SHQIPËRI- Viti i Ri 2019 tashmë ka mbërritur edhe në Shqipëri. Në një spektakël fishezjarresh në Sheshin Skënderbej, Tirana e priti 2019-ën në një mot të ftohtë por pa reshje shiu. Viti i Ri u festua edhe në qytetet shqiptare. Qendrat kryesore të qyteteve u mbushën nga qytetarë të cilët zgjodhën t’a shihnin ndërrimin e viteve nën fishekzjarre. Bebeja e parë për këtë vit, është i seksit mashkull dhe lindur në orën 00:01 në maternitetin "Mbretëresha Geraldinë". Vitin e Ri 2019, e parapriu një koncert në Sheshin Skënderbej. Në këtë koncert kënduan këngëtarët Flori Mumajesi, Evi Reçi, Ardit Çuni, Alban Nimani, West Side Family, Eneda Tarifa, Eranda Libohova dhe të tjerë artistë të njohur të skenës dhe ekranit. Ky është viti i parë që shqiptarët e festojnë ndërrimin e viteve pa fishekzjarre dhe kapsolla. Urime për shqiptarët kanë ardhur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. (LEXO KËTU). Një urim ka ardhur për punonjësit e Policisë së Shtetit nga Drejtori Ardi Veliu. Kryeministri Edi Rama i ka uruar të gjithë shqiptarët me anë të një videomesazhi nga zyra e tij në Kryeministri. Rama premtoi më shumë projekte, punësim dhe kërkoi ndjesë për të gjithë shqiptarët që nuk i kanë ndjerë ende efektet e reformave të qeverisë. (LEXO KËTU). Presidenti Meta uroi që viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. (LEXO KËTU). Një urim për të gjithë shqiptarët bëri edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha. (LEXO KËTU). Nga sheshi Skënderbej, urimin e tij e ka bërë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. (LEXO KËTU)
Stafi i Report Tv dhe Shqiptarja.com iu urojnë të gjithë shqiptarëve një vit të mbarë dhe të begatë.
Nga sheshi Skënderbej, një urim për vartësit e tij të cilët edhe në ditën e sotme kanë qënë në krye të detyrës.
“Dua të falenderoj të gjithë punonjësit e policisë së shtetit që kanë sakrifikuar nga puna dhe koha e tyre me familjen për të qënë në shërbim të qytetarëve. Do merren masa për ata që kanë hedhur fishekzjarre. Urimet më të mira për ata dhe fëmijët e tyre. Në të gjithë Shqipërinë më shumë se 2500 punonjës kanë qënë në krye të detyrës. Nesër fillon ekzekutimi i ligjit kundër llotove,”- e mbylli Veliu.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga festa familjare për Vitin e Ri 2019. Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri shihet krah bashkëshortes së tij, Linda Rama, dy djemve Greg dhe Zaho, si dhe vajzës Rea. Kryeministri shoqëron foton me mbishkrimin: Fotoja e ditës.
Postimi i Kryeministrit Edi Rama në Facebook
Ka ardhur në jetë bebja e parë për vitin 2019. Foshnja ka lindur në maternitetin '“Mbretëresha Geraldinë”. në orën 00:01. Report Tv ka qenë në maternitetin dhe ka pyetur të afërmit, të cilët janë shprehur tejet të emocionuar që foshnja ka ardhur në jetë në këtë datë të shënuar. Foshnja e porsalindur është i gjinisë mashkull, i peshës 3150 gr dhe është pagëzuar me emrin Elis. "Lindja kaloi me operacion në mënyrë të shkëlqyer,"-tha doktoresha që e priti. Ndërsa nëna e bebit tha: "Gjithmonë kemi dashur një fëmijë të seksit mashkull por që nuk e priste që djali ynë të ishte fëmija i parë për këtë vit."
Pa dëborë dhe pa fishekzjarre, kështu është pritur viti i ri në rrethet e Shqipërisë. Ndërsa në sheshet kryesore të qyteteve, bashkitë dhe komunat janë kujdesur që të jenë shqiptarët ato që përjetojnë ndërrimin e viteve nën ‘shiun’ e fishkezjarreve. Për disa çaste qielli është ndezur ashtu siç edhe është traditë. Por ndryshe nga rrethet e tjera, periferia e Fushë Krujës përveç fishekzjarreve e ka shoqëruar edhe me krismat e armëve.
Nata e ndërrimit të viteve në Lushnje
Festimet e natës së ndërrimit të viteve kanë qenë më të qeta në qytetin e Lushnjes, por edhe pa incidente. Ndalimi me ligj i lëndëve shpërthyese dhe plasëse ka ndikuar, por jo se munguan. Fishekzjarret ishin të pranishme në sheshin kryesor të Lushnjes, ku qindra qytetarë pritën ndërrimin e viteve pavarësisht temperaturave të ulëta. Qielli llamburiti nga nga fishekzjarret e hedhura në mënyrë të kontrolluar nga specialistët e Bashkisë së Lushnjes, pas numërimit mbrapsht të kryetarit Fatos Tushe. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, nuk ka pasur asnjë lëndim apo incident nga fishekzjarret dhe kapsollat. Por pavarësisht kësaj, krahas prezencës së policisë edhe mjekët kanë qenë në gatishmëri në spitalin Ïhsan Cabej të Lushnjes.
