Opozita akuzon qeverinë se po bën show në televizion dhe nuk po u gjendet pranë qytetarëve për të kaluar gjendjen e vështirë pas tërmetit. Petrit Vasili i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:06
Reagimi i opozitës/ Çupi: Vetëm propagandë, në terren asgjë

Pas tërmetit të fuqishëm që tronditi gjithë vendin, ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi.

Ajo ka theksuar se ka një emergjencë kombëtare në televizion, por edhe në ditë të vështira propaganda vazhdon.

"Të gjitha strukturat shtetërore në Tiranë. Dëgjojnë shefin e madh, në vend qe të jenë në terren. Ai vazhdon insiston me Ertv që po punon shumë. Vetèm propagandë. Në terren asgjë. Qytetarët po perballojnë cdo gjë vetë. Jashtë apo brenda shtepive deri ne keto momente asnjë zyrtar nuk ka shpendarë qoftë edhe nji batanije. Gjendja e emergjencës nuk është shpallur", ka theksuar deputetja Çupi.

Sipas deputetes, asnjë shifër nuk është në dispozicion nga buxheti i shtetit.

"Asnjë e dhënë sa batanije dhe ushqime janë në dizpozicion. Prisni kur te miratojnë edhe nje vendim per ta dhënë edhe tërmetin me PPP. Zoti e ruajtë vendin në këto momente të vështira!!", ka përfunduar ajo.

Ora 13:19
Voltana Ademi: Nëse s'kanë ku të rrinë, qytetarët e Tiranës e Durrësit i presim në Shkodër


Kryetarja në detyrë e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi shpreh solidaritetin me qytetarët e prekur nga tërmeti. "Bashkia e Shkodrës po ndjek me vëmendjen e duhur situatën e krijuar nga termetet e njëpasnjëshme në zonën e Tiranës dhe të Durrësit. Shprehim solidaritetin me të gjithë qytetarët, të cilët sot kanë nevojë më shumë se asnjëherë të ndjehen të rrethuar me mbështetje të gjithanshme.

Bashkia e Shkodrës vë në dispozicion të familjeve që nuk kanë mundësi të banojnë në shtëpitë e tyre për shkak të dëmtimit apo të panikut, kapacitetet e saj akomoduese dhe transportuese nga Tirana e Durrësi drejt Shkodrës.

Njëkohësisht, kapacitetet tona njerëzore dhe teknike të Emergjencave Civile, do të jenë në dispozicion në çdo kohë nëse do të jetë e nevojshme apo do të na kërkohet.

Në këto momente të vështira, banorët e Bashkisë Shkodër janë pranë atyre të Tiranës, Durrësit dhe më gjërë, të gatshëm për të ofruar strehim edhe në shtëpitë e tyre, nëse do të jetë e nevojshme" shkruhet në faqen e bashkisë së Shkodrës.

Ora 12:56
LSI akuza qeverisë për tërmetin: Rama të shpallë emergjencën (VIDEO)

Ish-kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të mos bëjë show në televizione. "Përballimi i situatës, përgjegjësi e qeverisë. Qeveria 4 orë para TV, qytetarët nuk kanë nevojë për show. Qytetarët kanë nevojë për punë në terren.

Të gjithë zyrtarët duhet të ishin në terren. Qeveria duhet të shpallë gjendjen e emergjencës civile. Kryeministri të thotë sa para janë në dispozicion të situatën. Evidentimi i dëmeve, qeveria është shumë vonë. Qytetarët kanë nevojë për informacion periodik çdo 30 minuta. Zëdhënia duhet të ketë një përgjegjësi zyrtare. Qeveria të lërë fjalët por të shkojë në terren të evidentojë dëmet" tha Vasili.