin e koronavirusit dhe kanë lëvizur me mjetet e tyre pa autorizim dhe se nuk kanë qenë lëvizje të nevojshme.

Ndëshkimi për këdo që thyen urdhrin është mase administrative nga 1-4 mijë lekë ose heqje patente deri 6 muaj. Vetëm për Tiranën është ndërmarrë pezullim leje për 122 persona dhe 25 makina janë bllokuar, pasi kanë qenë të shumtë drejtuesit që kanë kundërshtuar gjobën me pretendimin se po lëviznin për punë, por mjetet e tyre nuk kanë qenë të akredituara siç është kërkuar nga qeveria.

Në 25 raste policia u ka bllokuar makinë në vend dhe i kanë lënë drejtuesit të ikin në këmbë në shtëpi.

Ora 12:09
Nuk respektuan 'shtetrrethimin'/ Në 6 orë, 509 shoferë të ndëshkuar (VIDEO)

Në vetëm 6 orë janë ndëshkuar 509 shoferë, të cilët kanë thyer urdhrin për të mos lëvizur pa autorizim me makinë private. Nga këto 509 shoferë të ndëshkuar, 171 janë në Tiranë, e cila edhe pse është epiqendra e koronavirusit në Shqipëri, mesa duket nuk është ndërgjegjësuar mjaftueshëm. Pas Tiranës, vjen Durrësi me 77 shoferë të ndëshkuar, të ndjekur nga Lezha, Fieri, Vlora, dhe Elbasani.

Njoftimi i plotë i policisë
509 drejtues mjetesh të ndëshkuar për mosrespektim të urdhrit të dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve. Në zbatim të masave shtesë për të mos lejuar qarkullimin e mjeteve, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me ato të ushtrisë, vijojnë kontrollin e zbatimit të këtyre masave shtesë.

Në këtë kuadër, prej orës 06:00, deri në orën 12:00, janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm drejtuesish të mjeteve, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër. Konkretisht, janë evidentuar nga shërbimet e Policisë:

- në DVP Tiranë 171 drejtues mjetesh
- në DVP Durrës 77 drejtues mjetesh
- në DVP Fier 54 drejtues mjetesh
- në DVP Vlorë 53 drejtues mjetesh
- në DVP Lezhë 61 drejtues mjetesh
- në DVP Shkodër 45 drejtues mjetesh
- në DVP Elbasan 48 drejtues mjetesh.

Ndaj këtyre drejtuesve është vendosur kufizimi i lëvizjes, si dhe po kryhen veprimet administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar). 76 drejtues mjetesh janë të shoqëruar në ambientet e Komisariateve të DVP-ve,  pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për  thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe po këtyre drejtueseve u janë bllokuar edhe automjetet. Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të respektuar kufizimin e lëvizjes sipas njoftimit, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt cilido që do shkelë këto urdhra, do përballet me sanksionet ligjore.

Ora 11:54
Bie ndërgjegjësimi i qytetarëve në Tiranë...'të pabindurit' fillojnë lëvizjen në qytet, shtohen forcat e policisë (VIDEO)

Edhe pse në orët e para të mëngjesit u duk sikur pati një ndërgjegjësim nga qytetarët që nuk lëvizën me makinat e tyre private, në orët e mesditës situata pësoi ndryshime. Report Tv është zhvendosur në Pallatin me Shigjeta, e cila duket se është një nga zonat ku u thyer në masë urdhri i qeverisë, e për pasojë ka pasur edhe një shtim të forcave të policisë në këtë zonë. Deri më tani, referuar burimeve jo zyrtare, në Tiranë janë ndaluar 54 drejtues automjetesh, një shifër e lartë krahasuar me qytetet e tjera. Megjithë, në orët në vijim pritet një komunikim ku priten të jepet shifra zyrtare sa i përket "të pabindurve".

Ora 11:51
Transport i posaçëm për personelin mjekësor, me autorizim në dorë...'faturino' punonjësit e bashkisë (FOTO)

Për personelin mjekësor transporti urban këtë të premte është bërë me urbanë të posaçëm.  Do të funksionojë me përpikëri deri në fund të luftës", shprehet kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social Facebook ku ka publikuar foto nga dita e sotme, dita e par e ndalimit të qarkullimit të automjeteve private dhe transportit publik, deri të dielën në mesnatë. 

