Operacioni i prangosjes/ Ministri Lleshaj: Balili u gjurmua nga partnerët dhe shërbimi sekret (E PLOTË)

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi sot në mesditë në orën 12:00 zyrtarisht se Klement Balili është vendosur në prangat e Policisë së Shtetit. Ministri nuk dha shumë detaje nga operacioni, por sqaroi se është bërë në bashkëpunimin me partnerët dhe shërbimin sekret.

Deklarata e plotë për mediat e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj
Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë.

Nga sot, drejtësia shqiptare merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët e vendit tonë marrin, jo vetëm një lajm të rëndësishëm, por dhe një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë që duam.

Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t'u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse.

Zbatimi me konsekuencë nga Qeveria shqiptare i një politike transformuese në raportet e shtetit me krimin dhe i një lufte pa kompromis kundër krimit të organizuar po e ngushton përditë e më tepër hapësirën e veprimit për të gjithë ata persona apo grupe që në rrugën e anti-ligjit, bënë shumë të këqija për dekada me radhë.

Me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka operacioni për arrestimin e Klement Balilit, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave.

Kam edhe një mesazh të qartë nga dita e sotme: Rruga e vetme, e arsyeshme, që mbetet për të gjithë ata që janë vënë përballë ligjit është vetëm bashkëpunimi me drejtësinë. Një tjetër rrugë më të mirë për ta nuk ka dhe nuk mund të ketë!

Qeveria Shqiptare, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera të këtij vendi, sot janë më shumë se kurrë të inkurajuara dhe të motivuara për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si parakushtin bazë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, sigurinë dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit europian.

Balta dhe histeria e politikës me krimin, jo vetëm s’na ndalin, por na motivojnë edhe më shumë. Faleminderit!

Pyetje: Ku u kap z.Balili, pasi në media më herët, është përfolur që ai është vetëdorëzuar në polici dhe për mendimin tuaj si ka mundësi që një eksponent i krimit për dy vjet arriti që t’i shpëtojë policisë?
Ministri Lleshaj: Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e operacioneve të tilla për ndalimin e personave të këtij karakteri, besoj do të jetë e qartë që kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim dhe me partnerë të Shqipërisë, të cilët kanë mundësuar që personi në fjalë të dorëzohet në Policinë e Shtetit.

Pyetje: Çfarë keni negociuar me të?

Ministri Lleshaj: Detaje operacionale nuk mund t’ju jap.

Pyetje: Çfarë sigurie i ofruat atij që u vetëdorëzua?

Ministri Lleshaj: Sigurinë e një procesi të drejtë ligjor.

Pyetje: Që do të thotë?

Ministri Lleshaj: Një proces i drejtë ligjor. Faleminderit!

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë