OSBE: Pronësia e mediave duhet kufizuar me ligj! Ja çfarë i shqetëson gazetarët në Shqipëri

OSBE: Pronësia e mediave duhet kufizuar me ligj! Ja çfarë i shqetëson gazetarët në Shqipëri

TIRANE-Në tryezën e thirrur nga OSBE-ja për Forumin e Lirisë së Medias në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt ngriti disa probleme që janë shqetësuese sipas tij për median. Ai tha se ka nevojë të bëhet akoma më shumë për të përmirësuar situatën e medias këtu në Shqipëri. Një nga shqetësimet e OSBE-së është përqendrimi i pronësisë së mediave, që sipas ambasadorit po ndalon diversitetin dhe po pengon profesionalizmin.

"Në rekomandimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2019, ODIHR-i nënvizoi se përqendrimi i pronësisë së mediave duhet kufizuar me ligj". Ai shtoi se "për ta përkeqësuar këtë çështje, pronësia e disa prej këtyre faqeve interneti është e paqartë, duke e bërë veprimtarinë e tyre edhe më pak transparente dhe më pak profesionale". Po ashtu ambasadori tha se OSBE-ja nuk duam të fshehë shqetësimet rreth ndryshimeve për ligjin e medias, të propozuara nga qeveria dhjetorin e kaluar. I pranishëm në tryezë ishte edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Soreca i cili tha se kundër gazetarëve në Shqipëri ka pasur kërcënime dhe kjo është e papranueshme.

Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri
Do të doja ta hapja këtë Forum duke shprehur interesin tonë të fortë në situatën e medias në Shqipëri, së cilës i kemi ofruar mbështetje përgjatë viteve, sipas mandatit tonë. Shoh me kënaqësi se ky Forum ka ngjallur interes jo vetëm vendor, por edhe rajonal, 5 vite pasi Prezenca e OSBE-së e ka filluar atë. Ky interes më thotë dy gjëra. Së pari, ka nevojë të bëhet akoma më shumë për të përmirësuar situatën e medias këtu në Shqipëri. Dhe së dyti, ka hapësirë për bashkëpunim dhe dialog. Pra, kam besimin se jemi në rrugën e duhur. E di që ju do të ndani histori suksesi dhe, sigurisht, mbi të gjitha, problemet. Që nga momenti i hapjes së saj në këtë vend, Prezenca e OSBE-së është nisur bashkë me të gjithë ju drejt një përpjekjeje për të:

• radhitur rregullimin e medias me standardet ndërkombëtare;

• përmirësuar statusin e gazetarëve dhe pranoj këtu se rruga është ende e gjatë;

• përmirësuar cilësinë e raportimit;

• mbështetur transmetuesin publik për të qenë më i pavarur dhe gjithashtu më

profesional, gjatë kalimit nga transmetimi analog në atë digjital.

Që kur e filluam këtë Forum, pesë vite më parë, kemi parë përparim, por edhe hapa pas.

• Kemi vënë re përmirësime domethënëse në aktivitetin e RTSH-së. Ne besojmë se një demokraci e vërtetë ka nevojë për një shërbim të fortë të medias publike. Siç rekomandohet nga raporti i ODIHR-it, legjislacioni duhet ta ndihmojë shërbimin e medias publike të ruajë pavarësinë e saj.

• Organet e medias po operojnë gjithnjë e më shumë në një treg të lirë, dhe ato më profesionalet synojnë të ofrojnë informacion të paanshëm për audiencat e tyre.

• Është rritur ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e dekriminalizimit të shkeljeve në media, duke i hequr ato nga Kodi Penal. Kjo është ajo që duam dhe ne do të vazhdojmë ta nxisim dekriminalizimin.

• Media online është zhvilluar fuqishëm, njësoj si në të gjitha vendet e tjera evropiane.

• Numri i mediave është rritur në krahasim dhe kjo është një shenjë e zhvillimit dhe rritjes natyrale.

