Mbyllja e komunave serbe në veri të Kosovës, Osmani: Ishin forcuar nga Vuçiç dhe kthyer në grupe mafioze! Duhet të shpërbëheshin

 Mbyllja e komunave serbe në veri të Kosovës, Osmani: Ishin forcuar nga Vuçiç dhe kthyer në grupe mafioze! Duhet të shpërbëheshin

Vjosa Osmani

Nga Praga, presidentja Vjosa Osmani mbrojti vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave të ngritura nga Serbia, në Mitrovicën e Veriut. Për Radio Evropa e Lirë, Osmani tha se komunat e ngritura nga Serbia në Veri, që operonin paralelisht me komunat e shtetit të Kosovës, ishin shndërruar në grupe mafioze.

Osmani nënvizoi se janë veprime legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët.

“Situata në veri të Kosovës është shumë sfiduese, sepse përkundur Marrëveshjes së vitit 2013, e cila kërkon që të gjitha strukturat ilegale të shpërbëhen, ato janë forcuar nga [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiç në këtë dekadë, dhe janë shndërruar në grupe mafioze, të cilat edhe sfidojnë sigurinë, edhe sovranitetin, por edhe vetë jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e veriut”, ka thënë Osmani në Pragë, ku po merr pjesë në forumin e sigurisë Globsec.

Ajo ka bërë thirrje që të mos lejohet “asnjë forcë e errët, asnjë shtet që ka qëllime dashakëqija ndaj Kosovës dhe rajonit, të krijojë ndarje mes neve dhe aleatëve”.

“Kjo ndarje, në afatgjatë, Kosovës i kushton shumë. Kosova ka mundësi që të jetë e suksesshme në shtirje të sovranitetit, bashkë me aleatët. Kërkohet më shumë komunikim, më shumë konsultim, më shumë koordinim”.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç ka thënë ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

Për aksionin në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

E pyetur nëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë shefin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) e kanë përmendur nëpër takimet e ditëve të fundit përkeqësimin e marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovës, ajo ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë në çdo nivel se raportet me popullin e Kosovës, me Kosovën si shtet, i ka shumë të fuqishme.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për ta forcuar partneritetin, ne duhet të gjejmë mënyra që debati në Kosovë të mos jetë asnjëherë se ‘a jemi prishur me Amerikën apo jo?’, por të jetë sa jemi duke i forcuar ato marrëdhënie, sepse është vetëm në interes të Kosovës”.

Ajo ka thënë se do të takohet në kuadër të Globsec-ut me zyrtarë amerikanë për t’i diskutuar të gjitha sfidat aktuale.

Osmani nuk ka dashur të komentojë pse të shtunën, më 31 gusht, është vërejtur një prani e shtuar e forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.

Presidentja ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur KFOR-i, por as ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i ka thënë më herët për një korrespodente të REL-it se "nuk pritet ndonjë gjë e veçantë" dhe se pjesëtarët aty gjenden aty "për shkak të operacioneve rutinore"./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj