TIRANE-Opozita i ka drejtuar një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të anuluar votimin e ligjit për Teatrin Kombëtar. PD-LSI e cilësojnë si nul dhe antikushtetues votimin, pasi kanë shënuar deputetë që nuk ishin prezent. Opozita i referohet rastit të deputetit Vangjel Tavo. 

Vangjel Tavo nuk ishte në seancën e ditës së enjte, por në procesverbalin e votimit rezulton se ai ka votuar pro ligjit të shumë debatuar.  I pyetur nga Report TV, deputeti Tavo tha se nuk kishte qenë në seancën e djeshme.

“Mungoja për arsye shëndetësore. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Dikush ka votuar me kartën time, mesa duket. Karta nuk është send që merret me vete, por qëndron në tavolinën e gjithsecilit në Kuvend”-tha Tavo. Për këtë arsye, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili ju drejtuan me një letër Gramoz Ruçit duke kërkuar anulimin e votimit.

Mbrëmë rreth orës 22:00 shumica miratoi ligjin për Teatrin Kombëtar që i hap rrugën shembjes së godinës së vjetër, pasi mbi rrënojat e saj do të ndërtohet një e re. Ligji kaloi me 75 vota pro, ndërsa opozita fillimisht tentoi që të bllokonte foltoren, por shumica e kaloi. Ndërsa ditën e sotme opozita paraqiti pretendimet për parregullsi në procesin e votimit duke kërkuar anulimin.

(Procervebali i votimit, Vangjel Tavo rezulton që ka votuar)


Letra e Spahos dhe Vasilit per Rucin