PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Oda Ekonomike e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka përshëndetur krijimin e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e parë atë si shumë të rëndësishme për vendin.
Sipas KosovaPress, OEK vlerëson se kjo marrëveshje përbën hapin e duhur dhe të vetëm të mundshëm drejt tejkalimit të krizës politike, që ka bërë që sistemi shtetëror të qëndrojë në vendnumëro, kur pritej që ai të jetë gjenerator i zhvillimeve pozitive politike e ekonomike.
"Oda Ekonomike e Kosovës e përshëndet këtë marrëveshje, sepse ishte çasti i fundit që të tejkalohet vakumi institucional, i cili përveç reflektimit negativ mbi zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, ka shkaktuar shumë dëme për ekonominë e vendit. Politika e qëndrueshme dhe efikase ekonomike nuk duron mungesë të institucioneve, të cilat janë timonier në drejtimin e zhvillimit ekonomik, përmbushjen e prioriteteve madhore dhe adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohet një vend i ri dhe me ekonomi të brishtë sikur Kosova", thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Marrëveshja për koalicion, sipas OEK-ut, ka ardhur para projeksioneve dhe vendimeve kapitale financiare të fundvitit të cilat sipas tyre mund të bëhen vetëm nga institucionet që mbështeten në vullnetin e popullit.
Për më tepër, në njoftimin e OEK-ut, thuhet se marrëveshja vjen edhe në momentin kritik për investime të jashtme, sepse tashmë vërehet rënia e interesit të kapitalit të huaj që të investojë në një vend pa pushtet, i cili ka dalë nga vota e popullit dhe institucione të qëndrueshme.
Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se është nga rëndësia e madhe që pas politikës, ekonomia të zërë vendin e parë në axhendën e Kosovës dhe institucioneve të saj. Është koha kur Republika e Kosovës duhet të dëshmohet edhe si Republikë zhvillimore e jo vetëm politike./m.m/









