Gjatë një vizite në Nuremberg me 1 prill 2012, Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Valter Ibrahimi, komentoi për rrëzimin në fund të marsit nga Bundestagu gjerman të mocionit për ndjesë zyrtare lidhur me gjenocidin e ushtruar ndaj popullsive vendase Herero dhe Nama në ish-koloninë gjermane të Afrikës Jug-Perëndimore, sot Namibi, midis viteve 1904-1908. “Për mua, citohet të ketë thënë Ambasadori Ibrahimi, shqetësim përbëjnë tonet nacionaliste, që të kujtojnë të kaluarën e kulturës raciste e kolonialiste në Afrikë, që është karakterizuar me konfliikte të ashpra, të cilat çuan deri në shfaqjet e skajshme të racizmit gjatë Holokaustit në Evropë…” Nuk dihet nëse deklarata thuajse e ngjashme e 4 prillit 2012 në Korçë e Ambasadores së Gjermanisë në Shqipëri, Carola Mueller-Holtkemper, ishte si kundërpërgjigje e komenteve të Ambasadorit Ibrahimi në Nuremberg. Si një ndër ekonomitë më të mëdha dhe dinamike të botës, Gjermania e sotme është motori i Evropës së Bashkuar, si dhe shembull i shtetit të zhvilluar që zbaton një politikë të jashtme që ka në thelb paqen dhe të drejtat e njeriut, kurse në rrafsh të brendshëm, që e lidh zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit dhe ndjekjen e politikave të përparuara sociale. Shqipëria dhe shqiptarët, shikojnë tek Gjermania modelin e kombit dhe shtetit që përparimin dhe begatinë e kanë krijuar me punë, djersë e sakrifica. Mirëpo Shqipëria,...
edhe pse vend i vogël, ka vuajtur shumë si gjatë Luftrave Ballkanike, ashtu edhe gjatë Lufës së Parë e të Dytë Botërore, si dhe gjatë komunizmit. Gjithsesi, ndërsa Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet jashëzakonisht shumë punë për të arritur atje ku është Gjermania sot, edhe i ashtuquajturi model gjerman nuk është i përsosur.
Ndër defektet e modelit gjerman është refuzimi sot e gjithë ditën për njohjen e gjenocidit të ushtruar ndaj fiseve afrikane Herero dhe Nama nga ushtria gjermane gjatë të ashtuquajturit Holokaust të Kajzerit me 1904-1906 në Namibinë e sotme, si dhe të lidhjeve midis atij gjenocidi me nazizmin një brez më vonë. [Shih librin me të njëjtin titull, Holokausti i Kaizer-it, Gjenocidi i harruar i Gjermanisë dhe rrënjët kolonialiste të nazizmit, nga Casper Eriches e David Olusoga, Faber and Faber, London, 2010].
Në kontektstin shqiptar, mjafton të shkohet edhe sot në Borovë të Kolonjës apo në Tragjas të Labërisë për të ndjerë nga afër furinë dhe barbarinë e çizmes hitleriane ndaj një populli të pafajshëm që, me gjakun e tij, u rradhit me nder e dinjitet krahas Aleatëve të Mëdhenj në Luftën kundër Boshtit. Dhe për të cilat ende nuk janë përftuar reparacionet e përshtatshme.
Duke u kthyer tek BE-ja, politologu amerikan Richard Brodsky, hidhte alarmin para disa javësh se “nazistët po marshojnë sërish në rrugët e Evropës.” [Huffington Post, 13 mars 2012]. Ringjallja e nazizmit në BE përkon edhe me “amnezinë e vazhdueshme evropiane për barbarizmat e kryera në Afrikë”, siç e çmon gazetari dhe autori afrikanojugor Bryan Rostron. Duke iu kthyer gjenocidit në Namibi, Rostron, për shembull, kujton se gjenerali gjerman von Trotha e konsideronte fisin Herero si “unmenchen” [jo-njerëz], ndërkohë shumë idera dhe praktika naziste, si lebensbraum, etj, zunë fill dhe u zbatuan për herë të parë në Namibi.…[Business Day, 4 prill 2012]. Përse heshtin institucionet, politikanët apo diplomatët e BE-së për këto gjëra?
Gjithsesi, duke shprehur respekt të veçantë për Ambasadoren e një vendi mik dhe aleat, nuk mund të mos vërejmë se komentet e saj në Korçë ishin të papërshtatshme, për të mos thënë më shumë.
“Për mua, shqetësim përbëjnë tonet nacionaliste, që të kujtojnë të kaluarën e Ballkanit që është karakterizuar me konflikte të ashpra, të cilat çuan deri në luftën Ballkanike”, citohet të ketë thënë ambasadorja. Nëse citimi dhe përkthimi janë të saktë, dhe pra i referohen Luftrave Ballkanike si prelude të Luftës I Botërore, apo Luftrave në ish-Jugosllavi, atëhere këtu duhet të ndalemi ca.
Eshtë e vërtetë që në Shqipëri, si kudo në Evropë, ka retorikë nacionaliste dhe teprime individuale e krejt të padenja, si për shembull ato në lidhje me simbolet kombëtare të huaja, siç ndodhi në Burrel në lidhje me flamurin e Republikës së Maqedonisë, mirëpo ato as nuk krahasohen me çka shohim në BE. Në mos për rastin e Burrelit, për të cilin merren organet kompetente, për kë e ka fjalën Ambasadorja gjermane? Mos vallë për një vendim ende të pazbatuar të Gjykatës së Korçës ndaj një të arratisuri të drejtësisë? Apo mos e ka fjalën për raportimet e shtypit shqiptar, në zbatim të misionit të vet informues në një shoqëri demokratike, lidhur me problemet e pashembullta të peshkatarëve shqiptarë në Kanalin e Korfuzit? Mos vallë Ambasadorja gjermane i cilëson si “tone nacionaliste” reagimet ndaj këtyre ngjarjeve, që për hir të së vërtetës, do të trondisnin opinionin publik të çdo vendi demokratik?
Nëse është fjala për kufirin detar Shqipëri-Greqi, këtu mjafton të kujtojmë se vetë Gjermania në vitin 1967 iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për mosmarrëveshjet në delimitimit të Detit të Veriut midis saj, Hollandës dhe Danimarkës. Dhe siç dihet, me vendimin e 20 shkurtit 1969, Gjykata e Hagës i dha të drejtë Gjermanisë, duke hedhur poshtë pretendimet e Hollandës dhe Danimarkës se metoda e baraslargësisë ishte e detyrueshme midis palëve [ICJ: Reports, 1969, ff. 3-257].
Prandaj, edhe reagimet e sotme të opinionit publik në Shqipëri ndaj mosmarrëveshjeve për delimitimin detar midis dy vendeve fqinje, mike dhe aleate, Shqipërisë dhe Greqisë, mund të cilësohen “nacionaliste” aq sa mund të ishin të tilla edhe reagimet e opinionit publik gjerman në vitin 1967 ndaj mosmarrëveshjes detare me vendet fqinje.
Në mbyllje, besojmë se lexuesi e ka të qartë se deklarata e 1 prillit e Ambasadorit Ibrahimi nuk është bërë ndonjëherë, edhe pse Bundestagu vërtet e refuzoi ndjesën ndaj fiseve namibiane. Ajo ishin thjesht perifrazim mutatis mutandis i deklaratës së papërshtatshme të Ambasadores gjermane në Korçë.
Sikurse thamë, është e vërtetë se aty-këtu në vend ka retorikë të panevojshme dhe të tepruar e me “tone nacionaliste”. Mirëpo, angazhimi qytetar në rritje i opinionit publik në Shqipëri për drejtësi e dinjitet shtetëror është diçka krejt tjetër. Ai duhet mirëpritur e mbështetur si vlerë e mirëfilltë evropiane e zhvillim i mbarë e demokratik, dhe jo të etiketohet vend e pavend. Prandaj, ndërsa thelbi i deklaratës së pathënë të Ambasadorit Ibrahimit qëndron, akuza e tërthortë e Ambasadores Mueller-Holtkemper, ndaj “nacionalizmit” të shqiptarëve, si kinse shkaktar i Luftrave Ballkanike të djeshme apo të sotme, është paksa e tepruar.
Në fund të viteve 1920, një diplomat i huaj në Tiranë do të shprehej kështu: “Ndërkohë që shumë të huaj, zyrtarë dhe jo zyrtarë, e kanë zakon që kur i drejtohen popullit të këtij vendi, i trajtojnë shqiptarët si fëmijë, unë kurrë nuk e kam bërë një gjë të tillë”. [“While it is the usual course for many foreigners, official and otherwise, when speaking to the people of this country, to treat the Albanians as children, I have never done that”].
Ca politikanë vendas dhe diplomatë të huaj në Tiranë duhet të dinë se sot jemi në vitin 2012. Gjithmonë duke ruajtur respektin dhe konsideratën që u takon pozitës së tyre, jemi të shtrënguar t’ua përmendim këto gjëra disa Ambasadorëve, nëse ende nuk ua kanë thënë interlokutorët e tyre në Tiranë.
(Shkrimi u botua sot ne shqiptarja.com)