Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, Kosova kërkon drejtësi për të pagjeturit, Osmani: Trysni ndërkombëtare për marrëveshjen me Serbinë

Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, Kosova kërkon drejtësi për të pagjeturit, Osmani: Trysni ndërkombëtare për marrëveshjen me Serbinë

Osmani dhe Kurti, homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtar me qëllim që të arrihet marrëveshja për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente Osmani i bëri teksa bëri homazhe para obeliskut në Prishtinë dedikuar personave të pagjetur, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

“Siç e dini, në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve me dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi, përfundimisht Serbia të japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri te zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë”, tha Osmani.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia po bisedojnë edhe për çështjen e të pagjeturve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është bartës i dialogut politik, ka deklaruar më herët se Serbia nuk ka pasur gatishmëri në rundin e 18 gushtit, që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar” për çështjen e të pagjeturve.

Ai ka thënë se mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket marrëveshjes, kanë të bëjnë me tekstin e saj. Kosova kërkon që të përdoret termi “zhdukje me dhunë”, ndërkaq Serbia kërkon përdorimin e termit “persona të zhdukur”.

“Për fat të keq Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim, por shpresojmë që me trysni ndërkombëtare që përfundimisht të arrihet kjo marrëveshje, e cila do ta shtrinte rrugën për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Osmani.

Kurti, së bashku me Osmanin, bëri homazhe para obeliskut për të pagjeturit dhe për mediat përsëriti kërkesën e tij që Serbia të hapë arkivat shtetërore, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99, 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Shumica e tyre janë shqiptarë.

Vlerësohet se mbi 13.000 persona janë vrarë në luftën e fundit dhe mbi 6.000 ishin zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi./REL

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:10
Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, Blinken: Qeveritë në gjithë botën të tregojnë vendndodhjen e tyre

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen në adresimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë, dhe u bëjnë thirrja qeverive në mbarë botën që që t'i japin fund kësaj praktike dhe të zbulojnë vendndodhjen e tyre.

Kështu thuhet më deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Ditën Ndërkombëtare e të Zhdukurve në botë shënohet më 30 gusht.

“Çdo vit njerëzit e zakonshëm bien viktima të zhdukjes me forcë dhe zhduken pa lënë gjurmë, pasi janë arrestuar, ndaluar ose rrëmbyer nga zyrtarë qeveritarë ose ata që veprojnë me pëlqimin e tyre. Ata që janë përgjegjës shpesh refuzojnë të tregojnë ndodhjen e të zhdukurve, madje mund t'i justifikojnë këto veprime si pjesë e aktiviteteve kundër terrorizmit”, thuhet në deklaratë.

Blinken tha se regjimet autoritare dhe përfaqësuesit e tyre përpiqen të rrënjosin frikën dhe të ruajnë kontrollin, duke zhdukur avokuesit e të drejtave të njeriut, aktivistët politikë, gazetarët dhe grupet e tjera si fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara.

Deklarata shton se kjo praktikë është një shkelje skandaloze e të drejtave të njeriut, e ndaluar sipas Ligjit ndërkombëtar, e cila megjithatë vazhdon të përdoret për të heshtur mospajtimet dhe për të sulmuar shoqërinë civile./REL

S.C/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë