Opera “Traviata” sjell artistët 
ndërkombëtarë në Tiranë

Opera “Traviata” sjell artistët <br />ndërkombëtarë në Tiranë
“La Traviata” e Giuseppe Verdit, do të shfaqet premierë në datën 17 dhjetor, për të vijuar dhe më 18-19 dhe 20 dhjetor, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Drejtoresha e Teatrit Kombetar të Operas dhe Baletit, Zana Çela thekson se këtë herë, 60 vjet pas vënies së parë, “La Traviata” vjen si një produksion unik, që mban vulë ndërkombëtare.

Një kthim në kohë, në historinë e gjithë vënieve të “La Traviatës” në skenën shqiptare të çon 60 vjet më parë, atëherë kur Violetë ishte e madhja Marie Kraja, ndërsa Alfredo ishte Maliq Herri. Pas kësaj shfaqje të parë, do të shënoheshin dhe shumë rivënie, kur kurtizanet e bukura nëpër vite do të ishin Nina Mula, Edit Mihali, Inva Mula, Mariana Leka, Ermonela Jahos, Eva Golemit…Ndërsa Alfredot do të ishin Gaqo Çako, Hysen Koçia, Armaldo Kllogjeri, Saimir Pirgu etj.

Tashmë ka ardhur koha për një tjetër “La Traviatë”, si një superproduksion, unik e internacional, nën drejtimin e mjeshtrit spanjoll, Ricardo Casero, pohon Çela.

Sipas një kocepti të ri regjisorial të austriakes Magdalena Fuchsberger, skenografie moderne (në videoprojektor) nga gjermani Aron Kitzig, do të ketë edhe pjesë baleti nga Gerdi Vaso dhe Enada Hoxha. Kostumografia e Ardit Asllanit ka sjellë një emocion të veçantë tek protagonistët e “La Traviata”. 

Personazhet kryesore, Violeta dhe Alfredo do të interpretohen nga Eva Golemi dhe sopranoja franceze Perrine Madoeuf, nga Armaldo Kllogjeri dhe italiani Giuseppe Tommaso. Perrine Madoeuf u bë e njohur për publikun shqiptar në festivalin Marije Kraja si një konkurrente e fortë dhe me një zë origjinal. Ndërsa në rolin e Giorgio Germontit do të jenë Ylber Gjini dhe Gocha Abuladze. 

Në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm të gjithë artistët, Drejtoresha e TKOB-së theksoi se: “Opera “La Traviata” vjen në këtë mbyllje të sezonit operistik, në kujtim të shfaqjes së parë të Traviatës që teatri i parë i Operës së Shqipërisë e vuri në skenë 60 vite më parë. Sot, ne po kthehemi me një produksion të ri, që këtë herë mban një vulë ndërkombëtare. Uroj që në datat 17, 18, 19 dhe 20, publiku të shijojë dhe gëzojë bashkë me ne dhe të ketë një Brindisi në këtë 60 vjetor të TOB, por edhe të vënies për herë të parë në skenë operën “La Traviata”. Rikthimi bëhet në shenjë vlerësimi për artistët që themeluan këtë teatër! 

Më tej regjisorja Magdalena u shpreh se “Jam shumë e lumtur që kam mundësinë të drejtoj këtë histori të pakohë! Emocionet, pasioni i mrekullueshëm i kësaj historie, imagjinata, iluzionet por sidomos vetmia, e bëjnë këtë vepër të pakohë. Ende sot, të gjithë ne ëndërrojmë e kemi iluzionet tona për dashurinë dhe ishte njësoj edhe qindra vite më parë.

Jam përpjekur vërtetë shumë, përgjatë gjithë drejtimit, t’i bëj të dukshme të gjitha këto emocione te karakteret dhe ta përcjell këtë histori të jashtëzakonshme me emocionet dhe pasionin që i takon”. Një ndër elementët interesant në këtë shfaqje do të jetë dhe koreografia e punuar nga Enada Hoxha dhe Gerti Vaso. “Të jem e sinqertë, nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mend që do të merreshim me koreografinë e operave sepse kemi qenë gjithmonë të fokusuar te baleti dhe për këtë gjë, në opera, kanë qenë të aktivizuar të tjerë njerëz!

Për mua ishte kënaqësi sepse “Traviata” është një nga veprat që e duam fort dhe e kemi krijuar edhe si balet por, e sjell në një risi, dhe me një perceptim të jashtëzakonshëm nga Madalena, për mua dhe Gertin ishte frymëzim. Jo vetëm për pjesën e kërcimit si cigania dhe spanjollja por të jem në rolin e Violetës dhe Alfredos, ishte vërtet shumë emocionuese” u shpreh Enada në fund të konferencës.

[gallery]20184[/gallery]

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre