Shqiptari i parë që tentoi të sillte kokainë me nëndetëse nga Kolumbia në Porto Palermo në sitën e OFL

TIRANË- Leko Durda dhe Arben Bërballa janë dy personat e radhës që OFL ka shënjestruar dhe u ka dërguar formularin që brenda 48 orësh të justifikojnë e të deklarojnë burimin e krijimit të pasurisë së tyre. Të dy këta persona, banues në Tiranë janë arrestuar në vitin 2001, ku së bashku me persona të tjerë kanë tentuar të trafikojnë kokainë nga Kolumbia.

Po kush është Leko Durda, ose siç njihet ndryshe Frederik Durda i dënuar me 16 vite burg? Leko Durda u arratis nga Shqipëria gjatë periudhës së komunizmit, për t'u rikthyer më pas "me një qëllim". Duke shfrytëzuar lidhjet përtej oqeanit, Durda është i pari shqiptar që ka tentuar të transportojë drogë me nëndetëse duke përdorur si bazë Porto Palermon. Një gjë e tillë ishte parë më herët në Kolumbi, ku dhe ishin kapur disa nëndetëse, por Durda e solli edhe në Shqipëri dhe tentoi të vinte në zbatim këtë plan. Madje dy kolumbianë erdhën në Shqipëri ku dhe vëzhguan terrenin rreth viteve 1999-2000. Në vitin 2001 Durda u arrestua, por bëri vetëm 10 vite burg pasi në 2010 fitoi lirinë. I përfshirë ishte edhe ish- kreu i policisë gjyqësore në Vlorë, Sokol Koçiu, i cili akuzohej se kishte krijuar lehtësira për këtë kartel droge.

Arben Bërballa, ose bashkëpunëtori i Durdës, anëtar i grupit "Kokainë" është personi tjetër që OFL i kërkon të justifikojë pasurinë. Bërballa në 2009 fitoi lirinë me kusht për sjellje të mirë, kur i kishin mbetur edhe 2 vite e 7 muaj burg. Ai u dënua me 15 vite burg për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale”. 

Pjesëtarët e grupit "Kokaina" u arrestuan gjatë muajve shkurt-mars të vitit 2001, pas një operacioni të nisur nga Kolumbia dhe Italia, për dyshimet e ngritura rreth tentativës së trafikut të drogës nga Amerika Latine. Ndërkohë, në atë kohë, 25 deputetë të opozitës i kërkuan Parlamentit, shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipit të cilin e akuzuar sit ë implikuar në këtë rast, për shkak të miqësisë së ngushtë që ai kishte me Sokol Koçiun, pasi ishte edhe eprori i këtij të fundit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:09
Kush është Arben Përballa i grupit 'Kokaina' nga Kolumbia! Nga 15 vite burg, bëri vetëm 9...u lirua për sjellje të mirë

Arben Përballa është ish- anëtari i grupit Kokainë, që u arrestua në vitin 2001. Ai u lirua me kusht nga gjykata në vitin 2009 për sjellje të mirë, ku gjyqtari Ilir Çeliku shqyrtoi dosjen e të pandehurit, sjelljen e tij të cilin e vlerësoi të mirë, dhe faktin që i kishin mbetur rreth 2 vite e 2 muaj burg, pranoi kërkesën e Përballës për lirim me kusht.

Ai ishte akuzuar për organizimin e trafikut të narkotikeve dhe kokainës, nga Kolumbia në Shqipëri në vitin 2001, krijim të organizatave kriminale, trafikim të lendeve narkotike, armëmbajtje pa leje.

Pesë pjesëtarët e grupit "Kokainë" ishin Frederik Durda, i dënuar me 16 vjet burg, Arben Përballa me 15 vjet, Sokol Koçiu me 15 vjet, Mentor Hadërgjonaj me 7 vjet burg (tani është lëne i lirë), Vehbi Hysi me 5.5 vjet, (vdiq në maj te 2003 pak muaj para se të lirohej), ndërsa Alfred Nanaj, me 6 vjet burg. Procesi ndaj tyre ka qenë shumë i bujshëm edhe për faktin se asokohe u përfol dhe implikimi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi, i cili ishte një ndër miqtë e ngushtë dhe eprori i Sokol Koçiut.

