Rreziku i terrorizmit dhe kundërpërgjigjja ndaj tij është arsyeja e vizitës time në Shqipëri. Kështu u shpreh ministri italian i Drejtësisë Andrea Orlando teksa i referohej letrës kërcënuese që mori një ditë më parë me mbishkrimin ISIS, pas takimit me homologun shqiptar Ylli Manjani.

Orlando i cili e quajti kërcënimin ndaj tij si “kartolinë simpatike për Krishtlindje”, tha se Italia ka ndërmarrë një sërë masash në luftën kundër terrorizmit. Ky i fundit, transferimi i të dënuarëve, krijimi i një zyre të përbashkët noterie, krimi i organizuar dhe emigracioni klandestin ishin disa nga çështjet për të cilat Orlando ka biseduar me ministrin Manjani.

“Biseduam si mund të përballojmë transferimin e të dënuarëve dhe bashkëpunimin në këtë drejtim. Sikundër patëm rastin të diskutojmë edhe për përvojat më të mira, në luftën e përbashkët të terrorizmit, në vijim të luftës së krimit të organizuar dhe në parandalimin e riaktivizimit të korridoreve të mundshme të emigracionit klandestin,” tha ai.

manjani dhe orlando

Ministri italian u shpreh po ashtu se Italia është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë sa i përket reformës në drejtësi. “Edhe ne jemi duke përjetuar një periudhë reformash në sistemin e drejtësisë penale. Që paraqet pika të forta por dhe të dobta. Sigurisht ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë një vend i cili po përballet me një sfidë të përbashkët. Ne ndesheshemi me një sfidë dhe punë të rëndësishme, që mund të arrihet sepse kemi në vijim edhe forma të ndryshme të bashkërendimit,” shtoi Orlando.

manjani dhe orlando

Pyetjes se si e vlerëson ai ligjin e dekriminalizmit të miratuar një ditë më parë me konsensusin e maxhorancës dhe opozitës, Orlando iu përgjigj: Është një hap i rëndësishëm sepse një hap  të tillë ka ndërmarrë edhe Italia disa vite më parë. Mund të them që të ndërhysh në sistemin e drejtësisë kërkon gjithsesi përpjekjet për një unitet sa më të madh të mundshëm".

Ndërsa ministri shqiptar Ylli Manjani tha se tashmë është koha të gjendet zgjidhje konsensuale për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.

manjani dhe orlando

orlando manjani

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)