Të gjithë punonjësit janë të pajisur me autorizim nga autoritetet shëndetësore, të cilat verifikohen nga punonjësit bashkiakë. Të gjithë janë të pajisur me maska.

Ora 11:15
Qyteti i Elbasanit në qetësi! Vetëm këmbësorët lëvizin dhe automjetet e autorizuara (VIDEO)

Qyteti i Elbasanit në qetësi! Vetëm këmbësorët lëvizin dhe automjetet e autorizuara,  duke u radhitur krah qyteteve që janë ndërgjegjësuar dhe kanë ndaluar qarkullimin e makinave private.

Ora 11:01
Nuk janë të 'detyruar'...Por korçarët na japin shembullin që duhet ndjekur në këtë situatë emergjence (VIDEO)

Korça sot duket e boshatisur. Nga një vëzhgim në qytet dhe në pikat më të frekuentuara siç janë Pazari i Vjetër, pedonalja, baret, kafetë të gjitha janë bosh. Të vetmit që sheh dhe që janë të pakët janë qytetarë që iu është dashur të dalin për një arsye, por të pajisur me maska doreza dhe gjithmonë evitojnë kontaktet e afërta. Edhe drejtuesit e automjeteve janë të pajisur me maskë. Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e bizneseve kanë ulur qepenat dhe kafet janë boshatisur thuajse 100%.

Korça është ndërgjegjësuar, qytetarët kanë qëndruar në shtëpi për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre nga koronavirusi.

Edhe pse nuk bën pjesë në 8 qytetet me masa ekstreme qarkullimi i automjeteve ka rënë ndjeshëm. Gjithçka shfaq qetësi dhe pa lëvizje këmbësoresh e lëvizje shumë të pakta automjetesh.

Ora 10:50
Koronavirusi 'kyç' tregjet në Sarandë, shumë pak lëvizje në qytet (VIDEO)

Në qytetin e Sarandës agjencitë e transportit publik kanë pezulluar udhëtimet e linjave interurbane, ndërsa vihet re një kufizim i lëvizjeve të automjeteve private dhe qytetarëve.

Tregjet e lokalet janë kyçur, ndërsa brenda qytet ka shumë pak lëvizje të qytetarëve.

Tregu është mbyllur pasi mjedisi përpara tij i është nënshtruar dezinfektimit në kuadër të masave për moslejimin e përhapjes së koronavirusit.

Ora 10:47
Fieri me qytetarë të 'pagdhendur' që dolën me makina, Braçe vizitë blic në Bashki (VIDEO)

Për të parë nëse masat kufizuese ndaj koronavirusit po zbatohen me përpikmëri, zëvendëskryeministri Erion Braçe ka bërë një vizitë blic në Bashkinë e qytetit të Fierit. Në këtë qytet, janë ndaluar nga policia dhjetra automjete që kishin dalë në qarkullim edhe pse nga sot deri të dielën në mesnatë Shqipëria është vënë në 'shtetrrethim' duke ndaluar lëvizjen e automjeteve private, përveç atyre që janë me autorizim nga Policia e Shtetit, për qarkullim të domosdoshëm. 

Ora 10:45
Tirana 'rekord'/ 54 shoferë thyejnë rregullin, lëvizin me makinë private

Tirana është qyteti ku janë konstatuar më shumë të 'pabindur' ndaj urdhrit të qeverisë për të mos qarkulluar me makina private, plot 54 të tillë.

Ora 10:24
Lëviznin me makina private, 20 shoferë të ndaluar në Fier

20 shoferë janë ndaluar edhe në qytetin e Fierit pasi  kanë qarkulluar me mjete private, ndonëse u është kërkuar që të mos lëvizin të paktën për tre ditë si një masë parandaluese për koronavirusin.

Ora 10:24
Koronavirusi/ Bllokohen 32 makina të pautorizuara në Durrës, shoferëve të 'pabindur' u merren dokumentet (VIDEO)

Durrsakët nuk iu bindën urdhrit të lëshuar nga qeveria për të qëndruar në izolim nga sot deri të dielën e për të mos qarkulluar me automjete private pa justifikim, pra një arsye të mirëargumentuar dhe të nevojshme. Kështu, policia ka bllokuar 32 makina dhe u ka marrë dokumentet shoferëve të 'pabindur' duke mos i lënë asnjë mundësi për të qarkulluar ditët në vazhdim, një masë drastike kjo për parandalimin e COVID-19.

Ora 10:23
6 'të pabindur' në Vlorë! Parkojnë makinat dhe u merren çelësat nga policia

1584091967_vlora.jpg

Pas Durrësit, edhe në Vlorë ka pasur disa të 'pa bindur' që nuk kanë respektuar urdhrin e qeverisë për të mos qarkulluar me makina private. 6 drejtues automjetesh janë ndalur ditën e sotme në Vlorë. Atyre u është kërkuar që të parkojnë makinat dhe u merren çelësat e makinave.

Ora 09:49
'Qëndroni në shtëpi'...Thirrja me megafon që po 'kumbon' në Tiranë (VIDEO)

Qëndroni në shtëpi, evitoni vendet me shumë njerëz. Telefononi 127 - Është kjo thirrja që lëshohet me megafon nga automjetet e policisë bashkiake të Tiranës për të ndërgjegjësuar qytetarët për të mos dalë nga shtëpia, si një masë ekstreme kjo, por mjaft e domosdoshme për të parandaluar në kohë përhapjen masive të koronavirusit në Shqipëri.

Ora 09:40
Tirana si asnjëherë më parë...TË GJITHË ndërgjegjësim për të parandaluar koronavirusin (FOTO-VIDEO)

Një situatë e pazakontë në Tiranë, që mund të shërbejë që të gjithë bashkë ta kalojmë sa më shpejt e pa pasoja fatale situatën me koronavirusin. Kontrolle të shumta të policisë dhe të ushtrisë janë vendosur në postblloqe në pikat kyçe të qytetit për të kontrolluar automjetet e pakta që janë në qarkullim. Shoferëve u kërkohet autorizimi lëshuar nga policia e shtetit që është marrë pas argumenteve të nevojës për të lëvizur, si janë mjetet e transportit që shpërndajnë ushqime, ilaçe për farmacitë, apo makina që bëjnë transportin e punonjësve të mediave dhe institucioneve të tjera që duhet të jenë në punë.

Ora 09:33
Qendra e Beratit 'e vetmuar', asnjë këmbë njeriu në rrugë...'0' makina (VIDEO)

Berati është qyteti tjetër që është vendosur ne shtetrrethim. Qytetarët janë mbyllur në shtëpi, si një masë mbrojtëse kundër kësaj beteje. Në rrugë janë vetëm punonjësit e pastrimit të qytetit, nuk frekuentohen më baret në qendrën e qytetit.

Ora 09:00
Në Shkodër lëvizin lirshëm me biçikleta/ Batuta e shkodranëve: Kështu pa makina në rrugë ka qenë në komunizëm (VIDEO)

Në Shkodër ndalimi i qarkullimit të makinave duket se nuk bën shumë përshtypje pasi pjesa më e madhe e qytetarëve lëvizin me biçikleta. Edhe sot nuk ka shumë ndryshim, megjithëse ndryshe nga herët e tjera lëvizin më lirshëm. Ato e kanë kaluar me batutë, duke thënë se i duket sikur janë në kohën e komunizmit.

Shkodranet me bicikleta dhe me maska

Edhe rruga Shkodër - Kryebushat është e gjitha e boshatisur.

Rruga Shkoder-Kryebushat
Ora 08:58
Edhe lezhjanët të bindur! Qyteti 'zbrazet' nga koronavirusi (VIDEO)

Qyteti i Lezhës u zgjua u boshatisur këtë premte. Në rrugë dhe trotuare lëvizjet ishin të pakta. Frika nga coronavirusi ka ndërgjegjësuar qytetarët, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qëndruar në banesa.

Shumica e bizneseve kanë mbyllur qepenët, por nuk kanë munguar dhe ata të cilët kanë vijuar aktivitetin e tyre, duke mos ju bindur urdhrit të autoriteteve si masë parandaluese për mos përhapjen e coronavirusit. Në disa pika të qytetit janë të vendosur policia dhe ushtria. Lëvizja është lejuar vetëm për automjetet e autorizuara, ndërsa nuk kanë munguar dhe masat ndëshkimore për ata që nuk i janë bindur urdhrit. Ndalimi i qarkullimit do të vijojë deri mesnatën e së dielës, ndërsa policia dhe ushtria do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për zbatimin e këtyre masave. Deri tani në Qarkun e Lezhës nuk është konstatuar asnjë rast me coronavirus, ndërsa autoritet shëndetësore vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të përballuar situatën që mund të krijohet.

Autostrada Milot-Thumanë këtë të premte ka qenë e boshatisur.

Autostrada Milot-Thumanë
Ora 08:56
Durrsakët bëjnë 'kokëfortin'/ Thyejnë urdhrin e qeverisë, ndalohen 5 shoferë (VIDEO)

Ndryshe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, qytetarët e Durrësit nuk kanë respektuar urdhrin që ndalonte qarkullimin e makinave private, si masë parandaluese ndaj koronavirusit. Ditën e sotme janë ndaluar 5 shoferë të cilët thyen vendimin e qeverisë.

Ora 08:54
Fushë-Kruja e pabindur, me 'jetë' si në normalitet (VIDEO)

Edhe pse një qytet i vogël, lëvizjet kanë vijuar si në një ditë normale, me makina të shumta në rrugë dhe qytetarë të shumtë që lëvizin në këmbë. Bizneset thuajse janë mbyllur të gjitha, por qytetarë të ndryshëm lëvizin nëpër qytet, duke mos respektuar kështu masat ekstreme kufizuese të vendosura nga qeveria, për parandalimin e koronavirusit.

Ndërkohë në daljet e qytetit dhe në akset kryesore ka postblloqe policie të cilët i kërkojnë udhëtarëve autorizimet për të lëvizur.

Ora 08:53
Kukësi, qyteti i ndërgjegjësuar! Në rrugë vetëm makinat me autorizim (VIDEO)

Kukësi është zgjuar ditën e sotme si një qytet i ndërgjegjësuar në luftën me koronavirusin. Ditën e stome në rrugë kanë qarkulluar shumë pak makina, siç shihet në pamjet që Report Tv sjell, me duket se janë ato që kanë marrë autorizimin nga autoritetet përkatëse.  

Ora 08:41
Shtetrrethimi, Lushnja ende në 'gjumë' (VIDEO)

Edhe qytetarët e Lushnjes i kanë kufizuar lëvizjes këtë të premte, në zbatim të shtetrrethimit deri të dielën në mesnatë ku nuk do të lejohet të qarkullojnë makinat private, taksitë apo automjetet e transportit publik, si masë parandaluese ndaj COVID-19. Vetëm makinat që shpërndajnë ujin në dyqanet ushqimore janë parë këtë mëngjes në lëvizje, ndërsa hapur kanë qenë vetëm furrat e bukës. Pensionet do të dërgohen në banesë, ndërsa policia dhe ushtria kanë ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e qytetit. Duket sikur Lushnja është ende në gjumë.

Ora 08:27
Vlora 'i bindet urdhrit të qeverisë'/ Në rrugë vetëm makinat me autorizim dhe ambulanca (VIDEO)

Si asnjëherë tjetër, edhe në Vlorë, gjithçka i duket një qyteti që ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme nga koronavirusi. Mëngjesin e sotëm në rrugë, kanë qarkulluar vetëm ambulanca dhe makinat që kanë marrë një autorizim.

Ora 08:26
'Zbraset' Fieri, asnjë në rrugë (VIDEO)

Fieri është ndërgjegjësuar! Askush nuk ka dalë në rrugë ditën e sotme! Report Tv sjell video nga rrugët e qytetit, ku në rrugë lëvizin vetëm makina që janë lejuar të kalojnë nga postblloqet e policisë.

Ora 08:02
Tiranë, ja të vetmet makina që qarkulluan mëngjesin e sotëm (FOTO-VIDEO)

Në Tiranë të vetmet automjete që u panë ishin ato që transportonin stafet e institucioneve të ndryshme, mediave, disa ambulanca, e tek tuk edhe ndonjë person që për të shkuar në punë kishte zgjedhur biçikletën.  Efektivët e policisë ndalonin automjetet duke i kërkuar udhëtarëve arsyen e lëvizjes, dhe mbi të gjitha nëse kishin marrë apo jo autorizim nga Policia e Shtetit.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetari: 14/03/2020 00:51

    Na mori malli per ca zhurme matrapiku. Ca bohet kshu?

