Opinioni i shqiptarëve rreth kërcënimit të sigurisë në Shqipëri e Ballkan nga lufta në Ukrainë

Opinioni i shqiptarëve rreth kërcënimit të sigurisë në Shqipëri e Ballkan nga lufta në Ukrainë

Protestë në Tiranë kundër luftës

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tregoi se siguria në kontinentin evropian nuk mund të merret e mirëqënë dhe se agresioni përmes forcës ushtarake nuk është një opsion i tejkaluar, siç shumë mendonin në vendet perëndimore, përfshirë dhe në establishmentet e sigurisë. Nga ana tjetër, agresioni rus në Ukrainë tregoi rëndësinë e kombinimit të fuqisë ekonomike me atë ushtarake dhe të kohezionit politik mes NATO-s dhe BE.

Por më paparashikueshme se sa vetë sulmi i Rusisë rezultoi mobilizimi dhe qëndresa e popullit të Ukrainës. Falë këtij mobilizimi, Ukraina ia doli të përballojë një forcë ushtarake me përmasa që tejkalojnë disa herë fuqinë e saj ushtarake.

Sigurisht që nuk mund të mos lihet pa theksuar lidershipi politik i presidentit të Ukrainës dhe mbështetja e vendeve perëndimore, por pa qëndresën e popullit të Ukrainës dobia e tyre do të ishte e diskutueshmë në vendosjen e fatit të luftës.

Faktor tjetër që duhet theksuar është performanca e ushtrisë ruse e cila ishte e demotivuar, me zixhir komandimi të dobët dhe që se fundi e pa mundësinë e fitores përmes dhunës së padiskriminuar dhe masakrave ndaj civilëve.

Korrupsioni sistemik në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë së Rusisë, të manifestuara në korupsionin në prokurime, minoi logjistikën dhe bëri që ushtarët rusë të kishin pajisje dhe furnizime të pamjaftueshme në terren.

Barometri i Sigurisë, i cili kryehet nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes që prej  vitit 2019, duke ju përgjigjur zhvillimeve të fundit të sigurisë, ka përfshirë dhe pyetje për luftën ne Ukrainë dhe implikimet e saj.

Edicioni 2022 i Barometrit të Sigurisë, rezultatet e plota të të cilit do të publikohen muajin e ardhshëm, ka reflektuar zhvillimet më të fundit të sigurisë në kontinentin europian duke përfshirë edhe pyetje që matin opinionin e qytetarëve shqiptarë mbi luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj për Shqipërine dhe rajonin e Ballkanit.

Të pyetur se “Deri në çfarë mase lufta e Rusisë ndaj Ukrainës përbën një kërcënim sigurie për Shqipërinë?”, 53.6% e qytetarëve e shohin si kërcënim të madh ose shumë të madh (përkatësisht, 37.8% e 15.8%), ndërsa 31.6 % shprehen se lufta përbën një kërcënim të vogël. Rreth 15% mendojnë se kjo luftë përbën një kërcënim sigurie shumë të vogël ose nuk përbën fare kërcënim.

Të pyetur se “Deri në çfarë mase, veprimi i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një kërcënim sigurie për Ballkanin?” 72.1% e qytetarëve e shohin si kërcënim të madh ose shumë të madh (përkatësisht, 50.3% e 21.8%), ndërsa 22.8 % shprehen se lufta përbën një kërcënim të vogël dhe vetëm rreth 4.4% thonë se kjo luftë përbën një kërcënim sigurie shumë të vogël ose nuk përbën fare kërcënim për rajonin e Ballkanit.

Kjo diferencë e dukshme ndërmjet perceptimit të për kërcënimin e sigurisë së Shqipërisë dhe kërcënimin e rajonit të Ballkanit duket e justifikuar po të kihen parasysh ndikimi i Rusisë në disa vende të ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë dhe Serbi, si kërcënimet e drejtpërdrejta të Presidentit Putin kundër zgjerimit të metejshëm të NATO-s në Ballkan.

Agresioni rus ndaj Ukrainës vërtetoi se perplasja mes autokracisë dhe demokracisë, të cilat përbëjnë vijat kryesore ndarëse të politikës aktuale globale, ishte baza ideologjike e këtij agresioni.

Barometri i Sigurisë e ka vendosur theksin pikërisht tek ndërlidhja e sigurisë me shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe ka vendosur theksin tek forcimi i legjitimitetit demokratik të institucioneve të sigurisë si themel i sigurisë së një vendi. Qëndresa e Ukrainës e vërtetoi për të disatën herë këtë supozim.

*Arjan Dyrmishi është Drejtor te Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Policia sekuestron fishekzjarrë dhe kapsolla! Procedohet penalisht pronarja e subjektit

Korçë/ Policia sekuestron fishekzjarrë dhe kapsolla! Procedohet penalisht pronarja e subjektit