KOSOVE­- Liderët e tre partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës pa lejen e sigurimit, kanë futur me forcë në Kuvend peticionin me nënshkrimet e qytetarëve që kundërshtojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa ka hyrë me forcë bashkë me liderët e tjerë, ka thënë se është e pakuptimtë që të mos lejohet futja e disa dokumenteve në Kuvend.

“Po teprohet prej pushteti edhe duhet ta kuptojnë edhe ata, që në rast se mendojnë se mund të veprojnë kështu, kuptohet se do të ketë mosdëgjueshmëri edhe ndaj këtyre rregullave. Ne i respektojmë të gjitha rregullat, por edhe rregullat duhet të respektojnë detyrën dhe obligimet e deputetit”, ka thënë Haradinaj.

 Ai ka theksuar se si opozitë janë të vendosur që të vazhdojnë me kundërshtimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Pas futjes në Kuvend, liderët opozitarë para medieve kanë treguar se janë mbledhur mbi 200,000 nënshkrime të qytetarëve.Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se peticioni i organizuar nga opozita, është peticioni më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë.

Të tri partitë në opozitë, kanë ritheksuar se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, përderisa, siç po pretendojnë ato, kryeministri Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet nga Marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Në të kundërtën, opozita i kërkon dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe gjithë Qeverisë së Kosovës.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)