Policia e Tiranës ka zbuluar dy lokale ku organizoheshin ilegalisht lojëra fati përmes kompjuterëve dhe celularëve.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë vënë në pranga 3 persona, administrator dhe punonjës në këto lokale.

Po ashtu në të dy subjektet u sekuestruan 6 njësi kompjuterike dhe monitorë, 4 celularë dhe bileta me baste sportive.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Multigames”.

Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin ilegalisht, lojëra fati, me kompjuterë dhe me celularë.

Arrestohen 3 shtetas (administrator dhe punonjës në këto subjekte).

Sekuestrohen nga të dyja subjektet, 6 njësi kompjuterike dhe monitorë, 4 celularë dhe bileta me baste sportive.

Në vijim të kontrolleve të bazuara te puna operative, me objektiv evidentimin e subjekteve të vëna në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Multigames”.

Gjatë operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K, 20 vjeç,  S. M., 24 vjeç dhe E. B., 18 vjeç, pasi:

-në rrugën “Muhamet Deliu”, në lokalin që administronte 24-vjeçari dhe ishte punonjës shtetasin B. K.,  dyshohet se viheshin baste sportive, me celularë;

-në rrugën “Mysym Keta” , në lokalin ku ishte i punësuar shtetasi E. B., u gjetën 2 kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të kundërligjshme, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë