Lezhë- I shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar "Revanshi", arrestohet i dyshuari Elvis Ndreca

28-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Shtetit.

Elvis Ndreca doli në përgjimet e SKY ECC, në dosjen "Revanshi" të SPAK. Ndreca akuzohet nga SPAK për veprën penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” ndaj Durim Bamit.

Operacioni për arrestimin e tij është koduar “Wanted”. 

“Kapet një 28-vjeçar i shpallur në kërkim, i akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, bëri me dije policia. 

Në aksion kanë marrë pjesë Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin. 

“Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, sqaroi policia. 

Pas prangosjes, Ndreca iu dorëzua Policisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme proceduriale.

Më 31 Janar Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave për anëtarët e 7 grupeve kriminale, që u goditën në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Në kuadër të këtij operacioni të ndërmarrë në maj 2024 u krye fillimisht arrestimi i 20 personave, 14 prej të cilëve në Shqipëri, dhe 6 jashtë vendit, përkatësisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë.