Pas performancës së mirë dhe golit në miqësoren kundër Jordanisë në Tiranë, mesfushori Nedim Bajrami duket se ka rifituar besimin e stafit teknik dhe mund të rikthehet si titullar te Rangers.
Bajrami ishte protagonisti i ndeshjes përballë jordanezëve, iniciatori i golit të barazimit 1-1 dhe autor i golit të katërt që vulosi fitoren e Shqipërisë 4-2. Kjo paraqitje e ka vënë mesfushorin në qendër të vëmendjes, me shpresën se performanca e tij do të reflektohet edhe në ekipin skocez.
Skuadra nga Glasgow mbetet në kërkim të një trajneri pas shkarkimit të Russell Martin dhe një nga emrat kryesorë që po përflitet është Ole Gunnar Solskjaer. Norvegjezi 52-vjeçar, i njohur për periudhën e tij si trajner i Manchester United, aktualisht punon si analist i ndeshjeve për UEFA-n, por ende mbetet një figurë e dëshiruar në botën e futbollit.
Solskjaer ka përvojë në drejtiin e futbollistëve shqiptarë, si Ernest Muçi te Besiktas dhe një kalim te Rangers do t’i jepte mundësinë të punonte përsëri me një lojtar të kombëtares shqiptare.
Përveç interesimit nga Rangers, Solskjaer ka marrë një tjetër ofertë të rëndësishme. Shoqata Suedeze e Futbollit i ka propozuar të marrë drejtimin e kombëtares së Suedisë. Në pritje të një vendimi përfundimtar, mbetet për t’u parë nëse Solskjaer do të zgjedhë një aventurë të re në nivel klubi në Skoci apo do të nisë një kapitull të ri në arenën ndërkombëtare me një kombëtare.
Komente







