Mero Baze: Operacioni që riktheu dinjitetin e drejtësisë kundër krimiṯ

Mero Baze: Operacioni që riktheu dinjitetin e drejtësisë kundër krimiṯ

SPAK

Ka tri ditë që shtypi shqiptar është kthyer në një telenovelë krimi, për shkak të rrjedhjes së dosjeve të një liste prej 32 personash të shpallur në kërkim nga SPAK, dhe që është mundur të ekzekutohet pjesërisht nga policia shqiptare.

Rrjedhja e historive të dosjeve të krimit në shtyp, në fakt nuk është ndonjë sukses i gazetarisë investigative, por më shumë një mënyrë dekonspirimi dhe lajmërimi e personave në kërkim për atë që ndodh brenda mureve të organit të hetimit.

Madje këtë lajm shumica e këtyre personave në kërkim kanë pas fatin ta marrin në emisionet e darkës në TV, kur thuhej “me kompetencë”, referuar “burimeve të mija”, se Dumani po zbërthehet në qeli, që ishte sikur të thoshe “ikni se ju kapën”.

Po përtej kësaj praktike të shëmtuar të policisë dhe prokurorisë, që përdor tellallë publik për të trembur gjahun e tyre, ky është një nga operacionet më të suksesshme që SPAK ka arritur të bëjë në historinë e goditjes së krimit në Shqipëri.

Janë së paku 32 urdhër arrestesh, që përfshijnë në fakt të gjithë gjeografinë dhe historinë e krimit të këtyre dhjetë viteve në Shqipëri. Janë të gjithë në kërkim, ose pas hekurave, si ata që janë mburrur se mbështeteshin nga pushteti, ashtu dhe ata që mburreshin me opozitën.

Goditja është thelbësore dhe dëshmon se SPAK ka bërë më në fund një goditje e cila nuk mund të mos lavdërohet. Kritikat ndaj SPAK rreth proceseve antikorrupsion, dhe ashtu të motivuara politikisht, janë dytësore në raport me vlerësimin që politika duhet t’i japë SPAK për këtë operacion që ka bërë.

Prej vitit 2005, kur Olldashi goditi disa nga emrat më të rëndësishëm të botës së krimit të asaj kohe, ky operacion është më i madh, më i gjerë dhe më jopolitik se ai. Është ndoshta operacioni më i madh i drejtësisë kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Në qendër të suksesit të operacionit qëndron aftësia e policisë për të kapur dhe zbërthyer ditët e para një nga personazhet e kësaj historie, Nuredin Dumani. Pas kësaj situatën e ka marrë në dorë SPAK-u, përmes dy prokurorëve kruajozë, Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu, të cilët kanë prerë 32 urdhër arresti, nga të cilët 10 janë ekzekutuar atë ditë, 9 prej tyre janë në burg për vepra të tjera, 3 persona janë jashtë vendit dhe po ndiqen me procedurë ndërkombëtare, ndërsa dhjetë persona janë në kërkim pasi nuk janë gjendur.

Praktikisht SPAK ka pastruar territorin nga bota e krimit me një goditje cerebrale dhe kjo është një shenjë e seriozitetit të tyre. Në një vend ku krimi, politika dhe biznesi është shumë e vështirë të kuptohet ku fillon njëri e ku mbaron tjetri, një vendim i tillë kurajoz, tregon se drejtësia po bën punën e saj. 

Ishte pozitive që qeveria e përshëndeti në bllok aksionin. Ishte akoma më pozitive që zoti Alibeaj e përshëndeti aksionin, duke shtuar se kjo provonte tezat e opozitës për ekzistencën e krimit të organizuar në vend.

Është akoma më sinjifikative që aksionin e sulmoi Sali Berisha, duke hedhur baltë për këtë operacion, pasi për shumicën e personazheve në kërkim, nuk ka guxuar të hapë gojën kur kanë vrarë, dhe kur ishte në pushtet, dhe kur ishte në opozitë.

Kjo tregon se kush ka halle të përbashkëta me drejtësinë, ka dhe qëndrime të përbashkëta. Por e rëndësishme është që tani janë duke u përballur me drejtësinë.

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar