DURRES - Nxënësit e viteve të para dhe të dyta në "Shkollën e Re" të ish-Kënetës në Durrës protestojnë për kushtet ku janë duke zhvilluar mësim. Një pjesë e këtyre nxënësve kanë folur nga brenda rrethimit të shkollës për mungesën e kushteve të mësimdhënies, numrin e pakët të mësueseve si dhe për statusin e shkollës, e cila nuk ka marrë emërtimin akoma si shkollë e bashkuar duke qenë se aty zhvillojnë mësim nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm.

“Janë katër arsye pse po protestojmë. Arsyeja e parë është që në shkollën tonë nuk njihet vula e shkollës. Kjo është një arsye tepër themelore për shkollën pasi të bësh 3 vjet gjimnaz këtu dhe mos të njihet është krim normalisht është e jashtëligjshme. Pastaj problem tjetër kryesor për ne është dhe mësuesit. Jemi tre vite të dyta, tre vite të treta edhe dy vite të para, janë tetë klasa gjithsej i thonë gjashtë orë dhe janë pesë mësues.” shprehen nxënësit.

Ndërkohë disa nxënës të tjerë ngrenë pretendime për nivelin e ulët shkencor të mësueseve të tyre, duke përmendur si të tillë mësuesen e anglishtes.

“Do të përjashtoj këtu mësuesen e anglishtes e cila është jashtë normave ngado jashtë çdo standarti përsa i përket mësimdhënies, ajo nuk bën asgjë tjetër përveçse rri në fund të klasës ose në fillim dhe vazhdon nxjerr telefonin , mund edhe të lyhet në klasë, pastaj ushtrimi i dhunës, kapjet janë shumë të forta. Për këtë kërkojmë largim patjetër të asaj mësueseje.” shprehet një nxënëse

Kryetari i bordit të prindërve shprehet se në këtë shkollë prej tre vitesh bëjnë mësim edhe nxënësit e shkollës së mesme, por akoma ajo nuk ka marrë emërtimin shkollë e bashkuar, ndërkohë që nxënësit nuk kanë një dokument zyrtar se në cilën shkollë ndjekin mësimet.

Burime nga drejtoria arsimore rajonale në Durrës kanë bërë të ditur se rasti i kësaj shkolle po shqyrtohet dhe se do të ketë një zgjidhje të shpejtë të problemeve që kanë ngritur nxënësit dhe komuniteti i prindërve.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)