Obama: Avioni malajzian u qëllua
me raketë nga separatistët rusë

UKRAINE-  Raketa ndaj avionit malajzian që shënoi një tragjedi në territorin rus duke lënë të vdekur të 298 personat në bord, është lëshuar nga zona që është pushtuar nga separatistët rus. Është kjo deklarata që bëri shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama.
 
“Separatistët kanë marrë ndihmë nga Rusia, me artileri të rëndë dhe raketa tokë-ajër, është një tragjedi globale”, tha presidenti amerikan. 

Po ashtu edhe Zëvendëspresidenti amerikan i shtetit Joe Biden ka pohuar se rrëzimi i Boingut 777 të “Malyesian Airlines” nuk ishte aksidentale.
 
“Avioni malajzian që udhëtonte nga Europa perëndimore për në Kuala Lumpur me të gjitha gjasat është qëlluar. Nuk ka qenë aksident. Ai është goditur në fluturim”, - deklaroi Biden. 

Sipas Biden, avioni mund të jetë qëlluar gabimisht nga dikush që mund ta ketë marrë ngatërruar me një avion ushtarak transporti. 

Ndërkaq kryeministi ukrainas Arseniy Yatsenyuk fajësoi "terroristët" për rrëzimin e avionit malajzian një ditë më parë, ka kërkuar që çështja e rrëzimit të avionit Malaysia Airlines” fluturimi MH17 të hetohet nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, duke e cilësuar rrëzimin e tij një krim kundër njerëzimit. Edhe Bashkimi Europian ka kërkuar hetime gjithpërfshirëse ndërkombëtare në lidhje me rrëzimin e avionit. 

Edhe separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës janë pro investigimeve ndërkombëtare në vendin e rrëzimit të avionit. Rebelët janë zotuar të sigurojnë vendin si dhe kthimin e trupave. Aktualisht, të dyja palët në konfliktin ukrainas fajësojnë njëri-tjetrin për rrëzimin e avionit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Ukraina mban përgjegjësi për tragjedinë.

Po ashtu administrata e aviacionit Federal të SHBA ka publikuar sot një urdhër në të cilin aeroplanët amerikanë e kanë të ndaluar të udhëtojnë në pjesën lindore të Ukrainës.

Ndërkohë edhe shërbimi i inteligjencës ukrainase është shprehur se avioni është goditur nga filorusët ku sipas një telefonate që ka arritur të zbulojë dyshohet se avioni është rrëzuar nga separatistët filorusë.

Shërbimi ukrainas i sigurisë ka publikuar në llogarinë e tij në “Youtube” një video ku dyshohet se zhvillohen bisedat mes separatistëve filorusë ku pranojnë se kanë sulmuar një avion civil. Filorusi Igor Bezler i ka thënë një funksionari të sigurisë ruse për sulmin ndaj avionit. Në regjistrime dëgjohet edhe një bisedë mes dy ushtarëve.

Mediat kanë publikuar sot edhe kombësitë e pasagjerëve dhe anëtarëve të bordit. Shumica e pasagjerëve ishin holandezë, 154 vetë, 43 malajzianë, 27 australianë, 12 indonezianë, 9 anglezë, 4 gjermanë, 4 belgë, 3 nga Filipinet dhe 1 kanadez, ndersa 41 janë ende të paverifikuar.

pasagjeret
Rrëzimi i avionit, ja bisedat e përgjuara nga Shërbimi i Sigurisë Ukrainase
Malaysia Airlines Boeing 777-200 i cili fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur dyshohet se u qëllua nga një grup militantësh kazakë rusë, në afërsi të fshatit Chornukhine, në Luhansk Oblast, rreth 80 kilometra në veri-perëndim të Donetsk, në Ukrainë. Sipas regjistrimeve të thirrjeve telefonike të përgjuara, të publikuara nga Agjencia ukrainase e sigurimit (SBU), biseda ku flitet për rrëzimin e avionit është zhvilluar mes oficerëve rusë të inteligjencës ushtarake dhe anëtarë të grupeve terroriste.
 
Një telefonatë me sa duket është bërë në orën 16:40, ose 20 minuta pas aksidentit ajror, nga Igor Bezler, për të cilin Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës thotë se është një oficer rus i zbulimit ushtarak dhe komandantit kryesor i Republikës së vetëshpallur popullore të Donetsk. Ai raporton për një person të identifikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës si një kolonel në departamentin kryesor informativ të selisë së përgjithshme të forcave të armatosura të Federatës Ruse, Vasili Geranin, lidhur me rrëzimin e aeroplanit malajzian, i cili u mbikëqyr nga militantët.
 
Pjesa e dytë e bisedës, e publikuar nga Shërbimit e Sigurimit të Ukrainës, është zhvilluar mes dy militantëve me nofkën "Major" dhe "grek" menjëherë pas inspektimit të vendit të rrëzimit të avionit.
 
"Është 100 për qind një avion pasagjerësh (civil)”, është regjistruar duke thënë majori, pasi pranoi se nuk ka parë armë në vend. "Absolutisht asgjë. Artikuj civilë, pajisje mjekesore, peshqirë, letër higjienike. "
 
Në pjesën e tretë të bashkëbisedim komandantit kazak, Nikolay Kozitsin flet me një militant të paidentifikuar, duke i sugjeruar se në aeroplanin Malaysia Airlines mund të ketë patur spiunë, pasi përndryshe avioni nuk kishte arsye pse të fluturonte në atë zonë.
 
Lexoni më poshtë transkriptin e plotë të telefonatës së përgjuar:
 
Igor Bezler: Ne kemi qëlluar një aeroplan. Grupi Minera. Ai ra poshtë përtej Yenakievo (Donetsk Oblast).
 
Vasili Geranin: Pilotët. Ku janë pilotët?
 
Igor Bezler: Shkuan për të kërkuar dhe për të fotografuar avionin.
 
Vasili Geranin: Sa minuta më parë?
 
Igor Bezler: Rreth 30 minuta më parë.
 
Komenti i SBU: Pas shqyrtimit të vendit të rrëzimit të avionit terroristët arritën në përfundim se ata rrëzuan një aeroplan civil. Pjesa tjetër e bisedës ka ndodhur rreth 40 minuta pas rrëzimit të avionit.
 
 "Major": Këto janë dhelprat Chernukhin që qëlluan aeroplanin. Nga pika e kontrollit Chernukhin. Ata kanë bazë në Chernukhino.
 
"Grek": Po, Major.
 
"Major": Avioni u shpërbë në ajër. Në zonën e minierës Petropavlovskaya. "200" e parë (fjala kod për të vdekurit). Ne gjetëm "200-shen" e parë. Një Civil.
 
"Grek": Çfarë ka aty?
 
"Major": Me pak fjalë, ai ishte 100 për qind një avion me pasagjerë (civil).
 
"Grek": Ka shumë njerëz atje?
 
"Major": Mbetjet e avionit ranë drejt e në oborret e shtëpive.
 
"Grek": Çfarë lloj avioni?
 
"Major": Unë nuk e kam konstatuar këtë. Nuk e kam pasur këtë pjesë në vëmendje, kam vrojtuar skenën kur ranë trupat. Ka mbetje nga pjesë e brendshme të avionit, ndenjëse dhe trupat e pasagjerëve.

"Grek": A ka mbetur ndonjë gjë nga arma?
 
"Major": Absolutisht asgjë. Artikuj civilë, sende medicinale, peshqirë, letër higjienike.
 
"Grek": A ka dokumenta?
 
"Major": Po, e një studenti indonezian, nga një universitet në Thompson.
 
Ushtari: Sa i takon aeroplanit që u rrëzyar në zonën e Snizhne-Torez, është një avion civil. Ra përtokë pranë Grabovës. Ka shumë kufoma të grave dhe fëmijëve. Po vijojnë kërkimet.
 