Ora 14:03
Kush është Frederik Durda që OFL i kërkon të justifikojë pasurinë... arratisja nga Shqipëria te fotot në helikopter privat në Kolumbinë e Eskobarit

Kush është Frederik Durda që OFL i kërkon të justifikojë pasurinë? Në vitin 2001 u shpartallua një rrjet i trafikut ndërkombëtar që niste në Amerikën Latine dhe kishte si stacion të parafundit Shqipërinë.

Hetimet e atëhershme nxorën një grup bërthamë trafikantësh shqiptar në Tiranë, si menaxhuesit e ngarkesave prej mijëra kg droge që ishin destinuar për në tregun Ballkanit. Në krye të gjithë këtij rrjeti akuzohej se qëndronte Frederik Durda. Ky 42 vjeçar ishte arratisur në vitin 1976, gjatë dikatatures komuniste, nga Shqipëria drejt SHBA. Por shumë shpejt atje do të kishte pune me drejtësinë amerikane, e cila e dënoi në vitet '80 për mbajtje dhe tregtim lëndesh narkotike. Pas rënies së komunizmit Durda do të rikthehej në Tiranë.

Ai ngriti një firmë import-eksport të lëndëve të ndërtimit, gjë e cila do ia lehtësonte punën në aktivitetin e tij të paligjshëm. Durda zhvendoset në Tiranë në një shtëpi  në një zonë të shtrenjtë në kryeqytet, ndërkohë që merr me qira në Athinë, ish- vilën e njërit prej kapove të vrarë nga mafia ruse. Lëvizjet e tij të shpeshta drejt Greqisë dhe të vëllait të tij në Itali në 1998, ngritën dyshimet e autoriteteve, të cilët nisën hetimet.  

Në këtë vit ka qenë edhe udhëtimi i tij i parë në Medelin, në Kolumbinë e Pablo Eskobarit. Madje hetuesit kanë pasur edhe foto të Durdës në bordet e helikopterëve privat apo pranë kuajve të vilave dhe kuajve të racës në Kolumbi, e ndërsa në ato vite Shqipërinë nga 19 qershori 1999, e vizituan njëri pas tjetrit, 4 kolumbianë.

Në pronësi të tij ishte anija "Privilege",ku me dokumentacion shkruhej se transportonte çimento, do të sillte drogën nga Kolumbia në Vlorë, ku mendohej se gjithçka do të ishte më e lehtë, për shkak të ndihmës të Sokol Koçiut, drejtor i policisë së kësaj zone, i akuzuar si pjesë e grupit. Pas kapjes së tonëve kokainë në një manune me lëndë ndërtimi, 2 të tjera të bllokuara në Holandë, ranë në gjurmët e rrjetit, ku u vërtetua se destinacioni i parafundit i kësaj sasie ishte Shqipëria. 

Për 6 muaj të tjerë i gjithë rrjeti është mbajtur nën survejim të plote duke u regjistruar rreth 10 mijë biseda telefonike. Natën e 2 shkurtit, në 7 shtete njëherësh u arrestuan 21 persona, te konsideruar si hallkat kryesore të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Mes tyre figuronin edhe emrat e Frederik Durdës dhe vëllait te tij. Pak ditë më vonë, fletë- arresti u firmos edhe për shefin e policisë gjyqësore të Shqipërisë. Frederik Durda u dënua në vitin 2001 me 16 vjet, por në 2010 doli i lirë.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A.n.: 24/02/2020 16:07

    Na jane bere kodrat tona vrima-vrima nga fabrikat e cimentove kurse ky shkon dhe e blen ne Kolumbi. Hallall :)

    Përgjigju
  • Qio: 24/02/2020 15:02

    Kush jane prokuroret dhe gjygjtaret kriminele qe liruan ket bandit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së

Planet e administratës së re amerikane për reformimin e FBI-së