Kreu i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka folur jashtë Parlamentit lidhur me situatën e ndodhur brenda sallës, ku ai u përplas me socialistët për protestën e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj.

Jashtë Parlamentit Shehaj tha për gazetarët se në Parlament nuk duan që të flitet për hallet e qytetarëve dhe kundër oligarkëve. Kjo ishte arsyeja sipas tij, që i ndërprenë fjalën në foltoren e Kuvendit.

Teksa për çështjen e Rrjollot dhe për problemet e qytetarëve me pronat në mbarë Shqipërinë paralajmëroi protestë të enjten para Parlamentit, Shehaj tha gjithashtu se biznesmeni Ulaj përmes policisë private të kontraktuar prej tij ka dhunuar banorët që kundërshtojnë resortin e tij.

“Në 4 orë diskutim sot në Parlament, nuk u përmend lajmi i javës. Kanë mbi 1 javë që qytetarët e Rrjollit protestojnë se po u rrëmbehet prona. 150 hektarë janë rrëmbyer nga ish-drejtori i Hipotekës dhe janë përjashtuar të gjithë pronarët e Rrjollit. Tani po protestojnë, por çfarë ndodh. Oligarku me të cilin po ndajnë pronat e këtij fshati, praktikisht u kanë vërsulur policinë private me grushta. Ky djali këtu është një 19-vjeçar që familjes së tij i kanë rrëmbyer pronën. Polica gjoja privatë me kapuçë, me shkopa gome, shikoni ça i kanë bërë, ky është babai i tij, i kanë thyer këmbën. Kur fillova të flisja për këtë çështje në Parlament, nënkryetarja më hoqi fjalën. Sepse për këto çështje nuk duan që të flitet në Kuvend. Në mbrojtje të banorëve të Rrjollit dhe të të gjithë Shqipërisë që po u rrëmbehet prona, do të protestojmë të enjten para Parlamentit dhe nuk na ndalon dot askush. Taulant Balla pa pikë turpi i thoshte ‘do ta pezullojmë 1 muaj këtë’. Pse? Sepse fola për Rrjollin, fola për hallet e qytetarëve”, tha mes të tjerash Shehaj.

Ndërkohë gazetarja e Report TV, Danjela Maloku, e pyeti Shehajn nëse do të votonte në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut pa iu vënë në dispozicion dosja, deputeti nuk i ktheu një përgjigje të prerë.

“Zoti Shehaj kam një pyetje përsa i përket kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Ju u keni bërë thirrje të dyja palëve që t’ju vënë dosjen në dispozicion dhe më pas të vendosni mbi votën. Edhe në këto kushte kur nuk e keni dosjen dhe provat, a do jepni votën pro në Kuvend në momentin që do të hidhet për votim heqja e imunitetit të Ballukut?”, e pyeti gazetarja e Report TV, Danjela Maloku, deputetin Agron Shehaj.

Shehaj tha se dosja e paraqitur nga SPAK për Ballukun po mbahet e fshehur në kasafortat e Kuvendit dhe nuk po u jepet deputetëve për ta parë.

Votimi për imunitetin e Ballukut pa parë dosjen, për Shehajn do të ishte një precedent i rrezikshëm, pasi sipas tij, deputetët do të votonin pa e ditur se çfarë po votojnë.

“Ky është Parlamenti që mbron të korruptuarit. Është i vetmi Parlament në botë që për të patur një interpelancë me Ballukun për 2 vjet rresht ka mohuar. Tani SPAK ka sjellë një dosje për Belinda Ballukun dhe këta e kanë mbyllur në kasafortë. E kanë ndarë me njëri-tjetrin dhe nuk u’a kanë dhënë deputetëve. Atëherë si do të votojnë deputetët kur s’kanë dosjen. Është çështje parimore. Sepse nuk mund të krijohet një precedent në Kuvend, që deputetët të votojnë, pa ditur se çfarë po votojnë. I kemi dërguar kryetarit të Kuvendit një shkresë zyrtare që të na vihet në dispozicion dosja. Nëse ai preferon, mund të na i vërë në dispozicion dosjen brenda një ambienti të mbyllur, por është e papranueshme që dosja të fshihet në kasafortë”, iu përgjigj Shehaj pyetjes së gazetares së Report TV.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Protesta, Balla: Berisha, Ajatollahu i fundit në Europë, sulmoi vilën ku shkoi vetë! Bardhi: S’e dinim që kishte artistë! Shehaj përjashtohet pas përplasjes me PS për Rrjollin