TIRANE - Gjatë operacionit të policisë lidhur me shpërthimet e ndodhura mëngjesin e së martës në Tiranë, polica ka shoqëruar dhe mban të arrestuar disa persona, mes tyre edhe Alfred Qefalinë, shokun e Admir Tafilit, i njohur për arratisjen nga burgu i Drenovës.

Ai është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi ndaj rëndon masa e arrestit me burg lidhur me akuzën se ka ndihmuar vëllezërit Tafili të arratisen nga burgu i Drenovës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2013.

Gjatë arrestimit, policia ka zbuluar dhe sekuestruar një armë zjarri tip “Zastava”, të cilën e kishte pa leje. Gjatë kontrollit në banesë, uniformat blu kanë zbuluar dhe sekuestruar gjithashtu edhe një armë zjarri tip ”Shotgan” një veshje antiplumb, 26 fishekë pistolete, 19 fishekë armë gjahu dhe dy dylbi për armë zjarri.

Qefaliaj nuk është i panjohur për policinë shqiptare pasi përvec faktit se është një nga të dyshuarit që ka ndihmuar në arratisjen e vëllezërve Tafili nga burgu i Drenovës ai është arrestuar edhe herë të tjera për armëmbajtje pa leje si dhe trafikimi të lëndëve narkotike. Në muajin Mars të vitit 2011 Qefaliaj është arrestuar në Tiranë me 2.7 kilogram heroinë. Policia gjatë një kontrolli të rastësishëm në Farkë pas një plagosjeje ka gjetur në shtëpinë e Qefaliajt armët dhe sasinë e drogës.
 
Po ashtu Qefaliaj është edhe i disyshuar si një autor i vendosjes së bombave me tritol, dhe nisur edhe nga ky fakt policia po heton lidhur edhe me përfshirjen e tij në tritolet ndaj familjes Tahiri, mëngjesin e së martës.


Redaksia Online
(e.c/f.m/shqiptarja.com)