GJIROKASTËR - Ndalohen edhe 47 emigrantë klandestinë nga shtete të ndryshme që kanë hyrë në Shqipëri me qëllim kalimin në një shtet tjetër në Europë. Policia kufitare e Gjirokatrës ka zhvilluar dy operacioni gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme për ndalimin e klandestinëve.

Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, në operacionin e parë të zhvilluar në shtratin e lumit Drinos, poshtë fshatit Radat, efektivët e policisë kufitare dhe ato të anti-trafiqeve, kanë bllokuar 30 emigrantë klandestinë.

Të bllokuarit vinin nga shtete të ndryshme si Afganistani, Pakistani dhe Sudani. Mes emigrantëve klandestinë, janë edhe katër femra.

Pak orë më pas, një tjetër operacion i policisë kufitare ka bllokuar 17 emigrantë klandestinë, të ardhur nga Sudani dhe Algjeria.

Këto aksione janë organizuar me ndihmën e mjeteve llogjistike, kamerave termike të bëra dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllimin kontrollimin sa më të mirë të kufirit të Shqipëri.
 
Redaksia online
(pn/ac/shqiptarja.com)