Një kryebashkiak shqiptar ka dhënë dorëheqjen për shkak të dënimit të tij për një sherr në fillim të viteve 1990” kështu shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times” duke i kushtuar pak rreshta kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi.

“ Roshi besohet të jetë viktima e parë e një ligji të miratuar 5 muaj më parë për bllokimin e personave me precedentë penalë në poste publike. Elvis Roshi, kryebashkiak i Kavajës, tha këtë të martë se jepte dorëheqjen pasi kishte zbuluar se ishte dënuar pas një sherri në një kamp refugjatësh në Itali në moshën 16-vjeçare. Ai u shpreh se nuk ishte dërguar në gjykatë në atë kohë dhe se nuk kishte vuajtuar asnjë dënim” – shkruan New York Times.

Më tej në shkrim thuhet se ligji konsiderohet si një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, pasi ky i fundit është pengesa më e madhe e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Gazeta amerikane citon edhe vendimin e KQZ-së e cila këtë të martë u ndërpreu mandatin 18 anëtarëve të këshillave bashkiakë. “Ligji që u miratua në mes të dhjetorit u konsiderua kyç në luftën kundër korrupsionit që është bërë pengesë në rrugën e integrimit” – e mbyll e përditshmja.

Redaksia Online 
(e.m/shqiptarja.com)