Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale ka nisur punën me prezencën e opozitës, ndërsa miratoi projekt-vendimin për 28 ekspertët që do të asistojnë komisionin në punën e tyre. Opozita ishte dyshuese për qëllimin e kësaj reforme që sipas tyre, njëjtë si në 2015-ën mund të ketë vetëm qëllime elektorale.
Opozita u ul në tryezë e Komisionit të Reformës Territoriale në mbledhjen e saj të dytë pa i fshehur dyshimet se qëllimi i mazhorancës është të hartojë një hartë të re territoriale në mënyrë të njëanshme.
“Gojëdhënat thonë që e keni një draft gati e do miratoni atë. Na kurseni kohë…”, tha Nallbati.
Luciano Boçi, Bashkëkryetari i opozitës në këtë tryezë e konsideroi këtë reformë të re, ndonëse të domosdoshme, dëshmi të qartë se ajo e 10 viteve më parë ka dështuar, ndërsa Tabaku flet llogari elektorale të mazhorancës.
“Ajo që na ka bërë bashkë nuk është në fakt BE por dështimi i reformës së 2015, që u kthye në një centralizim duke i hequr kompetenca pushtetit lokal dhe duke e çuar qeverisjen vendore në mos funksionim në disa territore. Kërkesa kryesore është më shumë bashki dhe më shumë shërbime. Pra një Reformë e re Territoriale. Jemi këtu për të bashkëpunuar, por jo për të qenë bashkë për një rezultat që mazhoranca ka parapërgatitur”, tha Luçiano Boçi.
“Fakti qe jemi mbledhur sërish tregon dështim, reformë me llogari elektorale. Reforma e 2015-ës ka qenë e njëanshme, ka prodhuar efekt elektoral për PS”, tha JoridaTabaku.
Mazhoranca kërkon që puna e komisionit të mos paragjykohet dhe të shmangen debatet politike.
“E paimagjinueshme se si do të ishte qeverisja vendore nëse do kishim 373 bashki e komuna. Në 2014-ën më shume se 70% e buxhetit të bashkive shkonte për paga, sot shkon me vetëm 43% e buxhetit dhe ky eshte fakt. Duhet të bazohemi në fakte dhe shifra. Bën sens që njerëzit të kem në opinione politike, por duhen parë shifrat dhe eksperienca në terren. Të mos merremi sot me çështjen e numrit të bashkive por me kompetencat”, tha Arbjan Mazniku.
Komisioni i reformës territoriale do të asistohet nga 28 ekspertë, projekt-vendimi u miratua në mbledhjen e sotme, ndërsa palët , opozita e mazhoranca do të kenë numër të barabartë ekspertësh.
Komisioni do të ketë në ndihmën e tij 2 grupe ekspertësh në nivele të ndryshme : Në grup ekspertësh të nivelit të lartë me 10 anëtarë me eksperiencë të gjatë në pushtetin vendor dhe një grup i dytë me 18 anëtarë që do të ndahet në 3 nëngrupe: Territori dhe Qeverisja, funksionet, shërbimet dhe kompetencat si dhe financat vendore.
Komente












