Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përsëritur kërkesën ndaj komunitetet ndërkombëtar gjatë një takimi të premten me deputeten britanike, Alicia Kearns, për ta ndëshkuar Serbinë për sulmin e muajit të kaluar në veri të Kosovës. Presidenca e Kosovës njoftoi të shtunën se Osmani e priti dje në takim Kearnsin, e cila kishte paralajmëruar në fillim të korrikut për kontrabandë të mundshme me armë në veri të Kosovës.
Rreth dy muaj para sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçait më 24 shtator - ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku - Kearns kishte thënë se “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal të jashtëzakonshëm armës në veri pas sulmit, për të cilat tha se janë futur në Kosovë përmes Serbisë.
Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijen për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë “pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator”, sipas njoftimit të Presidencës.
Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë “dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.”
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Deputetja Kearns e falënderoi presidenten Osmani për ftesën dhe “theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet në njoftim.
Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Punë të jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, u prit në një takim të shtunën edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“Kearnsit i shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj që na ka qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat” shkroi Konjufca në Facebook./REL