Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj
Henrik Hoxhaj, i pandehur si pjesë e dosjes “Plumbi i artë”, ka dhënë dëshmi në Gjykatën e Posaçme. Hoxha ka zbuluar disa detaje të reja mbi ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në vend.
Ai tha se Nuredin Dumani i kishte kërkuar kërkuar që të vriste Elton Kilën, i njohur si "Oti", pasi kishte informacione se strehonte Talo Çelën. Ekzektuimi nuk u krye pasi Kila përfundoi në burg.
"Pas ngjarjes komunikova në telefon me Nuredinin. Unë u ndjeva pak në siklet, por nuk tha gjë që nuk u ekzekutua objektivi. Me Nuredinin kemi folur për çështjen e “Otit”. Herën e dytë e kam pritur në Kukës, shkova me një BMW me qira. Dërgoja dikë që të merrte makinën me qira. U takuam në Kukës dhe vajtëm në Fier, shkuam te shtëpia e Altin Kule, një shoku im, nuk jetonte njeri, ishte bosh. I thashë atij më duhen çelësat dhe kaq. Nuredini ishte në kërkim asokohe. Oti Kilën e njihja më përpara. Ne do merrnim masat për ta ekzekutuar, pastaj qëlloi që ai ra në burg për punën e motorit dhe u la ai muhabet. Nuredini kishte informacion se Oti strehonte Talo Çelën.", deklaroi ai.
Hoxhaj theksoi se ishte në Elbasan ditën që u arrestua dhe Nuredin Dumani po e priste në Peqin.
"Unë e kam parë disa herë te biznesi i tij, shiste makina në Elbasan, diku në Bradashesh. Skerdi Tasen nuk e përfshimë fare. Nuredini më kërkoi të mos i tregoja Skerdit vendndodhjen e tij sepse ishte në kërkim. Unë shkova te biznesi i Otit, nuk e pashë aty dhe ika. Kur nuk po e gjenim dot, u kthyem në Fier me Nuredinin. Unë pata një Benz, e mora me qira në Fier. Nuredini pati një BMW X5, e pata marrë unë në Kamëz, në Tiranë. E mora te Aleksandër Baho “Sakati”. Makinën e mora me Skerdin. Skerdi rastisi, nuk e mora kastile. Unë nuk pata armë, armët ishin te “makina e punës”, aty duheshin armët. Armët i pati provuar Nuredini, bëmë qitje andej urës së Semanit. Unë nuk kam pasur lidhje me njeri në Elbasan. Unë isha në Elbasan ditën që u arrestuam, ndërsa Nuredini ishte në Peqin po më priste mua", tregoi Hoxhaj.
Hoxhaj dëshmoi se Nuredini i dërgoi mesazh ku thuhej; “O kusho hajde se më vranë”. Ai e mori Nuredinin dhe e dërgoi në Fier, ku më pas mori edhe dy doktorë që ta operonin.
"Sa kaloj unë në Cerrik, më ndaluan disa punonjës policie në Cërrik. I dhashë 20 mijë lekë dhe më lanë të ikja. Pastaj më shkruan Nuredini, më thotë “O kusho hajde se më vranë”. Shkova atje, e marr Nuredinin , “Liliputin” e ngre e hipi mbrapa te makina ime. Mora dhe dy armët. Më tha me ço në Durrës. Nuk e çoja dot, dhe e mora në Fier. E çova të shtëpia ku rrinte ai. Mora në telefon një të njohurin tim Bledin. I thashë më duhen dy doktorë. I tregova armën dhe i thashë do vini se s’bën te shtëpia. E pashë Nuredinin i ishte nxirë buza. Më thanë do i ketë shkuar plumbi në stomak. Në sallë nuk e fusim dot, i detyrova ta zgjidhnin aty ta shpëtonin atë palaçon.", vazhdoi Hoxhaj.
Henrik Hoxhaj shtoi se nuk e kishte kuptuar se si policia mbërriti aty dhe i arrestoi.
"Pastaj erdhi policia aty, nuk e di se si. Unë Nuredinin e kam mbajtur dhe në mes të Tiranës. Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve. Ne kemi vrarë 100 si puna e Nuredinit. Kur e pyeta Nuredinin për ngjarjen, me tha mua ishin 4 veta, 3 me maska , shoferi pa maskë ishte Talo Çela. Unë nuk e besova, por kështu më tha.", përfundoi ai.
Ndaj biznesmenit Elton Kila në vitin 2018 ishte organizuar një atentat me të dyshuar si urdhërues Suel Çelën dhe vrasës Nuredin Dumanin. Atentati dështoi dhe rrugës për të ekzekutuar urdhrin, mbeti i plagosur Nuredin Dumani.
Kila në dëshminë e dhënë më parë në GJKKO, tregoi se nuk ka asnjë njohje me Dumanin ndërsa shtoi se nuk e besonte se ai ishte shënjestër e një atentati. Në atë kohë, Kila tha se iku jashtë shteti në Gjermani dhe më pas u rikthye përsëri në Shqipëri.
Lajmi kryesor:
‘Plumbi i Artë’, Henrik Hoxhaj: Nuredin Dumani na ofroi 250 mijë euro për të vrarë Lulzim Mashën dhe të birin
Komente










