Ornela homerike

Ornela homerike

Ornela Vorpsi

Ornela Vorpsi ishte Femër homerike. Nga ato për shkak të të cilave shpërthejnë luftra, urdhërohen masakra, nisin eksode biblike. Ornela Vorpsi ishte një ulurimë shetitëse. Ornela Vorpsi ishte aq e bukur, aq kryelartë, kishte një rrezatim aq të fuqishëm, sa vetëm me prezencë, pa shqiptuar asnjë fjalë, i bënte pluhur e hi, luftën e klasave, moralin proletar, rrethimin kapitalisto revizionist, komitetet, mbledhjet, plenumet, duartrokitjet, parakalimet, dhe të gjitha marrëzitë e tjera. Është e imja, e jotja, e këtij, e atij, në rastin e Ornela Vorpsit s'kishin asnjë kuptim. Ornela Vorpsi ishte e të gjithëve. Ornela Vorpsin e dashuronin të gjithë. Ornela Vorpsi ishte kordoni ombelikal që shqiptarët në hjekë i lidhte me Jetën. Ecja e Ornela Vorpsit ishte një errupsion kaotik nervoz i hireve femërore kombinuar me kryelartësinë, seriozitetin, guximin. Ornela Vorpsi ishte nga fort të rrallat Femra që çmenduritë e kohës nuk e kishin ligur, por vetëm trimëruar, vetëm zbukuruar. Tek kalonte Ornela Vorpsi dukej sikur i klithte turmës; Ejani në vete.

Femra ekziston për tu komplimentuar dhe dashuruar. Femra nuk është për tu veshur me kominoshe për të punuar me turne nëpër fabrika të qelbëta. Turma e torollepsur nga herezia e heshtur duke parë Ornelën, mbante frymën, për pak çaste harronin urinë dhe rreckat që mbanin veshur. Kur kalonte Ornela Vorpsi, toka dridhej, binte tërmet nëpër male. Kur Ornela Vorpsi fliste, nga Shkodra në Sarandë binte shi me rrebesh. Kur Ornela Vorpsi zemërohej, në Adriatik ngriheshin dallgët. Ornela Vorpsi nuk ishte njeri i zakonshëm. Ornela Vorpsi ishte dukuri natyrore. Si stinët, si mali i Tomorrit, si lugina e Vjosës, si uji i burimeve, si flladi i alpeve. Ajo femra të cilës 10 meshkuj i afrojnë njëherësh 10 çakmakë për ti ndezur cigaren, krahasuar me Ornela Vorpsin, është qesharake. 100 mijë shqiptarë i afronin Ornela Vorpsit njëherësh 200 mijë qirinj të ndezur me të dyja duart duke j'u lutur si Zotit, në pritje të ethëshme nëse Ornela Vorpsi do merrte frymë dhe flaka e qirinjve do gjallërohej, apo Ornela Vorpsi do nxirrte frymë dhe qirinjtë bashkë me lutjet do fikeshin.

Regjimi i druhej Ornela Vorpsit më tepër se sabotimeve, pabesive, intrigave, komploteve, NATO-s, Traktatit të Varshavës. Pse nuk e degdisin, pse nuk e vrisnin, pse nuk e zhduknin ?! Përgjigja e mbytur dhe solemne vinte nga Shekspiri në formën e një perifrazimi nga monologu i Hamletit; "Më mirë vuajmë këtë që na rrënqeth, sesa ato që na ledhatojnë". Për shqiptarët e aso kohe Ornela Vorpsi ishte gjithçka, njëkohësisht, shpresë, mëshirë, maturi, çmenduri, problem, zgjidhje. S'lypsej të lexoje Dostojevskin për të mësuar se Bukuria, jo vetëm Botën e ndreq, por edhe diktaturën e shemb. Spiunat, zagarët, llapaqenat, ziliqarët, delirantët, turiqenat, surratbajgat, që të mos zbuloheshin sa të këqinj e të zinj ishin, fshiheshin. Por kur kalonte Ornela Vorpsi, nuk mundeshin.

Para Saj dorzoheshin. Torollepseshin. Iknin nga fiqiri. Nxirrnin në shesh gjithçka; analizat, diagnozat, sëmundjet, çrregullimet psikike. Ornela Homerike u kallte tmerrin. Vetëm sepse Ornela Vorpsi ekzistonte, plasnin gjithato telashe; Lufta e klasave nuk po zhvillohet me egërsinë e duhur. Vigjilencën proletare e ka marrë lumi. Komunistat me armiqtë e brendshëm e të jashtëm janë bërë si këmbët e dhisë. Morali komunist për ibret. Uniteti sup më sup i armatës së shkrimtarëve është cënuar. Aleanca e klasës punëtore grusht bashkuar me inteligjencën kooperativiste është krisur. Kultura borgjeze po ja kalon ujin në rrogoz syçelësisë proletare. Llogoret soc-realiste të artit proletar kanë futur ujë, janë mbushur me baltë mikroborgjeze. Nëse Ornela Vorpsi do dashuronte ndonjë katundar, do ishte punë me ment.

Ne komunistave do na përmirësohej rraca. Halli se për shkak të magësive të punës sonë agjitative dhe mos plotësimin si duhet të orientimeve të partisë, Ornela Vorpsi nuk e di në cilin katund vuan heroi ynë i heshtur, katundari i tashëm spiuni i ardhshëm, në cilën kooperativë dergjet ai qen, cilat ara prashit ai langua, nga cila skutë spiunon, me cilën dhì bënin qef. Do ta pres deri te rradha e dyqanit të bulmetit kur të dy do jemi kërrusur - thoshte njëri. Deri në varr e përtej varrit - ja priste një tjetër. Të tjerë betoheshin se për ti rënë sadopak në sy Ornela Vorpsit ishin gati të bënin disa herë rrotullimin e Magelanit, udhëtimin e Kolombit, Rrugën e Mëndafshit, madje po të më urdhërojë Ornela Homerike, do ta ndjek këmbakëmbës nëpër Rrugën e Qumështit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Une: 13/11/2018 19:02

    I madh je o Edison Ypi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë