Nëse do t’i referoheshim thënies së njohur prej shumë kohësh të Gandit të madh, se arti i politikës është të mashtrojë njerëzit, në Shqipërinë aktuale kjo është e pamundur, së paku për një pjesë të madhe të tyre. Themi kështu, sepse ende nuk është mbushur veçse një vit, kur votat masive (të tilla si asnjë herë tjetër) në zgjedhjet periodike parlamentare rrëzuan nga pushteti Sali Berishën, Partinë Demokratike të drejtuar prej tij dhe ndonjë forcë tjetër politike pa integritet apo si shtojcë e saj, duke ia besuar qeverisjen e vendit një koalicioni të majtë. Dhe gjithçka ndodhi, ngaqë populli me idealet e veta për vërtetësinë e një jetese dinjitoze, përfundimisht nuk mund të pranonte që të bëhej pre e teshtimave të pështira të kreut të së djathtës, se Shqipëria gjoja na përjetonte ritme të larta të cilësisë së jetesës të krahasueshme me ato të vendeve më të zhvilluara të planetit etj, etj, deklarata këto që tashmë pak kush mund të guxonte që t’u zinte besë apo thjesht t’i zinte më gojë.

     Mirëpo pas kalimit të saj në opozitë, kryesuesit e Partisë Demokratike bashkë me ata të atyre forcave të vogla rudimentare të saj, në vend që të analizonin me vëmendje shkaqet e planditjes në opozitë, çka deri më 23 qershorin e kaluar s’ua merrte fort mendja, nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse përpiqen të tregojnë muskujt në emër të popullit, qysh në fillimet e konstituimit të Legjislaturës së re. Të tregojnë muskujt ndaj mazhorancës politike dhe Qeverisë së emëruar prej saj, duke kërkuar mbajtjen e premtimeve që kishin eklipsuar vizionet miope të të vjetërve pushtetarë.

Mbajtjen e atyre premtimeve, si punësimi i 300 mijë individëve etj., realizimi i të cilave ishte deklaruar dhe mundësohej të shtrihej jo në 100 ditë dhe as vetëm në 6 muaj, por në harkun kohor katërvjeçar të mandatit, që i kishte ofruar elektorati krahut të majtë të politikës shqiptare. Prandaj, së paku deri tani, muskujt e krahut të djathtë kanë paraqitur ca inde të squllëta, të cilat nuk mund të rrëzojnë e përmbysin dhe as vetëm të dëmtojnë krahun tjetër, së fundmi të rinuar me pushtetin e fituar.

     Sidoqoftë, nuk është vetëm koha e shkurtër e ndryshimeve politike, që paralajmëruan më herët perspektivën e këtij vendi në familjen evropiane. Ajo çka e dobëson akoma më tepër rolin e opozitës nuk është as numri i vogël i votave që zotëron në Parlament, por ajo çka buron prej vetë qëndrimeve të saj ende të parinovuara: forca që pretendon të ushtrojë dhe deklaratat që lëshon nuk mund të kenë jehonë brenda dhe jashtë vendit, sepse kjo opozitë është e pabesueshme. Që në fund të shtatorit të kaluar, ajo kërcënoi me një valë protestash, të cilat – sipas krerëve të opozitës – do të trondisnin madje edhe rendin shtetëror.

U shfrytëzua transmetimi i disa sekuencave filmike, ku tregohej dhënia e 2000 lekëve secilit prej disa të rinjve studentë të Tiranës, që do të duhej t’u kompensoheshin shpenzimet e udhëtimit për të marrë pjesë në votimet e pjesëshme për organet e pushtetit vendor në Korçë, qytetin ku ata kishin banimin e përhershëm. Nga gjithë ajo propagandë që ushtoi atëhere për një protestë masive që do të organizonte opozite përpara Kuvendit apo Kryeministrisë, çfarë doli? Pikërisht ajo që shprehet në aforizmin e vjetër: “U mbars mali, polli një mi”. Dhe kjo ndodhi jo pse shumica e qytetarëve të Tiranës dhe rretheve të tjera e dinin motivin real të asaj “vjedhjeje” votash nga Partia Socialiste në Korçë, por sepse Partia Demokratike që organizonte protestën kishte grabitur dhe falsifikuar me të dyja duart votat në e zgjedhjet e përgjithshme të 2009 - s dhe ato për pushtetin vendor të 2011 – s në Tiranë.

Disa javë më pas u tha, se do të bëhej qameti nga protesta që do të organizonte Partia Demokratike mu në mes të Tiranës për papunësinë që – sipas saj - po lulëzonte për shkak të keq -qeverisjes tre mujore të së majtës, por përveçse ishin pak, shumë pak police dhe policë që përbënin kordonin ruajtës të Kryeministrisë, drejt tyre “marshuan” jo më shumë se sa 6 mijë veta, një pjese të të cilëve e përbënin punonjës të ndërmarrjeve dhe të administratës së Bashkisë së Tiranës, që kryesohet prej përfaqësuesit të PD.

Dhe kjo ndodhi jo pse organizatorët nuk mund të siguronin, si edhe herë të tjera, aq lekë sa do të nevojiteshin për të lëshuar në Bulevardin e Kryeqytetit 150 mijë (alias) qytetarë sa ç’u deklarua, por mbi të gjitha sepse ende mbetet e thellë dhe tërë gjak plaga e shkaktuar më 21 janar 2011, kur u vrarë 4 të pafajshëm me duar në xhepa dhe u plagosën shumë tjerë, si pjesëmarrës të një proteste paqësore të popullit ndaj qeverisjes së opozitës së sotme, e cila për kryetar ‘de fakto’ ka pikërisht kryeministrin e atëhershëm dhe për kryetar ‘de jure’ atë që atëhere ushtronte funksionet e ministrit të Brendshëm.

Por, le t’i lemë këtu protestat, që u ndërprenë pa mundur të thurin vargun e deklaruar të tyre dhe t’i hedhim një sy shkarazi veprimtarisë, që mund ta klasifikojë me plot gojën opozitën reale. A mund të quhet kjo e tillë, kur shumëkush jashtë rradhëve të saj shpreh rezerva të forta për notat e urrejtjes së shprehur me deklarata të ndryshme? Fillojnë seancat plenare në Kuvend dhe pakush do të kishte dëshirën t’i ndiqte ato deri në fund, nga llozha apo ekrani, sikurse çdokush e di fare mirë që opozita do të largohet pa nisur mirë diskutimi dhe miratimi i projktligjeve apo vendimeve. Mblidhen komisionet e përhershme parlamentare dhe përherë nga deputetët e opozitës nxiten debate të zjarrta, që dalin nga kuadri i konfrontimeve demokratike për ballafaqim idesh dhe programesh, sigurisht në linja politike të ndryshme, të cilat sidoqoftë duhet të çojnë në një legjislacion të njëjtë.

Jashtë këtij kuadri konfrontimesh, ajo del edhe për projekte të reja shumë të rëndësishme kombëtare, që shqiptarët të kuptojnë sfidat e mëdha, me të cilat duhet ta shoqërojnë jetën e tyre. Për shembull, në rastin e nismës për ndarjen administrative - territoriale, assesi nuk mund të besohej pjesëmarrja aktive e opozitës, e cila ndonëse shprehet pro saj, përsëri vendos pozicionin e ngushtë partiak në vend të zhvillimit të efektshëm të të gjithë vendit, duke iu frikur deri në palcë shpërbërjes së zonave të vogla, tepër të varfëra dhe të veçanta të hartës së Shqipërisë, nga ku shpreson që me mashtrime të marrë votat, për të mbijetuar në zgjedhjet e ardhshme.

Dhe kështu pra, ndonëse nga mazhoranca parlamentare iu plotësuan asaj kërkesat e parashtruara një për një: edhe pjesëmarrja e numrit të barabartë në Komisionin përkatës, edhe bashkëkryesimi i këtij Komisioni, madje edhe e drejta e vetos për opsionet e paraqitura, opozita ende nuk vendos të përfshihet në këtë nismë, pa u lejuar funksiononimi i institucioneve me në krye individët e zgjedhur vetëm prej saj dhe sipas orekseve të veta.

Në këto situata, vështirë të besohet kreu i Partisë Demokratike, kur më shumë se sa një herë është shprehur që opozita do të ndihmojë me çdo mënyrë për të përfituar Shqipëria statusin e Shtetit kandidat për në BE. Vështirë të besohet kreu i Partisë Demokratike, sepse vetëm fare pak muaj nga koha kur parashikohet dhe besohet që Këshilli i Evropës të mos e shtyjë për më tej firmosjen e aktit, të cilin e kishte në tryzën e vet ovale që në dhjetorin e kaluar, përfaqësuesit e opozitës në Tiranë gjatë Takimit të Nivelit të Lartë mbi pesë kushtet e mbetura për akordimin e statusit, një lumë akuzash vërshuan atje ndaj qeverisjes së re, aq sa një nga dy drejtuesit e këtij Takimi, Komisioneri evropian Shtefan Fyle ua ndërpreu fjalën.

Vështirë të besohet opozita në angazhimin e saj për t’u përftuar statusi, kur në Strasburg përfaqësuesit e saj gjatë një takimi ndërparlamentar me eurodeputetë nuk pranuan të firmosnin Deklaratën e përbashkët që mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa u pasqyruar në ‘të 8 propozimet apo pretendimet që opozita i mban si gozhdë e Nastradinit edhe brenda “shtëpisë së përbashkët evropiane”. 

Përkundër gjithë kësaj veprimtarie çoroditëse, regresiste dhe obstruksioniste, i aftë për konsensus apo gjithpërfshirjen që kërkohet nga Brukseli është një ideal liberal i pikëpamjes politike, i cili vendos në qendër tolerancën e gjerë ndaj mendimeve dhe opsioneve të ndryshme. Një ideal i tillë aq më pak mund të pajtohet me prirjen për ta konsideruar Qeverinë, brenda gjashtë muajve të para të saj, si të dështuar, kur pikërisht ajo forcë që formulon këtë akuzë u detyrua të largohet nga pushteti prej mashtrimeve dhe dështimeve të shumta e të njëpasnjëshme të saj. Dhe ç’është më e keqja, kur kjo forcë i mban akuzat e saj në majë të gjuhës edhe atje, ku varet e ardhmja më e mirë e këtij populli. Apo atje ku, përkundër kësaj, ëndra mbi 20 vjeçare e tij “për ta bërë gjithë Shqipërinë si Evropa” politikanë të dështuar nga pakica e këtij populli duan t’ia kthejnë këtij në zhgjëndër.

Në këtë kontekst, kryetari ‘de jure’ i politikanëve të tillë lëshon ndërkohë pickamën: nëse nuk jepet statusi, fatin e vendit do ta marrin në dorë “qytetarët e lirë” të tij. Një pickamë kjo që mbështetet te të ashtuquajturit skenarë boshnjakë dhe ukrahinas, të cilët opozita shqiptare kujton dhe shpreson se mund të realizohen, për t’u kthyer ajo në pushtet. Por, pavarësisht të qeshurave satirike që provokojnë këto lloj skenaresh, që nuk mund të kenë asgjë të përbashkët me kushtet e Shqipërisë dhe me kohën që po kalon ajo, së bashku me popullin shqiptar edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet aleate apo Alenaca politiko-ushtarake e tyre nuk do të lejonin kurrësesi një destabilizim të ri të vendit tonë, në rradhën e atyre që ka shkaktuar pikërisht qeverisja dikur e paskrupullt e kësaj opozite ende të pandryshuar në ide dhe qëndrime.

E kësaj opozite, e cila nuk do ta kuptojë, se me gjithë ndryshimet e veçanta të situatave në vende të ndryshme, një nga vlerat e përbashkëta të Perëndimit, të cilat e dallojnë atë çka ne e quajmë dhe ku duam të integrohemi – Evropë, është aftësia për konsnsus apo gjithëpërfshirje, nëpërmjet formimit dhe aplikimit të vazhdueshëm të idealit libral të pikëpamjes politike, që e përmendëm më lart. Pra, vetëm ata që janë të gatshëm, në kushtet e shoqërisë liberale, të hapur për të bërë politikë janë të mirëpritur në Evropë, për të diskutuar paraqitjen e një shteti aktiv e të fuqishëm, por edhe për të parë një përkufizim stilistik të Shteteve, nga të cilët përbëhet Evropa e sotme, si një komunitet vlerash politike.                          
Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)