SHKODËR, 5 Dhjetor /ATSH/- Dy komisione parlamentare nga Shqipëria dhe Mali i Zi u takuan sot në qytetin e Shkodrës për të diskutuar për çështjet mjedisore ndërkufitare. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Misioni i OSBE-së në Malin e Zi, në partneritet me parlamentet e të dyja vendeve, me qëllim promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e procesit legjislativ për çështjet mjedisore.
Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë një vijë kufitare prej 210 kilometrash - 172 kilometra kufi tokësor dhe 38 kilometra vijë kufitare ujore e përbërë nga ujërat e detit Adriatik, liqenit të Shkodrës dhe lumenjve.
"Çështjet mjedisore nuk respektojnë kufijtë, ndaj është e rëndësishme që zyrtarët e të dy vendeve, duke përfshirë parlamentarët, të punojnë së bashku për të shkëmbyer përvojat dhe të diskutojnë ide e masa konkrete për të zvogëluar rrezikun e katastrofave, për të rritur mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësuar qeverisjen mjedisore", u shpreh në takim Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig.
Zëvendëskryetari i Misionit të OSBE-së në Malin e Zi, Waldemar Figaj, tha se "rezultatet nxitëse të bashkëpunimit dypalësh, si patrullimet kufitare të përbashkëta të nisura në vitin 2008, duhet të shtrihen më tej për të përfshirë edhe mbrojtjen e mjedisit, ku autoritetet, shoqëria civile, organizatat dhe Qendrat Aarhus do të luajnë rolin e tyre, duke i perceptuar dhe trajtuar burimet natyrore të të dyja vendeve si një trashëgimi e përbashkët që duhet të ruhet për brezat e ardhshëm".
Në veprimtari folën edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Shqipërisë përVeprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduard Shalsi, dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Malit të Zi për Turizmin, Bujqësinë, Ekologjinë dhe Planifikimin Hapësinor, Predrag Sekuli?.
Komisionet prezantuan dy raste studimore në lidhje me mjedisin - i pari mbi ndotjen në liqenin e Shkodrës, të shkaktuar nga hedhja e paligjshme e mbetjeve urbane dhe nga ndërtimet, dhe i dyti mbi zgjidhjen e çështjes së hedhjes së mbetjeve nga një fabrikë alumini, me qëllim mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës.
Përfaqësues të Qendrave Aarhus në Shkodër, Podgoricë dhe Nik?i? - të themeluara gjatë viteve të kaluara me mbështetjen e OSBE-së - paraqitën çështje mjedisore ndërkufitare nga këndvështrimi i vendeve të tyre.
Kjo është hera e dytë që komisione parlamentare të Shqipërisë dhe Malit të Zi takohen për të diskutuar çështje me interes të përbashkët. Në vitin 2009, OSBE-ja mbështeti një takim të dy komisioneve të tjera parlamentare me fokus integrimin evropian./a.g/