Korçë - Një mjek kirurg në Korçë është arrestuar nga policia pas kallëzimit për ngacmim seksual të bërë nga një paciente 21-vjeçare, e cila ka kryer një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Sipas informacioneve paraprake, 21-vjeçarja ishte paraqitur në urgjencë me dhimbje barku dhe të vjella, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore është vendosur që t’i nënshtrohej një operacioni për apandesit.

Familjarët thonë se ndërhyrja kirurgjikale është kryer pa probleme, por më pas e reja ka pretenduar se gjatë qëndrimit në spital është përballur me sjellje të papërshtatshme nga mjeku.

Burime policore thane se pas marrjes së kallëzimit ka shoqëruar dhe më pas arrestuar mjekun 72-vjeçar, me iniciale N. N. i cili pritet të dalë përpara gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

Babai i 21-vjeçares, i cili foli për mediat pa zbuluar identitetin, tha se vendosi të njoftonte autoritetet pasi vajza i tregoi për episodet e ngacmimit ne shtratin e spitalit.

“Kam bërë denoncim mbrëmë (10 Maj). Fillimisht menduam se ishte një trajtim normal pas operacionit, por më pas vajza më tregoi se doktori kishte bërë veprime të papërshtatshme ndaj saj. Ajo më tha se e kishte prekur dhe kishte tentuar ta puthte”, deklaroi ai, duke shtuar se “kërkojmë që rasti të hetohet dhe të sqarohet plotësisht”.

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të mëtejshme mbi hetimin, ndërsa deri tani nuk ka një reagim publik nga mjeku apo përfaqësues te spitalit, lidhur me akuzat.

Rasti është në fazë hetimore dhe pretendimet e ngritura ndaj mjekut mbeten për t’u verifikuar nga prokuroria.

Sakaq, familja që kreu denoncimi jeton në Gjermani dhe ishte kthyer në Korçë për pushime.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë