ATSH/- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE, sqaroi të dielën se çdo ndalim dhe heqje lirie me burg e konsumatorëve të energjisë elektrike lidhet vetëm me veprën penale të vjedhjes së energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme. Duke reaguar ndaj deklaratave të opozitës lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në burgun e Rrogozhines, ku një 50 vjeçar u vetëvar, OSHEE sqaron se viktima nuk është ndaluar për një debi 3.5 mijë lek.
OSHEE në deklaratën për shtyp shprehet se opozita abuzoi me ngjarjen e rëndë. "Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike të bëhet pjesë e këtij abuzimi të turpshëm. Nuk ka asnjë rast ku konsumatorët e energjisë të ndalohen dhe procedohen penalisht për borxhet ndaj OSHEE", thuhet në deklaratën për shtyp.
As OSHEE dhe asnjë institucion tjeter, deri te gjykata, thuhet më tej në deklaratën për shtyp, nuk kanë të drejtë të bëjnë interpretime apo tolerime të asnjë natyre, të cilat ndalohen rreptësisht nga Kodi Penal. "Vjedhja e energjisë është krim dhe dënohet me burg nga 3 deri ne 5 vjet", deklaron OSHEE.
OSHEE i bën thirrje Partise Demokratike që të mos bëhet mburoje e vjedhësve të energjisë dhe të mos pengojë me propagandë antiligjore dhe shpifje të vazhdueshme përpjekjen për nxjerrjen e sistemit të furnizimit me energji nga agonia ku u fut kompania për shkak të një politike dritëshkurter antikombëtare.
Një i paraburgosur, i arrestuar nga policia, është vetëvarur në Burgun e Rrogozhinës gjatë së dielës, siç njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. I paraburgosuri Q. Z., i moshës 50 vjeç, raportohet të ketë vuajtur nga probleme depresioni dhe është trajtuar me medikamente edhe gjatë periudhës së qëndrimit në paraburgim, sqaroi DPB, e cila deklaron se i vetëvaruri ka përdorur një shall për të kryer aktin e rëndë, ndërkohë që nuk jepen të tjera detaje. Policia pritet të nisë hetimet për të zbardhur ngjarjen.