TIRANE- Strukturat e Policisë së Shtetit brenda një jave kanë evidentuar 60 raste të ndërtimeve pa leje. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se nga operacioni i nisur në rang vendi, vetëm javën e kaluar janë arrestuar në flagrancë 7 persona, 46 po ndiqen në gjendje të lirë, dhe 7 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, Policia e Shtetit njofton se edhe në javët në vazhdim do të vijojë puna për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të pa ligjshme.

Kontrollet e ndërtimeve pa leje
Gjatë javës së kaluar, në të gjithë vendin, ka vijuar puna e Strukturave të Policisë së Shtetit për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të cilët ndërtojnë pa leje, qoftë edhe duke bërë shtesa apo mure ndarëse në banesat e tyre. Sipas një njoftimi zyrtar, policia tha se për një periudhë një javore, konkretisht nga data 27 Korrik deri më 2 Gusht në të gjithë vendin Strukturat e Policisë së Shtetit kanë çdo ditë me disa grupe të përbashkëta duke kryer kontrolle në të gjitha zonat.