Nata e ndërrimit të viteve në Berat
Të gjithë rreth pemës në shesh, qytetarët e Beratit e kanë pritur mbërritjen e vitit 2019 në një atmosferë e spektakël fishekzjarresh që kanë ndezur qiellin për më shumë se 15 minuta. Përveç fishekzjarreve të hedhura nga bashkia e Beratit, nuk kanë munguar fishekzjarret e shumta të hedhura nga qytetarët, madje nuk kanë munguar edhe shashkat në rrugët e qytetit,eshe pse u fol shumë së fundmi se u hoqën nga qarkullimi. Sakaq, forcat e policisë kanë qenë të shumta në rrugët e qytetit, për ruajtjen e sigurisë. Nata e ndërrimit të viteve në Berat nuk është shoqëruar me asnjë incident.
Nata e ndërrimit të viteve në Vlorë
Vlora e ka kremtuar natën e ndërrimit të viteve me spektakël fishekzjarresh dhe një koncert festiv. Spektakli ka filluar në Lungomare prej orës 23:30 minuta për të kulmuar më pas me spektaklin e fishekzjarreve në orën 00:00. Me numërimin mbrapsht të kryetarit të Bashkisë Dritan Leli dhe shpërthimin e fishekzjarreve, qytetarët e Vlorës kanë kremtuar Vitin e Ri 2019.
Nata e ndërrimit të viteve në Sarandë
Ndërsa qyteti i Sarandës ka patur shumë pak fishekzjarre nga qytetarët dhe nga bizneset, ndërkohë që, nga bashkia nuk ka patur asnjë spektakël fishekzjarresh.
Nata e ndërrimit të viteve në Kukës
Në qytetin e Kukësit, ndryshe nga vendet e tjera, kishte kapsolla, të cilat qytetarët i kishin blerë në Prizren.
Pak para ndërrimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa kanë uruar të gjithë të pranishmit në sheshin Skënderbej.
Në fjalën e tij, Veliaj ka risjellë faktin që dita e nesërme është e para pa lojra fati, duke mos harruar edhe dhënien e çekut për fëmijën e parë të lindur për vitin 2019.
"Nesër Tirana do gdhihet më e mirë. Do gdhihet pa lloto. Na janë mërzitur pak çunat por gocat janë më të lumtura. Nesër fillon çeku i bebes. Ju të tjerët filloni punën. Fjala Bashki vjen nga fjala “bashkë” ndaj faleminderit çdo qytetari. Kemi bërë mrekulli dhe kemi realizuar ëndrrat tona bashkë. Tirana është kryeqyteti i ëndrrave, ndaj gëzuar vitin e ri 2019"
Ndërkohë, darkën e pritjes së Vitit të Ri, kreu i Bashkisë së Tiranës zgjodhi ta kalojë me punonjësit e Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr.1, të cilët edhe në këto ditë festash kontribuojnë për të patur një qytet sa më të pastër. Duke u uruar atyre një vit të mbarë, ai u shprehu mirënjohjen për punën që bëjnë çdo ditë për një ambient sa më të pastër dhe të rregullt.
Viti 2019 ka mbërritur në Shqipëri. Ndërrimi i viteve është festuar në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ndërkohë që Bashkia Tiranë ka organizuar një spektakël fishezjarresh në orën 00:00. Ky është viti i parë që shqiptarët festojnë pa fishekzjarre dhe kapsolla, ndërkohë që organizimi kaloi në dorë të bashkive.
Ka nisur koncerti në Sheshin Skënderbej. Nën ritmet e muzikës moderne, kryeqytetasit kanë sfiduar temperaturat e ulëta dhe kanë zgjedhur të bëhen pjesë e festimeve të organizuara nga Bashkia Tiranë. Në skenën e ngritur në Sheshin Skënderbej, janë ngjitur artistët Flori Mumajesi, Eranda Libohova, Dj Vin Veli e të tjerë personazhe të njohur të muzikës shqiptare. Nga Viti i Ri 2019, shqiptarët tashmë i ndajnë pak minuta.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka postuar një foto në rrjetin e tij social një foto me zonjën e parë të kryeqytetit, Ajolën dhe më të birin Kajan.
"Me ne fund e kapem nje foto te pema! Teksa jeni duke festuar, pranoni dhe urimet tona nga zemra per nje 2019 plot dashuri e miresi! Pas darkes me familjen ju presim tek Sheshi Skënderbej - si familja e madhe e Tiranes sone te bukur! Perqafime, Kajan, Ajola & Lali Eri."
Postimi i Erjon Veliajt
Viti i Ri 2019 është duke trokitur. Në Sheshin Skënderbej atmosfera festive ndihet në cdo cep. Qytetarët kanë nisur të mblidhen dhe kanë vendosur t'a kalojnë mbrëmjen e Vitit të Ri në këtë shesh.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka uruar vitin e ri duke bërë thirrje për shpresë dhe optimizëm se ditë më të mira do të vijnë për familjet shqiptare.
"Të dashur bashkëqytetarë, ju uroj nga zemra Gëzuar Vitin e Ri 2019! Le të nisim bashkë këtë vit të ri plot me shpresë dhe optimizëm se ditë më të mira për familjen tonë të madhe kemi përpara! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!"
Postimi i Lulzim Bashës
Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka bërë një urim për të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve. Në urimin e tij, Meta i ka bërë thirrje që lënë pas të gjitha vështirësitë dhe konfliktet e vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura për suksese të përbashkëta.
"Të dashur motra e vëllezër shqiptarë! Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta. Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm! Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!"
Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2019. Në një mesazh të komunikuar live në ERTV, Rama tha se viti 2019 do të jetë një vit i mbushur plot me projekte dhe angazhime për shqiptarët. Kryeministri tha se nga data 1 Janar në Shqipëri do të ndalohet kumari, fermerët nuk do të paguajnë më taksë për inputet bujqësore dhe studentët do të përfitojnë përgjysmim tarifash. "Gëzuar të gjithë në Shqipëri, Kosovë e kudo. Me ardhjen e 2019 për çdo bebe të lindur, do të hyjë çeku i ri i bebes, mbështetje financiare për çdo prind të ri. Mijëra sipërmarrës do të paguajnë 3 herë më pak taksa ndërsa për gjithë fermerët taksa 20% për inputet bujqësore do të shkojë më në fund 0. Nga nesër studentët tanë do përfitojnë përgjysmim tarifash, ndërsa më të mirët dhe ata në nevojë do të marrin dhe bursë 10 mijë lekë në muaj. Punësimi i tyre në shtet do të jetë automatik, me parimin më i miri zgjidhet i pari. Do të jetë fillimi i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit. Do të nisë ndërtimi i hekurudhës së parë moderne Tiranë- Durrës. Këto janë 6 orët e fundit të kumarit në Shqipëri, asnjë familje s’do jetë më e kërcënuar. Qindra miliona euro që i ka marrë lumi do mbeten në familje. Këto e të tjera janë frute e përpjekjeve që kemi bërë këto vite. Ky vit mbyllet me rritje ekonomike 4.5%. Kushdo që nuk ka prekur ende asgjë na ndryshimet e bëra, kjo më motivon për të krijuar Shqipërinë që duam. E dimë që jemi ende larg drejtësisë që duam, por nëse shohim pas do kuptojmë që kemi përparuar shumë. 2019 do nisë me qeveri të re. Me besimin e madh se më e mira po vjen dhe falënderimin për reagimet tuaja, ju përcjell reagimet e mia më të përzemërta."-tha Rama.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu iu ka dërguar një mesazh të gjithë punonjësve të Policisë. Në mesazhin që Veliu iu ka dërguar policëve, drejtuesi i parë uron për më shumë ndershmëri, e profesionalizëm në luftën kundër krimit të organizuar. “Kaluam një vit pune, përkushtim, lodhje, arritje por edhe dështime. Viti i Ri pas pak orësh mbërrin dhe do nisë rrugëtim dhe për secilin prej nesh ka një mesazh shumë të fortë: Me ndershmëri e profesionalizëm, bashkarisht si familja më e madhe që jemi të bëjmë më të mirën për sigurinë e komunitetit dhe luftën kundër krimit. Ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 2019. Mbarësi, shëndet, fat, suksese e lumturi në familjet tuaja. Gëzuar! Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu ,”-thuhet në mesazhin e Veliut drejtuar policëve.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i ka uruar të gjithë shqiptarëve ndërrimin e viteve me një foto të familjes së saj, pjesë e të cilës është edhe presidenti i vendit, Ilir Meta.
"Mbrëmja e ndërrimit të viteve qoftë e bardhë dhe e gëzuar për të gjithë shqiptarët. Zoti u dhëntë forcë të gjithë atyre që sot ulen në tryezën e festës me dhimbjen për të dashurit e tyre që nuk jane më. Ndihmofte ata, që me sakrifica kanë blerë ushqimet për të gëzuar fëmijët e tyre dhe të afërmit. Në këtë mbrëmje të fundit të 2018, zoti u dhëntë forcë e kurajo të gjithë atyre që luftojnë me semundjet e që po kalojnë natën në qendrat spitalore. I uroj të gjithëve me zemër një vit të mbarë, me shëndet, mirësi e dashuri për 2019! Qoftë një vit i bukur, me dashuri e ngjyra në jetën e shqiptarëve. Një vit i ri me qëllime dhe ndryshime të mëdha që të dëshmojë se të gjithë shqiptarët meritojnë të jetojnë më mirë se ky vit që lamë pas," -shkroi krahas fotos Kryemadhi.
Do zgjohet me 8 Mij e 900 te te rinj te papune
Përgjigju