• Dua të përgëzoj këtu projektin e financuar nga BE-ja “Media në fokus”, i cili mbështet RTSH-në dhe Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, duke shënuar një hap përpara drejt zhvillimit të transmetuesit publik.

Pavarësisht progresit, ka ende çështje të cilat duhen trajtuar:

• Së pari, përqendrimi i pronësisë së mediave po ndalon diversitetin dhe po pengon profesionalizmin. Në rekomandimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2019, ODIHR-i nënvizoi se përqendrimi i pronësisë së mediave duhet kufizuar me ligj. Ne kemi ftuar sot një ekspert që të na njohë me disa rekomandime mbi mënyrën se si mund të trajtohet ky problem, si pjesë e zbatimit të vazhdueshëm të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

• Disa faqe interneti përdorin informacion të njëanshëm për të sulmuar figurat publike në mënyrë joetike, duke shpërfillur standardet e gazetarisë. o Si për ta përkeqësuar këtë çështje, pronësia e disa prej këtyre faqeve interneti është e paqartë, duke e bërë veprimtarinë e tyre edhe më pak transparente dhe më pak profesionale.

• Ne nuk mund të pretendojmë se nuk mbajmë mend disa momente të errëta kur gazetarët janë ngacmuar apo sulmuar fizikisht.

o Fatkeqësisht, jo nga Qeveria, siç është rasti në vendet e tjera.

o Por ne i ndjekim nga afër të gjitha rastet, jemi vazhdimisht në kontakt me gazetarët dhe median, duke komunikuar ndërkohë edhe me hetuesit, për t’i parë këto raste të zgjidhura.

• Po ashtu, ne nuk duam të fshehim shqetësimet tona rreth ndryshimeve për Ligjin e Medias, të propozuara nga qeveria dhjetorin e kaluar:

o Për këtë çështje, do të ftoj kolegun nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias të flasë më shumë, duke qenë se ai është i pranishëm këtu me ne sot;

o por duam të theksojmë mbështetjen tonë të plotë për një aktivitet të pavarur dhe profesional të medias online;

o dhe gjithashtu i kërkojmë ligjvënësve shqiptarë të garantojnë një debat të hapur dhe transparent për të gjitha ndryshimet e propozuara me të gjitha palët e interesuara;

o ne gjithashtu i inkurajojmë ligjbërësit shqiptarë t’i përgjigjen letrës së nënshkruar së fundmi nga 11 media, si një shenjë transparence dhe gjithëpërfshirjeje.

• E fundit por jo më pak e rëndësishme, ju nxitim ju, gazetarët dhe mediat, të bëni që zëri juaj të dëgjohet dhe të merrni vetë hapa konkretë për të adresuar seksionin e rekomandimeve për median në të gjitha raportet e ODIHR-it të viteve të fundit.

o Një nga rekomandimet e kahershme, i cili nuk është trajtuar kurrë është ai që praktika e kronikave të gatshme nga partitë duhet të marrë fund, sepse është kundër etikës së gazetarisë profesionale, ndërkohë që media vetë duhet të bëjë punë tërësore në mbulimin dhe raportimin e zgjedhjeve. Kjo nuk është vetëm çështje ligjore; kjo është edhe çështje dhe detyrë për gazetarët për të vepruar.

Qeveria nuk është e vetmja që duhet t’i përgjigjet shqetësimit të ODIHR-it, por edhe vetë mediat mund të ndërmarrin veprime. Për ta mbyllur, do të doja të falënderoja anëtarët e Grupit të Partnerëve të Medias, Bashkimit të Transmetuesve Evropianë, Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, ODIHR-in, dhe gjithashtu projektin “Mbështetje për Kuvendin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, të financuar nga Zvicra, për kontributin e tyre në këtë forum. Pres me padurim të kemi diskutime frytdhënëse që do të sjellin veprime të prekshme të medias për përmirësimin e situatës së tyre këtu dhe në rajon.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shqipetari: 02/11/2019 11:52

    My eshte AI i gishtit NUK ESHTE I BESUESHEM

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!