SHBA: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë – Serbi, mundësi e humbur për palët

SHBA: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë – Serbi, mundësi e humbur për palët

Jim O’Brien

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, tha se moszbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë “është mundësi e humbur nga të dyja vendet”.

Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin X duke shpërndarë deklaratën e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, pas përpjekjeve të së mërkurës për një takim të përbashkët me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që dështuan pasi Kosova refuzoi të marr pjesë dhe vendosi disa kushte për një takim trepalësh.

“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi zoti Borrell kushtete e zotit Kurti i cili nga ana e tij tha se bëhet fjalë për “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.

Duke paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve mes palëve në nivel të kryengeociatorëve, javën e ardhshme, zoti Borrell tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zoti O’Brien tha se takimi i së mërkurës “nënvizoi faktin se palët duhet të ripërkushtohen për të trajtuar problemet dhe për të ndjekur mundësitë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie.

Ngjarja ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të nxitur palët që të zbatojnë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, për të cilën palët u dakorduan në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër.

Marrëveshja nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia. Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.

Me 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës, që nënkupton zbatimin e parimeve të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimit evropian të tyre.

Zoti Borrell, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë, tha të mërkurën se “në periudhën e një konflikti të pashembullt në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshje për paqe, qëndrueshmëri dhe fqinjësi të mirë është e rëndësisë së lartë”./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Lejuan ndërtime të paligjshme në Shirokë, Prokuroria e Shkodrës dërgon për gjykim 9 zyrtarë të IMT-së dhe Kadastrës

Lejuan ndërtime të paligjshme në Shirokë, Prokuroria e Shkodrës dërgon për gjykim 9 zyrtarë të IMT-së dhe Kadastrës