Subjektet politike në opozitarë nuk e shohin efikas themelimin e Zyrës administrative në veri të Mitrovicës. Ata mendojnë që hapja e zyrës mund të ketë rezultat negativ dhe nëse nuk funkcionon si duhet vetëm mund ti fuqizojnë strukturat paralele. 

Poashtu, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka thënë se pas hapjes së kësaj zyre presin protesta, dhunë e të tjera, mirëpo siç ka thënë ai, duhet “të jemi të vendosur që ajo të funksionojë dhe njerëzit atje të kenë qasje të lirë në këtë zyrë administrative”, shkruan Zëri.

Ministri Rexhepi ka thënë se banorët e veriut që dëshirojnë të jenë pjesë e institucioneve janë të kërcënuar nga bandat në veri, mirëpo sipas tij, është obligim edhe i KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që t’i mbrojë qytetarët nga këto grupe.

“Të gjitha këto i kemi biseduar dhe mendoj që ekziston gatishmëria edhe e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që të jenë këmbëngulës së pari ta mundësojnë funksionimin e kësaj zyre. Ne presim protesta, dhunë e të tjera, mirëpo ne duhet të jemi të vendosur që ajo të funksionojë dhe njerëzit atje të kenë qasje të lirë në këtë zyrë administrative”, ka thënë Rexhepi.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Pushtetit Lokal nga LDK-ja, Sadri Ferati tha se në mungesë të sigurisë qytetarët e asaj nuk vijnë t’i marrin ato shërbime, dhe ndoshta as që konkurrojnë për administratë.

“Do të thotë, kjo në mënyrë indirekte po fuqizohet komuna paralele. Por, edhe disa çështje të tjera që ne jemi të interesuar realisht, unë e di që ndoshta edhe nën presion dhe si shenjë e vullnetit të mirë, Qeveria ka dalë me këtë vendim, por gjithsesi jo të improvizohet që para çdo obligimi që kemi, me dalë me variante, me dilema të buta siç kisha me quajt unë këtë”, ka thënë Ferati i cili sikurse ministri Rexhepi jetojnë në Mitrovicë.

Në anën tjetër, nëkryetari i Kuvendit dhe njëherësh deputeti nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca  ka thënë se pa një prani të mekanizmave të sigurisë atje dhe pa kontroll të kufijve nuk mund të ketë rezultate në veri të Mitrovicës.

“Me një Serbi e cila i ka strukturat e saj jo vetëm kriminale e paralele atje, por edhe të armatosura, edhe me kufij të depërtueshëm nga ana e Serbisë në mënyrë të paligjshme ku zyrtarët e ndryshëm serbë vijnë edhe ndikojnë në popullatën serbe atje...nuk mund të funksionalizohet sovraniteti me një zyrë”, ka thënë Konjufca.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK, thote se në veri nuk funksionon Kushtetuta dhe ligji, dhe shton ai, nëse duam që të kemi rregullim shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, mekanizmat artificialë deri më tash nuk kanë dhënë fryte dhe nuk do të japin edhe në të ardhmen, përkundrazi do të mundësojnë prolongimin e funksionimit të institucioneve të Kosovës.
/rg/shqiptarja.com/