Fshati turistik i Thethit, në Alpe, është i izoluar plotësisht pasi ortekët kanë bllokuar rrugën në Qafë Thore ne nje gjatesi rreth 5 km.
Ky aks nuk mund të përdoret nga asnjë automjet. Ka ndaluar dhe pastrimi i bores nga kompania e mirembajtjes, për shkak të rrezikut të riaktivizimit të ortekëve.
Një patrullë policie ndodhet në Bogë dhe nuk lejon automjetet të vazhdojnë levizjen drejt Thethit. Qarkullimi do të jetë i ndaluar deri në një njoftim të dytë.
Kreu i bashkise se Shkodres, Benet Beci kërkon nga turistët dhe banorët e zonës të mos lëvizin drejt Thethit dhe anasjelltas për të shmangur rrezikun.
"Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët. Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë" shkruan Beci në Facebook.
Komente











