Me stilin e tij unik të ndërthurjes së virtuozitetit të violinës me ritmet moderne, violinisti Olen Cesari rikthehet në Tiranë me një koncert për tre net radhazi në Pallatin e Kongreseve, duke filluar nga mbrëmja e sotme. Violinisti do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH dhe një kast artistësh të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë.

“Është koncerti më gjigand që kemi organizuar ndonjëherë në Shqipëri… kemi me vete dhe orkestrën e RTSH-së, janë 64 elementë. Është historia e muzikës shqiptare praktikisht në atë skenë.”, tha violinisti Cesari.

Koncerti sjell në skenë emra si: Dren Abazi, Lavinia Mancusi, Enrico Giaretta, Zyliha Miloti, Carlos Paz dhe Roland Cenko, të cilët premtojnë interpretime të veçanta përgjatë tre mbrëmjeve.

“Jam me shumë miq me vete. Janë nja 20 këngë, më të bukurat dhe më të famshmet e botës.”, vijoi artisti.

Cesari e vlerëson bashkëpunimin me Orkestrën Simfonike të RTSH-së si një ndër më të veçantët.

“Ka qenë një super bashkëpunim… na u deshën tre muaj punë për të sjellë këtë koncert me orkestër simfonike, por jemi shumë të lumtur për rezultatin. Ndoshta një nga më të mirat ka qenë ajo e Nju Yorkut deri tani, por dhe këta janë në nivelin e Nju Yorkut.”, tha Olen Cesari.

Përtej muzikës, artisti ndalet edhe tek sfidat e skenës shqiptare, duke theksuar mungesën e hapësirave për artistët.

“Ka shumë pak vende ku artistët mund të shprehen…Kjo është e vetmja sallë me 2000 veta. Nuk ka asnjë gjë tjetër. Dhe në momentin që kjo do të rikonstruktohet, nuk e di se ku do bëjmë evente, por këshilla, dëshira, ëndrra ime është që të kemi sa më shumë evente, sa më shumë teatro, sa më shumë vende ku artistët kenë mundësi të shkojnë. Për momentin është opera, është këtu edhe s'ka më.”, vërejti ai.

Tre netët e koncertit të Olen Cesarit dhe International Clandestin Orkestra pritet të kthehen në një festë të vërtetë muzikore.