Në TV thonë se është një aeroplan transporti AN-26, por ata thonë se në aeroplan është e shkruar Malaysia Airlines. Pse ndodhej në territorin e Ukrainës?
 
Nikolay Kozitsin: Kjo do të thotë se ata mbanin spiunë. Ata nuk duhet të fluturonin. Kjo luftë vazhdon.




Obama: Rrëzimi i avionit malajzian një sinjal alarmi për Evropën
​Presidenti amerikan, Barack Obama konfirmoi sot se avioni malajzian që u rrëzua dje në lindje të Ukrainës ishte sulmuar nga një raketë nga një zonë e kontrolluar nga separatistët prorusë. Duke e cilësuar si një tragjedi të rëndë, Obama nënvizoi nevojën për kryerjen e një hetimi të pavarur dhe transparent para se të shprehej për shkaqet e vërteta të kësaj drame. Ai theksoi se mes viktimave bënte pjesë dhe një shtetas amerikan.

"Ajo qe ne dimë sot është se një raketë tokë-ajër është lëshuar dhe është ajo që ka shkatuar rrëzimin e avionit. Ne dimë (...) se kjo raketë është lëshuar nga territori i kontrolluar nga separatistët rusë", theksoi Obama në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

"Është shumë herët për të gjetur qëllimet e atyre që kanë mundur të lëshojnë raketën", theksoi ai duke paralajmëruar kundër përpjekjes për të nxjerrë përfundime të parakohshme.

"Rreth 300 të pafajshëm kanë humbur jetën. Burra, gra, fëmijë që nuk kishin asnjë lidhje me krizën në Ukrianë", nënvizoi Obama.
"Kjo tragjedi tronditëse tregon se ka ardhur koha që paqja dhe siguria të vendosen në Ukrainë", shtoi ai duke shprehur keqardhje që Rusia kishte refuzuar disa herë të merrte vendime konkrete për kapërcimin e tensioneve në terren.

Obama i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin të marrë vendime të duhura strategjike.
"A do të vazhdojnë të mbështesin separatistët e dhunshëm qëllimi i të cilëve është dobësimi i qeverisë ukrainase, kur do të jenë të gatshëm të punojnë me këta të fundit për të arritur një armëpushim dhe një paqe që është në interes të të gjithë ukrainasve?".

Presidenti amerikan theksoi se kjo dramë përbën gjithashtu një paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar.
"Ky do të jetë gjithashtu një sinjal alarmi për Evropën dhe botën për faktin se një përkeqësim i konfliktit në lindje të Ukrainës do të ketë pasoja", deklaroi ai. 

Sot, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbledhur në një takim urgjent kërkuan një hetim ndërkombëtar mbi rrëzimin e avionit malajzian ku humbën jetën 298 persona.

Yatsenyuk: Avioni u godit nga terroristët, krim ndërkombëtar
Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk fajësoi sot "terroristët" për rrëzimin e avionit malajzian një ditë më parë, ku gjetën vdekjen të 298 personat në bord. Ai u bëri thirrje të gjithë qeverive për të mbështetur hetimin dhe "për të mbështetur qeverinë e Ukrainës për të sjellë para drejtësisë të gjithë këta bastardë të cilët kanë kryer këtë krim ndërkombëtar."

Që nga rrëzimi i avionit malajzian pasditën e djeshme, Ukraina dhe Rusia i kanë quajtur terroristë separatistët filorusë, të cilët akuzohen si përgjegjësit kryesor për sulmin në fjalë.

Zyrtari i CIA: Separatistet qelluan avionin
Avioni i rrezuar malejzian ku gjetën vdekjen 298 persona, është qëlluar nga separatistët filorusë, ka konfirmuar një zyrtar i CIA për CNN.

Zyrtari nuk pranoi të identifikohet për shkak të ndjeshmërisë së informacionit ndërsa më herët, një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se aeroplani është rrëzuar pasi është goditur nga një raketë.

BE kërkon hetim ndërkombëtar për aeroplanin e rrëzuar malajzian
Bashkimi Evropian ka kërkuar hetime gjithpërfshirëse ndërkombëtare lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë në pjesën lindore të Ukrianës.

Komisioni Evropian, në një deklaratë të mbrëmshme, tha se ishte i “shokuar” nga raportet për rrethanat e incidentit dhe ka kërkuar nga “të gjitha palët në rajon” të mundësojnë qasje të plotë në vendin e përplasjes dhe për bashkëpunim me procesin e hetimit.

Poashtu, KE-ja tha se incidenti i rëndë “ishte ilustrim i zymtë i asaj se përse ky konflikt duhet të përfundoj shpejt”.

“Pa i paragjykuar faktet për rrëzimin, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta ndalin humbjen e pakuptimtë të jetëve në Ukrainën Lindore, të përmbahen nga aktet e përshkallëzimit dhe të pajtohen për një armëpushim të menjëhershëm”, thuhet, pos tjerash, në deklaratën e Komisionit Evropian.



Avioni malajzian u qellua me raketa ne lindje te Ukraines, te 298 pjestaret e bordit humben jetën (17 Korrik)
Një tjetër avion malajzian, i kompanisë “Malaysia Airlines” MH17 pëson fatin e keq, duke shënuar një tjetër tragjedi, me vdekjen e të 298 pasagjerëve që udhëtonin në avionin Boeing 777.

Avioni është rrëzuar në Ukrainë, në afërsi të kufirit me Rusinë 40 km në lindje të Donetskut, zonë luftimesh në Ukrainën lindore dhe sipas mediave ndërkombëtare është qëlluar me raketë tokë-ajër.

Avioni tip Boeing 777 ishte nisur nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit, ndërsa 283 pasagjerët në bord dhe 15 anëtarët e ekuipazhit kanë gjetur vdekjen në aksident.

Anton Herashchenko, këshilltar i Ministrit të brendshëm të Ukrainës, tha për Associated Press se avioni ishte goditur nga një raketë në një lartësi prej 10.000 metrash.

Avioni u zhduk nga radarët kur ishte në kuotën e 10 mijë metrave dhe kompania “Malaysia Airlines” njoftoi se kishte humbur kontaktet me ekuipazhin e avionit.  Një burim i Reuters shprehet se avioni u gjet duke u djegur në tokë, në pjesën lindore të Ukrainës, në afërsi të kufirit me Rusinë. Avioni pritej të hynte në hapësirën ajrore ruse në orën 17:20 sipas orës lokale, por kjo gjë nuk u arrit kurrë, shprehet një burim për agjensinë Reuters.

Ministria e Brendshme e Ukrainës deklaroi se avioni mund të jetë qëlluar gabimisht nga separatistët pro-rusë, nga një raketë tokë-ajër, tip Buk, të cilat fabrikohen në Rusi, në tentativë për të goditur një avion transporti ukrainas, i cili ndodhej pak pas avionit të “Malaysia Airlines”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi mohues i separatistëve prorusë të cilët nuk e kanë marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit.  Andrei Purghin, zv/kryeministër i republikës së vetëshpallur të Donetskut argumentoi “pafajësinë” e separatistëve pro-rusë me faktin se nuk kanë në dispozicion armë të tilla që mund të qëllojnë avioni në lartësinë e 10 mijë metrave, pasi raketat që ata kanë mund të godasin deri në 5 milometra.


Avioni malaysia
(Në foto: Avioni i kompanisë "Malaysia Airlines" MH17 duke bërë ngritjen në aeroportin e  Schiphol në Holandë)

Kjo është tragjedia e dytë që ndodh për kompaninë “Malaysia Airlines” brenda pak muajsh. Në Mars fluturimi MH370 u zhduk me 239 persona në bord, pak pasi u nis nga Kuala Lumpur në kufi me Pekinin duke u përplasur në fund në Oqeanin Indian dhe ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. 

Obama: Tragjedi e tmerrshme, SHBA ndihmë në zbardhjen e ngjarjes
Shefi i Shtëpisë së Bardhë Barack Obama e ka cilësuar një tragjedi të tmerrshme rrëzimin e avionit të linjës “Malaysian Airlines” në lindje të Ukrainës.Duke shprehur keqardhje për këtë ngjarje të rëndë, presidenti amerikan ofroi ndihmën e SHBA-ve për të ndihmuar dhe për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie.

Gjendet kutia e zezë e avionit, separatistët rusë: Ekspertiza do bëhet në Moskë
Rreth orës 21:00 separatistët pro-rusë kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë të avionit të rrëzuar në Ukrainë. Zv.kryeministri i republikës së vetshpallur të Donetsk, Audrey Purgin tha se ekspertiza e kutisë së zezë për të zbuluar shkaqet që çuan në një tragjedi, do të bëhet në Moskë. Ai thotë se rusia ka më shumë ekspertë të kualifikuar dhe të aftë për të zbuluar të vërtetën e kësaj tragjedie që mori jetën e 298 pasagjerëve të avionit malajzian.

Obama dhe Putin bisedë telefonike pas rrëzimit të avionit në Ukrainë
Shefi i Shtëpisë së Bardhë barrack Obama dhe president ii Rusisë, Vladimit Putin kanë zhvilluar një bisedë telefonike mes tyre, pas rrëzimit të avionit me 298 persona në bord. Në fakt, telefonata ishte e planifikuar për tensionet e fundit dhe lidhur me ashpërsimin e sanksioneve ndaj rusëve. Putin e ka informuar Obamën për rrëzimin e avionit, lidhur me cfarë kanë thënë kontrollorët ajrorë rusë. Sakaq, Obama është shprehur se i ka dhënë direktiva stafit të tij për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Ukrainës.
 
Në bordin e avioni malajzian edhe 23 shtetas amerikanë

Në bordin e avionit malajzian udhëtonin dhe 23 amerikanë, shumë shtetas europianë dhe malajzianë. Këtë fakt e bëjnë të ditur mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ashton: Hetim ndërkombëtar rrëzimit të avionit në Ukrainë
Për Bashkimin Euripoan rrëzimi i avioni malajzian në territorin ukrainas, duhet të hetohet ndërkombëtarisht. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton tha se nuk duhet humbur kohë në zbardhjen e rrethanave të rrëzimit të avionit, që shkaktoi vdekjen e të gjithë pasagjerëve.

Poroshenko: Nuk përjashtohet mundësia që të jetë qëlluar 
Presidenti ukrainas Petro Poroshenko pas ngjarjes tragjke të rrëzimit të avioni malajzian në territorin ukrainas, tha se nuk përjashtohet mundësia që avioni i të jetë qëlluar me raketa, por sipas tij, jo prej forcave ukrainase. Ky është rasti i tretë tragjik brenda pak ditësh, pas rrëzimit të avionëve An-26 dhe Su-25 të forcave ukrainase që janë sulmuar e më pas rrëzuar në territorin rus.

avioni ukraine

Kryeministri malajzian: Hetime të menjëhershme 

Kryeministri malajzian Najib Razak bëri të ditur se Malajzia do të nisë menjëherë hetimet lidhur me rrëzimin e avionit të “Malaysia Airlines” në lindje të Ukrainës. 


avioni ukraine


avioni ukraine

harta e avionit
(Në foto: Harta ku është rrëzuar avioni malajzian)

avioni ukraine

avioni ukraine



/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri/ 16 persona u dëmtuan nga fishekzjarret! Proda inspekton policët në detyrë

Viti i Ri/ 16 persona u dëmtuan nga fishekzjarret! Proda inspekton policët në detyrë