GJKKO i kthen makinën e blinduar ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që i ishte bllokuar nga OFL gjatë aksionit për verifikim të pasurisë. Makina i është kthyer Berishës, pasi ajo rezulton të jetë me dokumenta të rregullta. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga avokati i Lul Berishës, Detar Hysi.

Gjatë aksionit të OFL në "sitë" kanë kaluar 21 prona të Lulzim Berishës, 4 prej të cilave të sekuestruara në procese të tjera gjyqësore. Nga lista e pronave që OFL ka zbuluar se pas tyre mund të kenë Lulzim Berishën edhe pse të regjistruara zyrtarisht janë në emra të personave të tjerë, dy janë pallate në zonën mjaft të preferuar bregdetare të Qerretit në Durrës, konsideruar "parajsa bregdetare e të pasurve", sipërfaqe të mëdha tokash, trualli, arash e ullishtesh, disa në emër të Lulzim Berishës, një pjesë e konsiderueshme në emër të motrës së tij Luljeta Berisha, por edhe të afërmve të tjerë.

Mes tyre ishte edhe automjeti tip BMW  i blinduar të vitit të prodhimit 2010, një biznes bar kafe dhe 40% të aksioneve në një kompani për tregtimin brenda dhe jashtë vendit të hidrokarbureve, për të cilat gjithashtu kërkohet sekuestro.

Veprimet e Operacionit Forca e Ligjit kanë ardhur pas një sërë verifikimesh që kjo strukturë ka kryer edhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese. Dhe informacioni mjaft interesant që OFL ka zbuluar është se Lulzim Berisha fshihet pas ndërtimit të dy pallateve në zonën e Qerrretit në Durrës, të cilat edhe pse me letra rezultojnë të jenë të një ndërtuesi, A.Hyseni, sipas OFL-së kanë financues Lulzim Berishën.