TIRANE-Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin për justifikimin e pasurisë tre emrat të njohur për drejtësinë në Kuçovë, Berat dhe Gjirokastër.

Mario Selamaj banues në Kuçovë është i dënuar nga gjykata e Beratit për kanabis. Në vitin 2015 ai u kap me 4 persona të tjerë me 20 kg marijuanë dhe 17 mijë €.

Kastriot Jaupi është emri i dytë, nga Berati i dënuar për vrasje me paramendim veprën për shkak të cilësive të veçanta. Në vitin 2008 ai u ekstradua nga Spanja për të vuajtur dënimin përjetë për vrasjen e majorit të policisë, Ilir Ngresi në vitin  2000.  Më datë 12 nëntor 1997, Kastriot Jaupit i vritet i vëllai, i quajtur Ilir Jaupi gjatë një kundërveprimi me armë ndaj forcave të policisë, ngjarje kjo e ndodhur në vendin e quajtur Guri i Bardhë në Berat. Nga ky moment Kastriot Jaupi tentoi disa herë të qëllonte mbi krerët e policisë së Beratit, të cilët i bënte përgjegjës për vdekjen e të vëllait. Vepronte vetë, por pothuaj gjithmonë përdorte edhe Dritan (Shyahip) Zhukën. Kastriot Jaupi dhe Dritan Zhuka kanë tentuar disa herë  të godasin efektivët e lartë të policisë së asaj kohe. Viktima e vetme do të ishte Major Ilir Ngresi.  Pas datës 28 qershor 1999 Kastriot Jaupi ishte një qytetar i lirë. Edhe pse i dyshuar si autor i një sërë vrasjesh, ndaj tij kishte vetëm një çështje penale në proces gjyqësor.  Akuzohej për vrasjen e një fqinji të tij të quajtur Ilia Stasa si dhe për plagosjen e vajzës së tij Evis, ngjarje e ndodhur më 16 mars 1997.

Jaupi akuzohet si pjesëtar i bandës kriminale të Beratit.

Emri i tretë është Qerim Rabaj i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Qerim Rabaj nga Lazarati u ekstradua në vitin 2015 nga Milano në Shqipëri për të vuajtur dënimin për kultivim dhe tregtim të lëndës narkotike.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.