    Përgjigju
  • Iris: 14/03/2020 00:23

    Sa bukur Tirana,sa qete,sa paster.Na nxori mallin e para viteve 90;kur mund te ecje me kenaqesi ne rruge ,kur mund te shijoje cdo cep te qytetit,kur cdo njeri te dukej I njohur e mbi te gjitha ,kur mund te mbushje mushkerite me ajer te paster e fytyren me drite Dielli! P:S .Ky vendim vlen dhe per pastrimin e ajrit nga ndotja e makinave.Ate qe nuk mundi ta bente E.VELIA me fushata sensibilizimi e beri virusi.

    Përgjigju
  • Vloraa: 13/03/2020 11:49

    Oooo koktrash tirane durrsi dhe vende te prekura... mosss hajdeni ne juggg se do na qelbni dhe ne eeeeee ... kuptoni apo joooo ... rrini 3 dite mbyllur se sju gjen gjeee

    Përgjigju
  • Aliu: 13/03/2020 11:38

    Me i fjal paskin shku me infektuar ata ne jug. Ne jemi popull qe nuk do zhvillohemi naj here. Kina mbylli nje qytet me 60 milion banore nuk ka derman per rracen tone, duhet edhe nje here xhaxhi.

    Përgjigju
  • Selenice: 13/03/2020 11:28

    Shyqyre beni zape Vloren!

    Përgjigju
    • Vloren: 13/03/2020 13:48

      Eee u bem zap .. po ti po pate mundesi sille njeher mamin ketu se ajo te ben me shum zap..!selenica edhe at motren sille ..

  • astrit: 13/03/2020 11:15

    te zbatohet rregulli I ndalimit te qarkullimit per te gjithe njesoj, policia te shofi nga unaza e re dhe astiri plot makina qarkullojne. te ndalohet cdo makine qe leviz perjashtuar urgjencat. vazhdojne levizin edhe kamiona. nqs kjo eshte per te miren tone duhet bere sakrific te mos levizet me makina

    Përgjigju
  • Himare: 13/03/2020 10:01

    Kan ikur te gjithe per ne jug. Beni nje xhiro ne Himare, Dhermi, Borsh te shikoni plot eshte qendra. Plot kafe, plot restorante. Pa respekt

    Përgjigju
    • Lui: 13/03/2020 11:38

      I lumte atyre qe paskan ikur ne jug se do rrijne nja 2-3 jave te mira. Se ky ndalim qarkullimi i automjeteve do zgjase te pakten dy jave e nuk mund te kthehen dot nese kane ikur. Pa permendur ate qe tha dhe doktor Pipero qe kane bere shume gabim qe kane levizur. Sepse qellimi i ndalim qarkullimit eshte qe mos te cojme virusin ne vende te tjera, dhe jo te ikim per pushime.. Po pune shqiptaresh. Kjo tregon pse ne jemi populli me i vjeter ne Europe dhe shteti me i ri. Sepse nuk zbatojme rregullat. Dhe jo vetem qe nuk e rruajme per veten tone, por marrim ne qafe edhe tjetrin.. Hajt pushime te mbara!

  • Ema: 13/03/2020 08:52

    I lumt qeveris shqiptare me dhimbje per te gjith por duhet ta pranojm. Keshtu nuk lejohet hapja e ketij virusi gje qe italia e beri shum von dhe ne kete moment nuk e ka ber te plot . Duhet mbyllje totale per dy jav. Merrni lejet per dy jav e shpetoni mbylluni ne shtepi e beni pastrim gjeneral meruni me femijet e kush ka pleq futini nje domino . Te gjith te respektojm rregullat e do ja dalim

    Përgjigju
    • @ema: 13/03/2020 13:34

      Sa mire do ishte sikur te pakten kete here te kishim degjuar presidentin. Avantazh i papare. Thojini atij psikopatit mos ti dergoj perqafime pleqve te mi pasi per vite me radhe ka perqafuar Vuçiç. SHQIPTARET MBI TEGJITHA

  • Lleshi: 13/03/2020 08:22

    Omg paralizim total po per te mire e popullit

    Përgjigju
    • O llesho: 14/03/2020 00:55

      Po per te miren tone e kane gjithmone ata. Shalgjati u thinj nga hallet tona, Likja u dobesua nga stresi. Vetem Mona sa vjen e trashet, sikur nuk po e rrun fort per ne.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)