OSBE/ODIHR:Të ndryshojë Kodi
komisionerët të mos jenë politikë PDF

OSBE/ODIHR:Të ndryshojë Kodi<br />komisionerët të mos jenë politikë PDF
TIRANE- Misioni i OSBE / ODIHR-it ka publikuar raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve të 21 qershorit. Ekipi i drejtuar nga Odri Glover, ka rreshtuar 23 rekomandime për sistemin zgjedhor shqiptar. Ndër rekomandimet primare, ODIHR rendit ndryshimet e domosdoshme të Kodit Zgjedhor, të cilat duhet të sjellin depolitizimin e administrimit zgjedhor. “Duhet të merret parasysh rritja e pavarësisë, paanshmërisë, dhe kapaciteti profesional i komisioneve zgjedhore.

Ligji duhet të ndryshohet për të lejuar komisionerët jo-partiake në të gjitha nivelet për të bërë të mundur depolitizimin e administratës zgjedhore. KQZ-ja duhet të jetë e paanshme dhe të zbatojë frymën e ligjit,”- thuhet në raport, i cili vijon me rekomandimin e dytë, për ndryshimin e ligjit bazë të zgjedhjeve.

“Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet në mënyrë që të eliminohen mangësitë dhe paqartësitë e identifikuara nga ky mision, por edhe nga ai i mëparshmi i OSBE-së. Kuadri ligjor që rregullon zgjidhjen e kontestimeve zgjedhore duhet të rishikohet për të eliminuar boshllëqet dhe paqartësitë e identifikuara në raportet e OSBE / ODIHR edhe më parë, duke subjektet që kanë të drejtë për të apeluar, afatet për gjykimin e ankesave, etj.”-thuhet në raport. Në rekomandimet primare rreshtohet edhe një vërejtje mbi shpifjen, që për ODIHR-in, nuk duhet të përfshihet në dispozitë penale,  por në civile, që gjithsesi, të rivendoset reputacioni i  dëmtuar.

Po ashtu në rekomandimet e mëtejshme, OSBE / ODIHR kërkon që të shfuqizohet dispozita e nenit 84.1 të Kodit Zgjedhor që detyron mediat të transmetojë në edicionin e lajmeve pamjet filmike të prodhuara nga partitë politike. Një tjetër vërejtje vjen në fushën e transparencës financiare. “Duhet të përshpejtohen afatet për dorëzimin e raporteve financiare nga audituesit e KQZ-së dhe të bëhet publikimi i tyre në kohën e duhur të tyre. Të rritet transparenca dhe llogaridhënia, garuesi të jetë i detyruar të publikojë raporte për të ardhurat dhe shpenzimet e fushatës përpara ditës së zgjedhjeve.”-thuhet në raport.

Një problem tjetër që ngrihet është ai i regjistrimit të zgjedhësve dhe sistemi i adresave të tyre. “Duet të intensifikohen përpjekjet për të siguruar që të gjithë zgjedhësit janë pajisur me një kod të saktë të adresave dhe se të dhënat e tyre janë të verifikuara.

Duhet të merren masa për të ndërprerë praktika e heqjes së zgjedhësve mbi moshën 100 nga listat e zgjedhësve dhe për të siguruar regjistrimin efektiv të burgosurve”,-thuhet në raport. OSBE / ODIHR shton se Kodi Zgjedhor duhet të përfshijë dispozitat lidhur me kohën dhe kushtet për tërheqjen e kandidatëve të regjistruar. Sipas raportit, duhet të vendosen masa mbrojtëse për të siguruar që me të drejtën për të tërhequr kandidatët nuk është abuzuar.
 
Administrata zgjedhore nuk duhet të jetë nën presion elektoral
Shteti të mos keqpërdoret për qëllime të fushatës
 
Raporti i OSBE / ODIHR ngre shqetësime lidhur me fushatën zgjedhore, edhe pse në tërësi e vlerëson atë të qetë, përfshi edhe ditën e zgjedhjeve. Një prej shqetësimeve të ngritura për fushatën zgjedhore, është përdorimi i administratës për qëllime elektorale, apo presioni ndaj tyre për votën.

“Autoritetet dhe partitë politike duhet të sigurojnë që presioni nuk është përdorur në sektorin publik të të punësuarve apo tek mbështetësit politikë, për të marrë pjesë në aktivitete elektorale, apo që të votojnë në një mënyrë të veçantë. Organet e zbatimit të ligjit duhet të ndërmarrin hapa më të vendosura për të parandaluar, për të identifikuar, hetuar, dhe ndjekur penalisht rastet e provuar të presionit dhe frikësimit të votuesve si dhe të keqpërdorimit të burimeve të shtetit për qëllime të fushatës.”-thuhet në raport.

Blerja e votës është një tjetër shqetësim, për të cilin kërkohet nga OSBE / ODIHR vëmendje më e madhe. Raporti i OSBE/ODIHR përmend edhe blerjen e votës si një nga problemet e këtyre zgjedhjeve, siç thuhet atje, ka patur akuza për blerje direkte të votave të familjarëve ose marrjen e kartave të identitetit ditën përpara zgjedhjeve. “Janë të nevojshme përpjekje shtesë për të adresuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votave, si nëpërmjet edukimit të votuesve apo ndjekjes penale, me qëllim që të rikthehet besimi në procesin zgjedhor.

Duhet një angazhim  konkret dhe i vërtetë nga partitë politike për të dënuar praktikat blerjes së votave. Blerja e votave duhet të përcaktohen qartë në ligj dhe t’i nënshtrohet sanksioneve proporcionale dhe efektive.”-thuhet në raport. OSBE / ODIHR kërkon po ashtu që kandidatët e pavarur të trajtohen në mënyrë të barabartë me fonde publike. Raporti përmend edhe kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta, duke thënë se së bashku me kandidatet e tyre bashkiakë, përdorën dhënien e certifikatave të pronësisë për fushatë elektorale, duke thyer një nga rregullat kryesore demokratike të ndarjes së shtetit nga partia.

Pavarësisht disa mangësive shqetësimi themelor ngelet vullneti politik. “Mungesa e vullnetit politik për të zbatuar ligjin bashkë me politizimin e institucioneve të përfshira, vazhdoi të minojë zgjedhjet”,thuhet në raportin përfundimtar të OSBE-së për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Raporti vlerëson ën tërësi një proces zgjedhor të qetë, duke veçuar si më normalen dhe me më pak probleme, ditën e zgjedhjeve.


Glover: Rama dhe Basha të mbajnë fjalën 

Përpara se të rreshtojë rekomandimet e saj, shefja e misionit të OSBE / ODIHR, Glover ka një mesazh për Ramën dhe Bashën. “Misioni i OSBE / ODIHR-it mirëpret angazhimin publik të bërë më 22 qershor nga Kryeministri Edi Rama për adresimin e plotë të këtyre rekomandimeve, dhe më 1 shtator nga lideri i PD Lulzim Basha për të zbatuar menjëherë rekomandimet. OSBE / ODIHR është i gatshëm të ndihmojë autoritetet e Shqipërisë për të përmirësuar më tej procesin zgjedhor dhe për të adresuar rekomandimet e përfshira në këtë dhe raport.”-thuhet në raport.  

Redaksia online
(S,M/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë