Organizata ‘Human Rights Watch’ në një raport të publikuar të enjten thotë se përmes politikës së dëbimit dhe zhvendosjes së civilëve në Gazë, autoritetet izraelite po “kryejnë krimin e luftës të dëbimit të detyruar” dhe se këto veprime “duket se përputhen me përkufizimin e spastrimit etnik” në pjesët e Rripit të Gazës ku palestinezët nuk do të mund të kthehen.
“’Human Rights Watch’ arrin në përfundim se dëbimi i detyruar ka ndodhur gjithandej dhe provat tregojnë që ishte sistematik dhe pjesë e politikës shtetërore. Veprime tç tilla përbëjnë krim kundër njerëzimit”, thuhet në raport.
Ushtria dhe zyrtarët shtetërorë në Izrael nuk kanë reaguar ende për gjetjet e organizatës me seli në Nju Jork, që dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut në zonat e konflikteve, por në të kaluarën autoritetet izraelite kanë thënë se operacionet ushtarake janë në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
Izraeli thotë se zhvendosja e civilëve në Gazë ishte e domosdoshme për t’i mbrojtur ata nga luftimet, apo për të arritur objektivat ushtarake.
“Qeveria izraelite nuk mund të pretendojë se po i mban palestinezët të sigurt kur i vret ata nëpër rrugët përmes të cilave duhet të largohen, ndërkohë që bombardon të ashtuquajturat zona të sigurta dhe derisa u ndërpret ushqimin, ujin dhe u mohon kushtet sanitare”, deklaroi hulumtuesja e raportit, Nadia Hardman. Sipas saj, “duke rrafshuar çdo gjë, Izraeli duket se ka shkelur detyrimin e tij që palestinezët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre”.
Raporti, sipas ‘Human Rights Watch’ është bazuar në intervista me banorët e zhvendosur të Gazës, pamje satelitore dhe raportimet publike të kryera deri në muajin gusht të këtij viti.
Sulmi i Izraelit në Gazë ka vrarë 43,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, të cilët nuk bëjnë dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve të vrarë.
Rreth 90 për qind e popullsisë së enklavës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe shumë prej tyre janë zhvendosur disa herë gjatë luftës 14 mujore.
Ofensiva e Izraelit llogaritet se ka shkatërruar apo dëmtuar rreth dy të tretat e shtëpive dhe ndërtesave në Gazë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara.
Lufta në Gazë u nxit nga sulmi terrorist i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite. Militantët palestinezë vranë rreth 1200 persona dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se nuk ka vënë në shënjestër me qëllim civilët dhe fajëson Hamasin për vdekjet e tyre, duke thënë se militantët fshihen në mesin e civilëve dhe operojnë në zonat e banimit. Banorët e Gazës thanë se raporti që dokumenton shkeljet e Izraelit është i vonuar.
“Dje u vranë 20, një ditë më parë 30, çdo ditë vriten 30, apo 100 vetë. Çfarë të them? A nuk po e sheh bota se çfarë po ndodh? E tërë bota e sheh se çfarë po ndodh në Gazë, por të gjithë janë të heshtur dhe po kthejnë kokën anash. Askujt nuk i intereson për ne”, thotë palestinezja e zhvendosur, Hajjah Umm Yaquob.
Ndërkohë Izraeli sot lejoi futjen e 15 kamionëve me ndihma humanitare në pjesën veriore të Gazës, ku gjatë muajit të fundit Izraeli po zhvillon një ofensivë të re për të pamundësuar rigrupimin e militantëve të Hamasit, sipas zyrtarëve izraelitë, të cilët po përballen me kritika nga organizatat e ndihmave dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas punonjësve humanitarë banorët e kësaj pjese të Gazës po rrezikohen nga uria për shkak të pengesave për dërgimin e ndihmave.
Izraeli vazhdoi të enjten sulme ndaj pjesëve periferike të Bejrutit dhe në pjesën jugore të Libanit, të kontrolluara nga grupi militant Hezbollah.
Që nga shpërthimi i përplasjeve para një viti ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë personave, sipas autoriteteve shëndetësore. Ndërkohë që sulmet e Hezbollahut ndaj Izraelit kanë shkaktuar vdekjen e rreth 100 civilëve dhe ushtarëve kryesisht në pjesën veriore të vendit./ VOA