Samiti i Diasporës është kthyer në temë debati në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. Kryetarja Ina Zhupa thotë se komisioni duhet të ishte i përfshirë, ndërsa s’ka pasur transparencë për axhendën apo pjesëmarrësit. Ajo tha se çështja nuk qëndron te ftesa, por mazhoranca përjashton komisionin që ka ngritur vetë. Erion Malaj i tha se biseda s’duhet të politizohet.

Ina Zhupa: Prita që komisioni duhet të ishte përfshirë. Asnjë transparencë për komisionin se si u zgjodhën pjesëmarrësit, si u caktua axhenda, sepse ne duhet të ishim bashkëorganizatorë. Duke qenë se Komisioni i Diasporës drejtohet nga opozita kjo ka qenë e mjaftueshme për të mos e përfshirë komisionin a thua se do t’ju merrnim ndonjë votë. Këtu tregojmë sesa larg jemi nga një demokraci. Kisha shprehur dëshirë për të bashkëpunuar për diasporën, mund të ishte një rast përbashkimi, por ju përsëri e kthyet në ndarje dhe ftesa që ju ka ardhur juve kolegë ka qenë të premten në orën 22:45, pasi ishte bërë lajm në media, deklarata ime që nuk janë ftuar deputetët. Samiti i Diasporës nuk do të jetë i vetmi, do të ketë edhe elemente të tjera, nëse nuk e ngrini dot komisionin në lartësinë e duhur, hiqjani fare Diasporën, nëse nuk e përfshini askund.

Erion Malaj: Diaspora është një shpirt i rëndësishëm që duhet të bashkojë, prandaj unë mendoj që mos të kemi biseda të politizuara për diasporën. Ne, mazhoranca, e krijuam këtë komision për herë të parë për diasporën. Kjo mazhorancë i dha për herë të parë të drejtën e votës.

Ina Zhupa: Nuk është puna që nuk na ftuan ne, por injoruan komisionin e krijuar nga vetë ata. Sa kohë ke një komision për diasporën, jo vetëm se përfshin askund, edhe ftesën e nis pasi del kryetarja që flet. Sa i takon votës së diasporës, është një e drejtë kushtetuese që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, dhe ne vetëm e zbatuam. Duhet të cojmë një notë protestë për Ministrinë e Jashtme për mospërfshirjen e komisionit në këtë organizim për diasporën.

Në një moment tjetër të diskutimit, Arkend Balla i tha Zhupës se mungesa e anëtarëve demokratë në samit ishte për shkak të vendimit të partisë. Zhupa kundërshtoi dhe tha se s’ka marrë asnjë email zyrtar duke refuzuar njoftimin.

Arkend Balla: Gjithë deputetët kanë qenë të ftuar në samit, ju nuk keni ardhur se e keni vendim nga partia.

Ina Zhupa: Kemi marrë një ftesë vetëm për mbushës salle. Nuk ka vendim politik të PD-së për të mos marrë pjesë në samit, unë kërkova të përfshiheshim, ndaj ju morët ftesë.

Briseida Cakërri: Njoftimi është bërë në janar, është publik.

Ina Zhupa: Është statusi i Taulant Ballës. Nuk ka asnjë email zyrtar këtu, nuk njoftohet me statuse apo Reels, unë njoftohem me protokoll shteti.